E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konkursi në Universitetin e Durrësit, maturantët me kontrata pune

Maturantët që konkurrojnë këtë vit për në Universitetin e Durrësit për shkollën 3-vjeçare duhet të njohin mirë gjuhën angleze dhe të kenë një kontratë pune me një firmë private. Specialistë të Ministrisë së Arsimit kanë deklaruar për "Shqip" se janë caktuar kriteret e reja të konkurrimit për studentët e Akademisë Profesionale. Në bazë të një marrëveshjeje me gjermanët për herë të parë çelet në tetor, Akademia Profesionale në Universitetin e Durrësit. Në këtë Akademi, kandidatët për studentë kanë tri mundësi zgjedhjeje. Të studiojnë për turizëm, sistem bankar ose ndërtim. Këto janë degët që çelen këtë vit akademik.

Të interesuarit për këto degë duhet të lidhin paraprakisht një kontratë pune me një hotel nëse konkurrojnë për turizëm, me një bankë nëse konkurrojnë për sistem bankar dhe me një firmë ndërtimi nëse konkurrojnë për ndërtim. Po kështu, kriter pranimi është gjuha e huaj anglisht, e cila duhet të jetë me dëshmi. Gjithashtu, kusht është edhe mosha. Specialistët e arsimit thanë për "Shqip" se preferohen të rekrutohen 18-vjeçarë, pra ata që mbarojnë këtë vit maturën. Por nuk përjashtohet mundësia e pranimit edhe për ata që kanë mbaruar të mesmen një apo dy vite më parë. Kjo në varësi të kërkesave që do të paraqiten për këto degë. Të interesuarit duhet të regjistrohen pranë Universitetit të Durrësit për degët e Akademisë Profesionale.

Të diplomuarit e Akademisë Profesionale do të marrin diplomë me 180 kredite të akorduara nga sistemi evropian i transfertës së krediteve. Ndërsa kjo Akademi do të akreditohet nga qeveria e Republikës së Shqipërisë, si dhe nga një prej Agjencive Gjermane të Akreditimit.

Sipas marrëveshjes së nënshkruar pak kohë më parë mes qeverisë shqiptare dhe asaj gjermane, kjo e fundit do të financojë 1.000.000 euro për një periudhë 2.5-vjeçare. Kontributi i shtetit gjerman do të jetë në ekspertizë teknike dhe menaxhim të kualifikuar, si dhe një sërë profesorësh. Ata do të qëndrojnë për afate të shkurtra kohe në këtë universitet dhe do të kontribuojnë për trajnimin e stafit shqiptar. Ndërsa Ministria e Arsimit zotohet të krijojë kushtet ligjore dhe administrative për hapjen e Akademisë Profesionale pranë Universitetit të Durrësit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›