E Shtunë, 31 Tetor 2026

AMF: Ligji i ri i sigurimeve, në mbrojtje të konsumatorit

SHKRUAN: Sabina Veizaj 30-12-2011 10:45

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka depozituar dje në Ministrinë e Financave draft-ligjin “Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit” Draft-ligji në fjalë ka si prioritet mbrojtjen e konsumatorit

Në çdo rast që vëren një papërputhshmëri mes kontratës së sigurimit dhe zbatimit të saj për sa i përket kushteve të nënshkruara në të me kompaninë e sigurimit, për çfarëdo kategori sigurimi mund t’i drejtohesh për ankimim Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, në qoftë se shoqëria e sigurimit nuk të përgjigjet. Draft-ligji i ri “Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit” i hartuar nga ky institucion dhe i diskutuar me grupet e interesit, që i është dërguar dje Ministrisë së Financave dhe shumë shpejt do të shkojë në Kuvend, parashikon mbrojtjen e konsumatorit nga çdo padrejtësi e mundshme e shkaktuar nga kompanitë e sigurimeve. Me ligjin e ri, kompanitë e sigurimeve janë të mbikëqyrura në vazhdimësi, ndryshe nga ligji i mëparshëm që diktonte auditimin e kompanive pas sinjaleve të marra për abuzime. Referuar draft-ligjit në fjalë, nëse i siguruari gjykon se shoqëria e sigurimit nuk u përmbahet kushteve të vendosura në kontratën e sigurimit, ai mund të paraqesë një ankesë pranë shoqërisë së sigurimit. Shoqëria e sigurimit është e detyruar t’i përgjigjet çdo ankese të depozituar me shkrim apo në formë elektronike nga i siguruari apo persona të tjerë të interesuar, dhe jep çdo informacion të kërkuar që ka lidhje me kontratën e sigurimit brenda 15 ditëve punë nga data e marrjes së kërkesës në fjalë. Shoqëria e sigurimit, sipas ligjit të ri, është e obliguar të krijojë një sistem të brendshëm për trajtimin e ankesave dhe procedura të brendshme për trajtimin dhe zgjidhjen e këtyre ankesave. Ankesat e të siguruesve trajtohen në mënyrë të paanshme dhe brenda afatit. Gjithashtu, i siguruari ka të drejtë t’i drejtohet Autoritetit për çdo pakënaqësi të trajtimit të ankesës së tij nga shoqëria e sigurimit. Nga ana e tij, Autoriteti kur e gjykon të nevojshme, i kthen për rishqyrtim shoqërisë së sigurimit çështjen e ankimuar dhe brenda kompetencave të tij mbikëqyrëse ka të drejtë të kontrollojë nëse shoqëria e sigurimit zbaton praktikat e mira dhe rregullat profesionale. Procedurat dhe shqyrtimi i ankimimit përcaktohen me rregullore nga ana e Autoritetit. Draft-ligji në fjalë parashikon edhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Në këtë rast, shoqëria e sigurimit vendos procedurën e përshtatshme për zgjidhjen jashtëgjyqësore të mosmarrëveshjeve ndërmjet të siguruarve, policë-mbajtësve apo konsumatorëve me shoqërinë e sigurimit apo ndërmjetësit. Shoqëria e sigurimit publikon informacionin për rregullat e zgjidhjes jashtëgjyqësore të mosmarrëveshjeve si pjesë e kushteve të kontratës së sigurimit. Sipas draft-ligjit, në rastet e lindjes së mosmarrëveshjes për shkak të keqinterpretimeve të kushteve të kontratës së sigurimit, të hartuara nga siguruesi, zgjidhja e mosmarrëveshjeve do të bëhet duke interpretuar kushtet në favor të të siguruarit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›