E Shtunë, 31 Tetor 2026

10 delegacionet parlamentare të Kuvendit dhe lufta për postet drejtuese

Drejtimi i delegacioneve parlamentare, i rëndësishëm për karrierën e deputetit

Eljona Ballhysa
Nisja e punimeve parlamentare do të ketë në rendin e ditës miratimin e listës së deputetëve që do të përbëjnë delegacionet parlamentare, të cilat do të përfaqësojnë Shqipërinë në organizma të rëndësishëm ndërkombëtarë. Marrja e një posti drejtues në këto delegacione rrit peshën politike të deputetit. Në bazë të Rregullores së Kuvendit përbërja e delegacioneve parlamentare përcaktohet nga kryetari i Kuvendit, në konsultë me kryetarët e grupeve parlamentare dhe më pas miratohet në seancë parlamentare. Drejtimin e delegacioneve e merr forca politike që ka shumicën në Kuvend. Gjatë legjislaturës së kaluar të dhjetë delegacionet e përhershme parlamentare janë drejtuar nga deputetë të PD-së. Pritet që edhe gjatë kësaj legjislature postet drejtuese të delegacioneve të merren nga deputetët e PD-së. Sigurisht, pritet të përfitojnë deputetët që kanë njohje të gjuhëve të huaja, janë juristë të mirë dhe që gëzojnë mbështetjen e kryetarit të grupit parlamentar dhe atë të kryetarit të Kuvendit.
Delegacionet
Një ndër delegacionet më të rëndësishme të Kuvendit të Shqipërisë është Unioni Ndërparlamentar. Këtë delegacion, gjatë katër viteve të kaluara, e ka drejtuar vetë kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ndërsa në përbërjen e tij janë 16 anëtarë, ku 10 i përkasin maxhorancës dhe 6 opozitës. Pritet që edhe gjatë kësaj legjislature në krye të këtij delegacioni të qëndrojë kryetari i ri i Kuvendit, ndërsa në përbërjen e tij të jenë shumica e deputetëve të PD-së. Roli i këtij delegacioni është i rëndësishëm në marrëdhëniet ndërparlamentare me shtetet e tjera dhe është përcaktues përsa i përket diplomacisë parlamentare.
Një tjetër delegacion që merr një rëndësi të veçantë tashmë që Shqipëria është anëtare me të drejta të plota në NATO, është Asambleja e Atlantikut të Veriut. Gjatë katër viteve të kaluara ky delegacion është drejtuar nga kryetari i Komisionit për Sigurinë Kombëtare, Leonard Demi, ndërsa në përbërjen e tij janë 4 anëtarë, 2 nga maxhoranca dhe 2 nga opozita. Roli i këtij komisioni është përfaqësimi i Shqipërisë në mbledhjet e Asamblesë së NATO-s. Gjatë katër viteve të ardhshme pritet që kryesimin e këtij delegacioni ta marrë sërish kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare. Aktualisht janë disa emra në garë për të marrë këtë post, si Bujar Nishani, Leonard Demi, Gent Strazimiri, Fatos Hoxha e Gazmend Oketa.
Një ndër delegacionet me rëndësi të veçantë është ai i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Ky delegacion është drejtuar përgjatë katër viteve të kaluara nga deputeti i PD-së, Aleksandër Biberaj. Por, pas një konflikti midis tij dhe kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, Biberaj u shkarkua nga ky post. Në vend të tij u miratua kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali. Emërimi i Rusmalit erdhi në muajt e fundit të legjislaturës së kaluar. Burimet nga PD-ja mendojnë se në rast se Rusmali nuk merr ndonjë post ministror, do të zgjidhet sërish në krye të këtij delegacioni. Ky delegacion e përfaqëson Shqipërinë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, që është një ndër strukturat vendimmarrëse të Bashkimit Europian. Në përbërjen e këtij delegacioni janë 4 anëtarë; 2 nga maxhoranca dhe 2 nga opozita. Për këtë delegacion janë parashikuar edhe tre anëtarë zëvendësues.
Kuvendi i Shqipërisë do të zgjedhë deputetët që do të përfaqësojnë vendin tonë në Parlamentin Europian. Ky delegacion përbëhet nga 7 anëtarë, prej të cilëve 4 i përkasin maxhorancës dhe 3 opozitës. Gjatë katër viteve të kaluara ky delegacion është drejtuar nga ish-ministrja e Integrimit, Arenca Trashani. Burimet bëjnë të ditur se për drejtimin e këtij delegacioni pritet të emërohet një deputet me background diplomatik, i cili edhe më parë ka pasur një eksperiencë përsa u përket marrëdhënieve ndërkombëtare, ose që është i arsimuar në këtë fushë.
Këto ishin delegacionet më të rëndësishme. Por Kuvendi i Shqipërisë përfaqësohet me delegacione edhe në samite dhe organizata të tjera. Kështu është Delegacioni i Përhershëm Parlamentar në Asamblenë Parlamentare të Bashkëpunimit Ekonomik me Detin e Zi (PABSEC-ut). Ky delegacion përbëhet nga 5 anëtarë, 3 nga PD-ja dhe 2 nga PS-ja dhe është drejtuar nga ish-kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Edmond Spaho. Pritet që kryesimi i tij të merret nga kryetari i ri i këtij komisioni.
Më tej vjen delegacioni i Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë, që ka një pjesëmarrje të kufizuar prej dy anëtarësh; një përfaqësues nga maxhoranca dhe një nga opozita. Po kështu është dhe delegacioni që përfaqëson Shqipërinë në Konferencën për Bashkëpunimin në Mesdhe, që gjithashtu ka një pjesëmarrje të ulët prej tre anëtarësh. Gjithsesi, deputetët që drejtojnë dhe që marrin pjesë në delegacione marrin një rëndësi të veçantë pasi e përfaqësojnë Shqipërinë në organizma të ndryshme dhe kanë rastin të spikasin nga kolegët e tyre. Ata gjithashtu kanë përfitime jo vetëm politike, por edhe ekonomike, pasi paguhen ekstra dhe marrin dieta për udhëtimet jashtë shtetit.

