Konkurrenca: AKEP të ketë kujdes pas bashkimit të Eagle Mobile me Albtelekomin
Pas bashkimit të dy operatorëve të telefonisë si kompani biznesi të Albtelekomit dhe Eagle Mobile, Autoriteti i Konkurrencës rekomandon Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare, që në autorizimin përkatës të kërkojë nga shoqëria pas bashkimit: ndarjen e llogarive për telefoninë fikse dhe atë të lëvizshme, e cila do të bëjë të mundur verifikimin e burimit të gjenerimit të të ardhurave për të siguruar parimin e diskriminimit; detyrimin e transparencës, detyrimin për akses dhe interkonjeksion dhe përdorimin e përbashkët të faciliteteve të tregut përkatës. Shoqëria pas bashkimit duhet të ofrojë akses dhe interkonjeksion në mënyrë të drejtë dhe të barabartë për të gjithë operatorët ekzistues dhe potencialë në treg. Gjithashtu duhet të kihet kujdes sipas konkurrencës në lidhje me detyrimin e mosdiskriminimit. Ndërkaq, në rastin e ofertave të përbashkëta mes segmenteve të tregut të telefonisë fikse, celulare dhe shërbimit të internetit, operatori duhet t’i paraqesë dhe të marrë paraprakisht miratimin e AKEP-së për të siguruar mbrojtjen e konsumatorëve nga aplikimi i tarifave të padrejta dhe jotransparente.