E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Pse u ndava me Berishën në '90-ën

Kryetari i PS-së flet edhe për marrëdhëniet me LSI-në. “LSI-ja nuk ka një projekt të ri politik, por vetëm një politikë të vjetër”"Unë kam qenë dhe do të jem i gatshëm të ulem dhe të diskutoj me Ilir Metën si me çdo kënd"

Z. Rama si u bëtë pjesë e asaj lëvizjeje demokratike?

Kishim organizuar së bashku me të tjerë një mbrëmje për dhjetëvjetorin e vdekjes apo të vrasjes së Xhon Lenonit dhe, në fund të mbrëmjes, të gjithë të pranishmit morën rrugën dhe u bashkuan në Qytetin Studenti me një grup tjetër, duke i dhënë kështu shkëndijën e parë publike një lëvizjeje, e cila kishte filluar qysh prej një viti të tërë, ku artikulohej këtu në Akademinë e Arteve.

Çfarë ka ngelur nga Edi i 18 viteve të shkuara?

Besoj se kanë ngelur po ato 198 centimetra, më pak flokë, ndonjë kg më shumë, më pak vetëkënaqësi, më shumë vetëpërmbajtje, më pak shpirt kundërshtimi për çdo gjë dhe më shumë sens realizimi, por besoj e njëjta fuqi për të shpresuar dhe ëndërruar se në këtë vend gjërat mund të jenë si në Evropë. E njëjta energji dhe pasion për të ndjekur shpresat dhe ëndrrat në kërkim të realizimit të tyre. Pa numëruar këtu thinjat që duken.

Ndiheni në siklet kur e rilexoni librin “Refleksione” që keni shkruar së bashku me z. Klosi?

S’kam arsye që të ndihem në siklet. Përkundrazi, për faktin që bëra gjithë sa munda, thashë gjithë sa munda, shkrova gjithë sa munda kundër një regjimi antinjerëzor, siç ishte regjimi komunist dhe padyshim ndjehem shumë mirë sot që çka u bë ishte pjesë domethënëse e një lëvizjeje shumë të madhe, e cila për hir të së vërtetës historike, në këtë Akademi kishte filluar të artikulohej më parë se viti 1990, disa ditë pas vrasjes së diktatorit rumun, çka i hapi rrugë një procesi që, në dukje, ishte një proces kundërshtie brendapërbrenda akademisë për çështjet që kishin të bënin me liritë e krijimit, por që në thelb ishte për çështje politike.

Dikur ju kanë quajtur ekstremist, tashmë ka zëra që ju quajnë demagog. Ku e gjeni veten?

Në 1990-n më quajtën ekstremist, sepse unë qysh në orët e para u ndava prerazi me PD-në dhe përkatësisht me atë që më pas u bë kryetar i saj, dhe që qysh prej asaj kohe e kemi vërdallë dhe që atë kohë quhej shoku Sali Berisha dhe ndarja kishte të bënte me dy çështje themelore: Unë isha për dënimin publik të figurës së Enver Hoxhës dhe për ta quajtur Ramiz Alinë si pasuesin e diktatorit dhe jo sjellësin e demokracisë, ndërkohë që Sali Berisha e konsideronte Enver Hoxhën komandantin e luftës që filloi të gabonte në vitin 1960. Këto janë fakte që janë bërë publike jo vetëm në librin tonë, por edhe në intervistat e kohës. Së dyti, ndahesha prerazi me PD-në dhe me Sali Berishën dhe të tjetër lidhur me të burgosurit politikë, pasi unë, së bashku me Ardian Klosin dhe të tjerë, kërkonim që PD-ja të angazhohej për lirimin e të burgosurve politikë, ndërkohë që Sali Berisha i quante llumi i shoqërisë. Është fakt që nga refleksionet e dyta, ato të fillim janarit 1991, ne dolëm me një peticion të firmosur nga të gjithë të pranishmit në sallë, të cilin e lamë tek dera e Presidencës, ku kërkonim rishikimin e figurës së diktatorit Enver Hoxha dhe lirimin e të gjithë të burgosurve politikë. Ky peticion u refuzua për botim nga gazeta “Rilindja Demokratike”. Ndërsa sot demagogët janë ata që tregtojnë gënjeshtra, duke e kthyer politikën në një pazar të shpifur interesash të ngushta klanore.

Kryetari i mazhorancës u shpreh se një nga çështjet që ju nuk u latë të bëheshit pjesë e PD-së ishte se ata ju konsideruan pjesë të regjimit komunist. Sa e vërtetë është kjo?