Delegacionet e përhershme të Kuvendit:

Unioni Ndërparlamentar
16 anëtarë
10 anëtarë PD, 6 PS

Asambleja e Atlantikut Verior
4 anëtarë, 2 PD-ja, 2 PS-ja

BEP, Asambleja Parlamentare
2 anëtarë, 1 PD-ja, 1 PS-ja

Asambleja Parlamentare e Bashkëpunimit Ekonomik me Detin e Zi (PABSEC-ut)
5 anëtarë, 3 PD-ja, 2 PS-ja

Asambleja Parlamentare e Frankofonisë
2 anëtarë, 1 PD-ja, 1 PS-ja

Asambleja Parlamentare e OSBE-së
4 anëtarë, 2 PD-ja, 2 PS-ja

Iniciativa e Europës Qendrore
6 anëtarë, 3 PD-ja, 3 PS-ja

Përfaqësuesit e Kuvendit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës
4 anëtarë 2 PD-ja, 2 PS-ja

Konferenca për Bashkëpunimin në Mesdhe
3 anëtarë 2 PD-ja, 1 PS-ja

Parlamenti Europian
7 anëtarë, 4 PD-ja, 3 PS-ja

Rregullorja e Kuvendit
Neni 7
3. Kryetari i Kuvendit, në këshillim me kryetarët e grupeve parlamentare, përcakton listën e anëtarëve dhe të kryesive të delegacioneve të përhershme të Kuvendit pranë organizatave ndërkombëtare. Përbërja e delegacioneve pasqyron, për aq sa është e mundur, përbërjen politike të Kuvendit. Lista e anëtarëve të delegacioneve të përhershme dhe çdo ndryshim i mëvonshëm në to i njoftohen Kuvendit në seancën plenare më të parë. Në rast kundërshtimesh, Kuvendi vendos me votim të hapur.
4. Kryetari i Kuvendit, në bashkëpunim me Sekretariatin për Marrëdhëniet me Jashtë, cakton delegacionet e përkohshme, që përfaqësojnë Kuvendin në marrëdhëniet ndërkombëtare.

28 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›