Me pak yje

Shumë pakë futbollistë kosovarë të cilët luajnë nëpër ligat evropiane do të zbarkojnë në Kosovë, më 17 shkurt, për t’i mbrojtur ngjyrat e Përfaqësueses së Kosovës, në ndeshjen miqësore ndaj ekipit të përbërë me lojtarët më të mirë të kampionatit të Shqipërisë.
Për ndeshjen e cila zhvillohet për nder të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, përzgjedhësi kosovar, Albert Bunjaku, nuk pritet të ketë në dispozicion më shumë se 3-4 futbollistë që luajnë në Evropë.
Shumica e të ftuarve për këtë përballje, pritet të jenë nga Superliga e Kosovës, duke përfshirë edhe emrat e disa lojtarëve kosovarë që luajnë në Ligën e Shqipërisë dhe atë të Maqedonisë.
“Pjesa dërmuese e futbollistëve që do të luajnë në atë ndeshje do të jenë nga kampionati i Kosovës. Mirëpo, ekipit do t’i bashkohen edhe disa futbollistë të tjerë, që luajnë në regjion, si në Shqipëri dhe në Maqedoni”, deklaroi Bunjaku për Express.
Ai ka treguar se shumë yje të futbollit kosovar nuk do të mund ta pranojnë ftesën e tij për këtë ndeshje, pasi pjesa dërrmuese e tyre janë të angazhuar me ekipet e veta në ligat ku aktivizohen.
“Unë kam qenë në kontakte me futbollistë të tjerë kosovarë të cilët luajnë nëpër Evropë, dhe ende jam në kontakte të vazhdueshme me ta. Mirëpo, shumica nga ta janë të angazhuar me ekipet e tyre në garat kampionale, dhe kjo e ka vështirësuar mundësinë që ata të vijnë për ndeshjen e 17 shkurtit. Ka edhe nga ata që janë në përgatitje me ekipet e tyre. Kështu që nga futbollistët që luajnë ne Evropë, në atë takim nuk do të jenë më shumë, katër, eventualisht pesë”, theksoi Bunjaku.
Përzgjedhësi kosovar nuk deshi t’i tregojë emrat e lojtarëve që do të vijnë në Kosovë më 17 shkurt. Por, njëri ndër ta pritet të jetë edhe portieri i skuadrës suedeze - Kalmar, Etrit Berisha.
“Kam folur me Bunjakun rreth kësaj ndeshjeje, dhe tani vetëm po e pres ftesën zyrtare. Klubi im do të më lejoj të vij në Kosovë për ta zhvilluar këtë ndeshje”, tha Berisha, për Express.
Përveç Berishës, edhe mesfushori i ekipit tjetër suedez, Halmstads, Anel Raskaj me gjasë do të vijë në Prishtinë për këtë ndeshje. Kurse, për shkak të angazhimeve me klubet e tyre, ftesën e Bunjakut nuk kanë mundur ta pranojnë Enes Alushi (Paderborn), Mergim Mavraj (Bochum), Shqipron Skeraj (Koblenz), etj.
Mirëpo, lojtarët kosovarë nga kampionati shqiptar si: Ilir Nallbani, Liridon Leci (Vllaznia), Driton Krasniqi (Shkumbini), Liridon Kuka, Shpëtim Babaj (Gramozi), dhe ata nga kampionati maqedonas: Genc Hyseni (Teteks) dhe Erdogan Brando (Milano Kumanovë) me gjasë do t’i mbrojnë ngjyrat e ekipit kosovar në ndeshjen e 17 shkurtit.