Patozi: Nuk do tërhiqemi nga komisioni. Ska zgjedhje para kohe
Nënkryetari i Partisë Demokratike, njëkohësisht kryetari i grupit parlamentar të demokratëve, theksoi dje se mazhoranca nuk do të tërhiqet nga komisioni hetimor për zgjedhjet. Në emisionin televiziv “Ora e Debatit”, Patozi deklaroi se ky komision do të presë pjesëmarrjen e opozitës deri kur ajo ta vlerësojë qëndrimin e mazhorancës. Patozi gjithashtu deklaroi se në axhendën e mazhorancës nuk kishte vend për zgjedhje të parakohshme. “Ne nuk tërhiqemi nga komisioni dhe opozita mund të vijë aty kur të dojë”, deklaroi Patozi. Sipas tij, ngritja e komisionit hetimor nga mazhoranca nuk kishte asgjë të jashtëligjshme dhe se ai u ngrit për t’i treguar shqiptarëve dhe opozitës se mazhoranca është e gatshme për të bërë transparencë të plotë për zgjedhjet e kaluara, deri aty ku ligji e lejon. Nga ana tjetër, Patozi nuk e cilësoi situatën politike në vend si dramatike. Sipas tij, është e rëndësishme që bojkoti i opozitës përfundoi dhe se tashmë mazhoranca ka më shumë oferta për t’i paraqitur opozitës për zgjidhjen e krizës. Sipas Patozit, oferta e mazhorancës për ngritjen e një grupi prej 100 prokurorësh është e sinqertë dhe i jep një mundësi opozitës që të hetojë nëse ka raste të tjera si ai i Ruzhdies. “Kjo ofertë është realisht e sinqertë dhe e mundshme”, konkludoi Patozi në lidhje me këtë çështje. Po kështu kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike deklaroi se opozita nuk është realisht e interesuar për kutitë dhe transparencën. Sipas tij, i pari që ka folur për hapje kutish ka qenë aleati i ri i Edi Ramës, Spartak Ngjela. “Kutitë janë përmendur për herë të parë nga Spartak Ngjela. Ai është i lirë të marrë nisma aventureske, sepse ai është politikisht në pension dhe nuk ka njerëz pas tij, për të cilët i duhet të mbajë përgjegjësi. Ndryshe nga Edi Rama, i cili ka pas vetes shumë njerëz dhe duhet të marrë përgjegjësi për partinë më të madhe në vend”, theksoi Patozi. Sipas tij, e gjithë kjo “luftë” e socialistëve, po bëhet vetëm për të ardhmen politike të Edi Ramës. Por, sipas Patozit është e rëndësishme që në këtë situatë njerëz të PS-së të rrisin presionin ndaj kryetarit të tyre, sepse nuk mundet që një njeri i vetëm të shkatërrojë të ardhmen e një partie të madhe. Nga ana tjetër, Patozi thekson se Rama hyri në Parlament i shtrënguar nga presione të brendshme dhe të jashtme. “Ai e dinte se do të mbetej me gjysmën e tyre brenda Parlamentit dhe me gjysmën tjetër jashtë. Mendoj se shumë burra dhe gra brenda Partisë Socialiste nuk do të ishin të gatshëm të digjnin karrierën e tyre politike për të shkuar pas kapriçiove të Ramës”, theksoi Patozi. Nënkryetari i PD-së u shpreh se kërkesat e Ramës janë të pamundura dhe kjo bëhet për të justifikuar lëvizjet e tjera politike të tij.
#