Inspirohet nga Cesar

Portieri kosovar, Samir Ujkani, i cili në verën e kaluar nga Palermo u huazua në Novara - që garon në Serie C të Italisë - ka treguar se kohët e fundit është duke u inspiruar për ta kryer punën e tij sa më mirë, nga portieri i Interit, braziliani Julio Cesar.
Ujkani ka theksuar se më parë përcillte me vëmendje portierin e Juventusit, Gianluigi Buffon dhe atë të Real Madridit, Iker Casillas. Por, tani ndjen simpati të veçantë për Julio Cesarin.
“Buffon gjithmonë ka qenë portier model për mua, sikurse edhe Casillas. Së fundi portier, të cilin e admiroj më së shumti, është ai i Interit, Julio Cesar”, ka deklaruar Ujkani në një intervistë për www.oknovara.it.
Portieri, me prejardhje nga Vushtrria, ka pohuar edhe njëherë, se kur ishte fëmijë, ëndërronte që në të ardhmen të bëhej portier i gjigantit evropian, Milanit.
21-vjeçari ka thënë se shumë shpejt është adaptuar në skuadrën e tij të re, pas transferimit në Novara nga Palermo. Ai ka thënë se ndihet mirë në qytetin ku tani jeton, derisa ka theksuar se klubi i tij Novara është shumë mirë i organizuar, madje më mirë sesa ish-skuadra e tij siciliane, Palermo.
“Kurrë nuk e kam pasur problem të ambientohem. Kudo që kam shkuar, jam adaptuar shumë shpejt. Kur kam shkuar nga Kosova në Belgjikë, nuk e kam pasur vështirë të adaptohem në shtetin tjetër, sikurse në Palermo, ku ndihesha mirë vetëm pas një muaji qëndrim. Edhe në Novara, gjërat shkojnë perfekt. Madje, më mirë sesa në Palermo. Klubi është shumë mirë i organizuar dhe me të vërtetë në mënyrë fantastike”, ka shtuar ai.
Ndërkohë, Samir Ujkani ka folur edhe rreth vendlindjes së tij. Ai ka thënë se gjërat në Kosovën e pasluftës janë duke shkuar mirë dhe se shteti më i ri në botë po përparon.
“Gjërat në Kosovë janë duke shkuar gjithnjë e më mirë. Njerëzit në Kosovë punojnë shumë për ta zhvilluar vendin. Dhjetë vite më parë, atje ishte luftë, ndërsa më pas pati probleme që duhet zgjidheshin dhe vazhdojnë të zgjidhen”, nënvizoi ai.
“Tani në Kosovë gjithçka po shkon mirë dhe jemi duke bërë hapa pozitivë. Unë shkoj çdoherë për pushime në Kosovë dhe shoh progres të arritur. Tani problemet, ndoshta janë vetëm të nivelit politik, por marrëdhëniet ndërmjet njerëzve janë shumë të mira, madje edhe me serbët që jetojnë atje”, ka pohuar Ujkani.
Ujkani ka shpjeguar se ai nuk është futbollisti i vetëm kosovar që luan për Përfaqësuesen e Shqipërisë, pasi Kosova ende nuk është anëtare e FIFA-s dhe UEFA-s.
Por, nuk e ka përjashtuar mundësinë që t’i kthehet reprezentacionit kosovar, menjëherë pas pranimit të Federatës së Futbollit të Kosovës në familjen botërore të futbollit.
“Sikurse unë, është edhe Lorik Cana, i cili luan me Sunderlandin në Angli, por edhe futbollistë të tjerë. Në të ardhmen është e mundur të luaj për Kosovën, mirëpo ne jemi duke punuar dhe duhet të presim”, ka përfunduar ish-portieri i Anderlechtit.