Unë i thashë arsyet parimore që më ndanë mua me Berishën dhe kompaninë e tij që vinin aty drejtpërdrejt nga radhët e ushtarëve të regjimit. Dhe sot, ai që është kryeministër i vendit, asokohe ishte shoku Sali, sekretar i Partisë së Punës, të cilin Presidenti i kohës, Ramiz Alia, e dërgoi tek studentët për të folur në emër të tij me studentët. Dhe, si një komunist i përgatitur, arriti ta manipulojë dhe ta çojë në drejtimin që dëshironte ai atë që ishte një lëvizje studentore me plot studentë, intelektualë dhe pedagogë, njerëz që erdhi momenti të shpreheshin për lirinë e tyre me një parti që, pastaj, dalëngadalë, filloi të vuajë po nga ato probleme që vuan një parti që nuk ka hapësira për lirinë e të menduarit.

Cilat janë shkaqet që ju penguan të bëheshit pjesë e kësaj force?

Edhe deklarata e sotme e Berishës është shprehje e kësaj mendësie dhe nuk ka si mund të jetë tjetër, sepse pavarësisht se kryeministri i sotëm është në krye të një partie që e quan të djathtë, të mos harrojmë se ka si i djathtë më pak vite sesa si komunist.

Kemi sot përballë idealistin e atëhershëm apo politikanin klasik që ka si qëllim pushtetin?

Unë nuk e ndjej dhe nuk e quaj veten politikan. Kur e kam thënë këtë, shumëkush dhe ata që ushtrojnë zanatin e të shkruarit dhe të komentuarit, më ka keqtrajtuar, sepse nuk paskam mundësi që një kryetar të mos jetë një politikan profesionist. Por, në të vërtetë, unë e ndjej veten një qytetar që vazhdoj të ndjek po atë shpresë dhe ëndërr që, në këtë vend, mund të jetohet më mirë. Unë zgjodha të merrem me politikë duke e parë politikën si një instrument që mund të bëhen realitet shumë gjera që janë të pamundura në rast se je i vetëm dhe, njëkohësisht, një mundësi për të qenë i vlefshëm për të tjerët. Në këtë zgjedhje unë do të qëndroj për sa kohë do të realizoj gjërat që premtoj dhe për sa kohë do kem pëlqimin e shumicës.

LSI do jetë një ndër forcat që do bashkohen me ju?

Nuk më intereson fare kjo. Duhet ta thyejmë stereotipin që na mban lidhur pas aritmetikës së bashkimit të forcave politike që janë krijuar për interesa klanore. Që politika të ndryshojë, duhet të ndryshojë gjithë procesi politik, duhet të angazhohen të gjithë qytetarët. U desh të degjenerojë kjo logjikë numrash në këtë pikë, që spitalet e Shqipërisë të mos kenë as aspirinë në to. Kjo erdhi si rezultat i bashkimit të numrave, duke bërë që i gjithë sistemi shëndetësor të shkëputet nga interesat e qytetarëve. Unë e përsëris, jo bashkimi i kryetarëve, por bashkimi i qytetarëve, është ai që do ta fusë në rrugën e Evropës.

Pas deklaratës së Milos, Meta ju ka kërkuar takim. Do ta takoni?

