E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shuhen kandilat, Krishti u ngjall

Besimtarët ortodoksë do të kremtojnë sot festën e Pashkës, ditën e ringjalljes së Krishtit. Përgatitjet për kremtimin e kësaj feste nisin në mesin e javës dhe kurorëzohen sot me të Dielën e Shenjtë të Pashkës. Besimtarët u gjendën në kishë pak përpara mesnate kur filloi Vigjilja e Pashkës, që në shumë raste quhet Shërbesa e Mesnatës. Ky është procesioni i kalimit të shenjtë prej vdekjes në jetë, prej tokës në qiell, prej kësaj jete në atë që do të vijë. Besimtarët ortodoksë morën mesazhe në orën 23:00 dhe 24:00 të mbrëmjes nga Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i së gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Anastasi në Katedralen e Ungjillizimit në Tiranë. Gjatë ditës së sotme në tryezat e besimtarëve ortodoksë shtrohet dreka e Pashkës, ku traditë janë vezët e kuqe.

Vigjilja e Pashkës filloi pak para mesnate. Sipas zakonit të vjetër mbas Kanonit shuhen të gjithë kandilat e kishës përveç kandilit të pashuar të altarit. Më pas fillon Shërbesa e Ngjalljes, ku prifti është në altar dhe merr qiriun e Pashkës dhe e ndez në kandilin e pashuar. Ndërsa në mesnatë fillon procesioni i Pashkës. Populli del nga kisha duke kënduar, "ngjalljen tënde o Krisht shpëtimtar engjëjt në qiell e hymnojnë, vlerësona edhe ne përmbi dhenë me zemër të pastër ty të lavdërojmë". Gjatë shërbesave asgjë nuk është vetëm thjesht e lexuar, çdo gjë këndohet me meloditë e gëzuara të festës. Mesha Hyjnore e Pashkës filloi menjëherë, duke kënduar përsëri troparin e festës me vargjet e psalmit 68.

Ky procesion i besimtarëve ortodoksë gjatë mesnatës të kujton procesionin pagëzimor prej errësirës dhe vdekjes së kësaj bote në dritën dhe jetën e Mbretërisë së Perëndisë që kryhej në kishën e vjetër. Më pas këndohet Ungjilli i Ngjalljes, i cili është bërë zakon të këndohet në një vend të caktuar jashtë kishës.

Populli hyn sërish në kishë dhe vazhdon shërbesa e Mëngjesores së Pashkës, e cila këndohet e gjitha. Mëngjesorja e Pashkës dhe Mesha Hyjnore u kremtuan së bashku me orët e para të ditës së parë të javës me qëllim që t‘i japë njerëzve përvojën e krijimit të ri të botës dhe t‘i lejojë ata të hynë mistikërisht në Jerusalemin e ri, i cili shkëlqen përjetësisht me dritën e Krishtit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›