E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inspektimi, ushqimi pranë shkollave, i shpejtë dhe i pisët

Sipas ASHR-së, disa nga subjektet pranë shkollave, nuk i plotësojnë kushtet higjieno-sanitare. Ja rezultati i kontrolleve

Ushqimet e çastit pranë shkollave mund të kthehen në rrezik serioz për nxënësit. Situata higjieno-sanitare është jashtë standardeve në disa nga subjektet që ofrojnë këto ushqime. Aksionet e kontrolleve të Autoritetit Shëndetësor Rajonal në Tiranë, kanë konstatuar se ushqimet e çastit (fast-food-et) pranë disa shkollave nuk i plotësojnë standardet higjieno-sanitare. Ndërkohë, drejtori i këtij institucioni, Mëhill Gecaj, ka bërë edhe bilancin e kontrolleve gjatë vitit, në të gjitha subjektet ku tregtohen produktet ushqimore, ku kanë dhënë edhe ndëshkime për mosrespektim të kushteve higjieno-sanitare.

Rrezik shkollat

Mijëra nxënës konsumojnë pranë shkollave të tyre ushqim të shpejtë, apo siç njihen sot fast-food-et, pa e ditur se ato mund të jenë burim sëmundjesh, pikërisht për shkak të mungesës së kushteve higjieno-sanitare që tregojnë përgjegjësit e këtyre subjekteve. Kështu, inspektorët e Autoritetit Shëndetësor, pohojnë se subjektet e fast-food-eve pranë shkollave “Kushtrimi i Lirisë”, “Mihal Grameno” dhe “Ahmet Gashi” në Laprakë, nuk i plotësojnë kushtet higjeno-sanitare. Sipas inspektorëve, për këto subjekte janë lënë procesverbale më detyra dhe afate për përmirësimin e gjendjes, si dhe është ndjekur ecuria e përmbushjes së tyre. Vetëm pak javë më parë, nxënësit e njërës prej këtyre shkollave përfunduan të helmuar në spitalin Infektiv. Sipas drejtorit të ASHR-së, Gecaj, për shkak të rrezikshmërisë që paraqesin këto subjekte, do të jenë gjithnjë nën kontrollin e inspektoriatit.

Kontrollet

Masa të rrepta për kontrollin e tregjeve të mëdha, si dhe pikave të prodhimit dhe tregtimit të ushqimeve në rrethin e Tiranës. Ky është synimi i autoritetit shëndetësor, që, sipas Gecajt, ka hartuar një plan për ta realizuar atë, sidomos tani në prag festash. Bazuar në këtë plan masash, sipas tij, inspektorët sanitarë do të ushtrojnë vazhdimisht kontrolle, edhe gjatë ditëve të pushimit, duke i shtrirë ato dhe pas festave, në ditët e para të vitit të ardhshëm. Ndërkohë, nga inspektorët e Inspektoriatit Sanitar Shtetëror të Tiranës, gjatë periudhës janar-tetor të vitit 2008, janë ushtruar kontrolle në 16 110 objekte që kanë të bëjnë me ushqimet. Zoti Gecaj tha se, "gjatë kontrolleve, janë mbajtur dhe lënë 4658 procesverbale, nga të cilët 31 për bllokim paraprak të tregtimit të produkteve ushqimore, 26 për groposje të produkteve ushqimore të parregullta dhe 348 për marrje mostrash për analiza bakteriologjike. “Inspektorët sanitarë të Shërbimit të Higjienës, ushtrojnë kontrolle higjieno-sanitare në të gjithë subjektet përkatës, persona fizikë dhe juridikë të qytetit dhe rrethit të Tiranës”,- thekson Gecaj.

16 110 objekte që kanë të bëjnë me ushqimet janë inspektuar gjatë periudhës janar-tetor të vitit 2008

4658 procesverbale janë lënë gjatë kontrolleve të subjekteve që tregtojnë produkte ushqimore nga ASHR-ja

31 subjekteve u është lënë procesverbal për bllokim paraprak të tregtimit të produkteve ushqimore

78 subjekteve u është bërë mbyllje provizore nga inspektoriati për të mos tregtuar produkte ushqimore

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›