E Shtunë, 31 Tetor 2026

Instat për tremujorin e dytë 2011-të, ekonomia ulje me 1.7%

Pas kritikave të ministrit të financave Ridvan Bode INSTAT reagon dhe publikon të dhënat për tremujorin e dytë të 2011-tës. Vetëm para disa ditësh ministri deklaroi se të gjitha të dhënat e Drejtorisë së Tatimeve janë publikuar dhe i mbetet INSTAT-it që ti përpunonte. Ekonomia shqiptare pëson ulje me 1.7 përqind në tremujorin e dytë të vitit 2011-të.

INSTAT publikon së fundi të dhënat për prodhimin e brendshëm bruto, ku theksohet se në krahasim me tremujorin e parë aktiviteti ekonomik është ulur. Ndërkohë në krahasim me një vit më parë ka pasur një rritje me 0.5 përqind. Ajo që vihet re në raportin më të fundit është fakti se dega e industrisë, ndërtimit dhe tregëtisë u shfaqën me rënie të ndjeshme, krahasuar me tremujorin para-ardhës. Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2011-të me rritje më të lartë u paraqitën degët transporti me 3.4 përqind, post- komunikacioni me 2.5 përqind.

Grupi i industrive pati rënie me 8.5 përqind në tremujorin e dytë të vitit 2011-të. Ulja e këtij sektori është ndikuar më së tepërmi prej pakësimit të prodhimit të energjisë elektrike në muajt e fundit në vendin tonë. Aktiviteti i ndërtimit gjithashtu vazhdon që të jetë në vështirësi. Sipas raportit të INSTAT përgjatë tremujorit të dytë ka pësuar përsëri një ulje të konsiderueshme me 1.7 përqind.Bujqësia, sektori që është përcaktuar shpesh si një mundësi për shpëtimin prej krizës, këto muajt e fundit të vitit ka pësuar një rritje me 3.4 përqind. Transporti është sektori që ka pasur rritjen më të lartë përgjatë tremujorit të dytë.

Aktiviteti i transportit në tremujorin e dytë të vitit 2011-të u rrit me 14.9 përqind krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë dhe pati një rritje me 3.4 përqind ndaj tremujorit para-ardhës. Kohët e fundit INSTAT u akuzua për mosbotimin e të dhënave për ecurinë e ekonomisë së vendit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›