Institucionalizimi ndërkombëtar i krizës politike Nga “Faktori Plus”Kriza politike shqiptare është kthyer tani në një axhendë të institucioneve evropiane. Projekt-Raporti i Këshillit të Evropës mbi gjendjen e institucioneve demokratike në Shqipëri e
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Institucionalizimi ndërkombëtar i krizës politike Nga “Faktori Plus”Kriza politike shqiptare është kthyer tani në një axhendë të institucioneve evropiane. Projekt-Raporti i Këshillit të Evropës mbi gjendjen e institucioneve demokratike në Shqipëri e përshkruan Shqipërinë në prag të destabilizimit dhe bën thirrje për një zgjidhje urgjente të krizës politike. Projekt-Raporti pritet t’i propozojë Parlamentit të Këshillit të Evropës, të ngrihet një komision hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit, të fuqizohet roli i presidentit Topi si negociator dhe të hapet kështu rruga për rikthimin e opozitës në parlament. Pavarësisht mënyrës se si qeveria po reagon ndaj kësaj projekt-rezolute, është e sigurt se ajo është ndjerë keq nga fakti se kriza politike, të cilën Berisha ka dashur ta injorojë, tani është kthyer në axhendë të institucioneve më të rëndësishme politike evropiane. Kjo natyrisht është një goditje për mënyrën se si Berisha ka dashur ta anashkalojë këtë krizë, duke u marrë me elementë anësorë dhe duke personalizuar betejën me liderin e opozitës.
Tanimë Berisha ka dy rrugë. E para, të pranojë projekt-rezolutën dhe të ulet në bisedime me zotin Rama, dhe e dyta, të nisë miliona euro në adresë të lobistëve të vet dhe të ndryshojë projekt-rezolutën në sesionin e parlamentit që mbahet javën e ardhshme. Rruga e parë do të ishte më dinjitoze, pasi do t’i rikthente autoritetin e humbur politikës shqiptare dhe do ta shpëtonte vendin nga një përplasje, e cila mund t’u kushtojë rëndë të gjitha palëve. Rruga e dytë, ajo e aktivizimit të milionave të zeza për të lobuar kundër Projekt-Rezolutës në Strasburg, do të mund t’i japë Berishës ndonjë koncesion të përkohshëm, por do ta acarojë dhe më keq krizën politike këtu. Rekomandimet e grupit të reporterëve, të cilat fokusohen te gjetja e gjuhës së përbashkët dhe roli i forcuar i presidentit Topi, janë rekomandime që kanë të bëjnë me krijimin e një demokracie funksionale në vend dhe rikthimin e autoritetit të institucioneve.
Duke parandier rrezikun e mos-dëgjueshmërisë nga politika shqiptare, reporterët e Këshillit të Evropës kanë parashtruar dhe hapat e tjerë që mund të ndërmerren në rast të mosfunksionimit të propozimit të tyre. Ata propozojnë dërgimin në Shqipëri të kryetarëve të grupeve parlamentare respektive, popullorë dhe socialistë, më pas kryetarët e gjithë grupeve parlamentare dhe në fund fare vetë kreun e Këshillit të Evropës me grupin e reporterëve. Nëse situata shkon deri këtu, atëherë kriza politike shqiptare do të hyjë në spiralen e axhendës evropiane dhe kostoja, sidomos për qeverinë, do të rritet dhe më shumë. Është në interes të saj ta zgjidhë atë pa e kthyer në plan pune të komunitetit ndërkombëtar, njësoj si krizën e vitit 1997.