E Diel, 1 Nëntor 2026

Buxheti i Tiranës, Bashkia: Opozita votoi kundër qytetarëve

SHKRUAN: Jonida Tashi 30-12-2011 10:57

Tabaku: Konflikti politik ka penguar progresin dhe ecjen përpara për shumë gjatë, dhe kjo nuk do të ndihmojë aspak për ta bërë Tiranën një qytet më të mirë

Votat e këshilltarëve të majtë kundër buxhetit të kryeqytetit për vitin 2012, Bashkia e Tiranës i ka cilësuar si të diktuara nga axhenda politike dhe që nuk përkrahin interesat e qytetarëve. Pas miratimit të buxhetit të ri për Tiranën, mesnatën e së mërkurës, vetëm me 29 votat e mazhorancës, drejtues të Bashkisë së Tiranës shprehin keqardhje për qëndrimin e socialistëve në Këshillin bashkiak. “Këshilli bashkiak miratoi dje (pardje) buxhetin për vitin 2012, për herë të parë pas dy vitesh. Ky buxhet u realizua me një konsultim të gjerë dhe mijëra qytetarë u përfshinë në këtë proces përmes 11 takimeve të kryetarit të Bashkisë me banorët e 11 njësive vendore, përgjatë dy javëve të fundit. Kryetari i Bashkisë gjen rastin t’i falënderojë të gjithë qytetarët që morën pjesë në këto takime, për kontributin që dhanë dhe për kohën që shpenzuan, për të bërë të mundur që zëri i tyre të dëgjohet. Mbrëmë, (parmbrëmë) për fat të keq, disa anëtarë të Këshillit bashkiak zgjodhën të votojnë kundër këtij buxheti dhe kundër zërit të qytetarëve, thjesht për hir të konfliktit politik dhe axhendës personale”, - deklaroi dje në një konferencë për shtypin nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Jorida Tabaku. Ajo theksoi se konflikti politik ka penguar progresin dhe ecjen përpara për shumë gjatë, dhe kjo nuk do të ndihmojë aspak për ta bërë Tiranën një qytet më të mirë. “Kryetari i Bashkisë do të kërkojë pareshtur konsensusin e të gjithë anëtarëve të Këshillit bashkiak, por vjen një moment kur kemi të bëjmë me dy zgjedhje: të ndihmojmë për ta bërë Tiranën një qytet më të mirë duke punuar së bashku, apo të ndjekim axhendën e konfliktit politik. Çdo këshilltar do të duhet të vendosë vetë për rrugën që do të ndjekë. Për fat të mirë, mazhoranca në këshill e kaloi mbrëmë buxhetin, duke krijuar mundësinë për më shumë investime në Tiranë, më shumë rrugë të rregulluara, më shumë shkolla, çerdhe e kopshte, më shumë ndihmë dhe asistencë për personat në nevojë”, - u shpreh Tabaku. Sipas saj, ky buxhet krijon një bazë të fortë për një Tiranë moderne dhe europiane, për ta bërë qytetin një vend më të mirë për të punuar, për të jetuar dhe për t’u shijuar. Pas orëve të gjata diskutimi dhe ndërprerjeve të mbledhjes, me 29 votat e mazhorancës në këshill dhe kundërshtimin e 25 anëtarëve të opozitës, u miratua mbrëmjen e së mërkurës buxheti i vitit 2012 për Tiranën. Këshilltarët e së majtës në bashki e kanë quajtur këtë buxhet si bosh dhe politik, duke akuzuar se fondet nuk janë të shpërndara në bazë të projekteve. Me një vlerë totale prej 70 milionë dollarësh, buxheti parashikon 50% investime të reja, por do të ketë edhe vazhdimësi ndërhyrjesh nga projektet e nisura më herët.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›