LSI-ja ka thuajse një vit që i ka hapur PS-së dhe përfaqësuesve të saj, një luftë që bazohet tek i gjithë arsenali i politikës së vjetër, shpifje, akuza, fyerje, duke derdhur në mjedisin publik një sasi të jashtëzakonshme energjish negative dhe, nga ana tjetër, duke mos pasur as kujdesin më të vogël të balancojë luftën me PS-në, me luftën kundër qeverisjes së Berishës, që, shpeshherë e me javë të tëra, nuk janë fare në vëmendjen e këtij grupimi politik dhe, e gjithë kjo, mua më shkakton vetëm keqardhje, pasi është dëshmi e një krize të thellë identiteti dhe të një boshllëku të dukshëm idesh. E gjitha kjo është shprehje e faktit se LSI-ja nuk ka një projekt të ri politik, por vetëm një politikë të vjetër pa projekt. Thënë kjo, dua ta përsëris që dera jonë është gjithnjë e hapur, që ne duam t’i japim jetë një politike të re, që fillon nga një etikë e re komunikimi, sepse askush nga ne në shtëpitë tona nuk kemi folur apo dëgjuar se më i zoti është ai që dëgjon, që bërtet më shumë, më të drejtë ka ai që shan më shumë, i duhet hapur rrugë atij që nuk ndalet në përpjekjen për të bërë dëm. Ne nuk mund dot të ndryshojmë shumëçka në esencën e qeverisjes në Shqipëri, në rast se nuk ndryshojmë këtë proces politik. Duke bërë rolin e atij të voglit që, për t’u dukur i madh shan me zë të lartë, ky grupim politik po tkurret në një pozicion të disfavorshëm për të dhe unë po e përsëris se kjo më shkakton keqardhje. Unë kam qenë dhe do të jem i gatshëm të ulem dhe të diskutoj me Ilir Metën si me çdo kënd tjetër, pa asnjë dallim dhe pa asnjë paragjykim, por në rastin konkret, dua ta them se, natyrisht, kemi shumë gjëra për të folur dhe për të diskutuar, por të mos e harrojmë dhe të mos bëjmë sikur nuk e kuptojmë se procesi i miratimit të Kodit Zgjedhor në Kuvend është një proces i mbyllur, sepse Presidenti i Republikës e ka kthyer Kodin Zgjedhor për një pikë, që ka të bëjë me afatin dhe se njëkohësisht ne kemi arsye të tjera për të diskutuar për implementimin sa më të mirë të këtij kodi të ri. PS-ja dhe unë personalisht, do të jemi garantët e çdo vote, të çdo shqiptari dhe shqiptareje, sepse e gjithë filozofia jonë e re opozitare, është që jo me çdo kusht ne të synojmë pushtetin, por me çdo kusht dhe me çdo çmim për vete, ne do të bëjmë të pamundurën që pushteti t’u takojë qytetarëve. Dhe pushteti mund t’u takojë qytetarëve në rast se çdo votë do të numërohet ashtu siç qytetarët e japin.

Ju kanë akuzuar se nuk po bëni një opozitë të fortë që pas Gërdecit...

Opozita e fortë nuk është arsyeja e forcës, por është forca e arsyes. Dhe ne nuk kemi lënë asgjë pa bërë nga gjithçka kemi menduar se është detyra jonë për të bërë, qoftë kur ka qenë fjala për të bërë nxjerrjen në pah të problemeve të thella të vendit dhe, ndër to dhe ato që ju përmendët, qoftë edhe për të bërë atë që s’e ka bërë asnjë opozitë deri më sot në Shqipëri, për të shkruar programin qeverisës me qytetarët, kudo që ata jetojnë. Jo kush shan dhe kush bërtet, është më i zoti. Dhe unë shoh me vështirësi që të ketë prindër shqiptarë që e shohin fëmijën e vogël dhe ëndërrojnë të bëhet si Sali Berisha.

Jam kurioz të di marrëdhëniet tuaja me bashkëpunëtorët tuaj në parti dhe në bashki. Pse nuk ka zëra ndryshe në PS?

Kjo është një tjetër arsye për të diskutuar së bashku dhe, besoj se edhe kjo lidhet me një mënyrë të caktuar të të parit të asaj që është një parti politike. Sipas pikëpamjes sime, një parti politike nuk është një unitet personash të rreshtuar si nën një komandë të vetme, por nuk është as një zhurmues shumë zërash që krijojnë kakofoni dhe nuk u japin mundësi njerëzve të kuptojnë se kush janë mesazhet e kësaj force politike. Ne diskutojmë me dhjetëra mijëra shqiptarë, por diskutojmë edhe me njëri-tjetrin. Por, në rast se ajo që ishte një nga sëmundjet më të mëdha të PS-së në një kohë, dhe një shqetësim për mbështetësit tanë që nuk kuptonin pse socialistët ziheshin me njëri-tjetrin, pasi nuk bëhej fjalë për një debat idesh, por bëhej fjalë për konflikte interesash. Kjo është një fazë e kapërcyer për PS-në. Ndërkohë që, edhe sot ka gjëra, për të cilat ne nuk jemi të gjithë dakord, por nga ana tjetër po krijojmë së bashku një vetëdije se duhet të funksionojmë si një alternativë dhe se nuk duhet t’u marrim kohë njerëzve me gërr-mërre.

Për takimin Nano-Berisha në Trieste...

Është një fakt historik interesant i personazheve, por unë dua të shoh përpara, ndërsa në histori të shohin historianët. Ne do të bëjmë historinë e ardhshme të Shqipërisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›