Institucion riedukimi në Gjirokastër
Një institucion riedukimi do të ndërtohet në rrethin e Gjirokastrës brenda këtij viti. Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Drejtësisë, e cila ka dhënë miratimin për ndërtimin e burgut të sigurisë së lartë në Komunën Cepo. Kjo e fundit ka vënë në dispozicion një sipërfaqe trualli prej 7.7 ha për ndërtimin e godinës gjigante në të cilën do të punësohen pas mbarimit të saj rreth 4 mijë persona. Kryetari i Komunës Cepo, Dragush Logli, tregon se "ndërtimi i burgut do krijojë hapësira punësimi jo vetëm për banorët e komunës në fjalë, por edhe të rajoneve përreth, pasi në fazën e parë, pra në atë të ndërtimit, do të punësohen 5 mijë veta, ndërsa pas përfundimit, do të punojnë me kohë të plotë dhe të kufizuar 4 mijë persona". Gardianë burgu, sanitare, mjekë, punonjës socialë, psikologë etj., do të përbëjnë armatën e të punësuarve në burgun e ri të Kardhiqit. Vlera e ndërtimit të burgut është 18 milionë euro, fonde këto të siguruara nga qeveria shqiptare prej Komunitetit Evropian dhe parashikohet të jetë me standarde bashkëkohore. Mbështetur në parametrat evropianë, burgu është projektuar të ndërtohet në një sipërfaqe të dukshme nga të katër anët i pakufizuar nga terrene malore. Në ndryshim nga praktika e deritanishme, ai do të shërbejë edhe për kontingjentin e të paraburgosurve, të cilët presin gjykimin nëpër ambientet e komisariateve të policive. Vendi që do të ndërtohet institucioni i riedukimit, siç tregon kryetari i Komunës së Cepos është rreth 6 km larg rrugës nacionale Gjirokastër-Kakavijë dhe vetëm 300 metra pranë aksit të ri që po ndërtohet Gjirokastër-Sarandë. Ai do të ndërtohet në një sipërfaqe djerrë në fushën e Kardhiqit në vendin e quajtur "revole".