SHISH do hetojë korrupsionin, do verifikojë dhe vlerësojë administratënNga TemaShërbimi Informativ Shtetëror do të hetojë tani e tutje dhe korrupsionin. Qeveria miratoi disa ndryshime në ligjin për funksionimin e këtij institucioni. Berisha tha se
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
SHISH do hetojë korrupsionin, do verifikojë dhe vlerësojë administratënNga TemaShërbimi Informativ Shtetëror do të hetojë tani e tutje dhe korrupsionin. Qeveria miratoi disa ndryshime në ligjin për funksionimin e këtij institucioni.
Berisha tha se tashmë SHISH do të ketë të drejtë të bëjë vlerësimin e atyre që punojnë nëpër zyra të ndryshme.
“Këto ndryshime synojnë të përshtatin objektivat e punës së Shërbimit me kërkesat e kohës, me kërkesat e mëdha që shtrohen para vendit pas anëtarësimit në NATO, por edhe në procesin e integrimit të tij në Bashkimin Evropian. Në objektin e punës qartësohet më mirë detyra e Shërbimit për të ndihmuar, ndonëse ndihmon, agjencitë e zbatimit të ligjit në luftën kundër krimit të organizuar, shtohet një objektiv i ri, lufta kundër korrupsionit të personit publik. Korrupsioni është një kancer, ai duhet të luftohet. Shërbimi ka dhënë një kontribut në këtë drejtim, por, natyrisht, nuk ka qenë objektiv direkt i punës së tij. Shtohet certifikimi i personave mbi bazën e ligjit. Shërbimi Informativ Shtetëror do të ketë detyrën e “retingut”, kjo është e domosdoshme sidomos pas anëtarësimit në NATO, të kategorive të caktuara të punonjësve, që punojnë në zyra delikate dhe vende delikate. “Retingu” do të bëhet mbi bazën e një ligji që do të miratohet së shpejti, do të vijë në qeveri, do të kalojë në parlament dhe po përpiqemi të marrim një model të një vendi demokratik. Natyrisht, “retingu” qartësisht do të jetë e drejtë ekskluzive e Shërbimit Informativ Shtetëror, por do të jetë e drejtë e çdo qytetari të kundërshtojë me gjykatë, jemi një vend i lirë, në qoftë se gjykon se nuk është objektiv certifikimi që i është bërë”, - tha Berisha.
Është miratuar gjithashtu dhe kufizimi i mandatit të kryetarit të SHISH.
“Ndryshimet në ligjin e Shërbimit Informativ Shtetëror janë dy të tjera. Nuk ka ndryshuar mënyra e emërimit të drejtorit dhe zëvendësdrejtorit, ndonëse Kushtetuta përcakton qartë se Presidenti i Republikës emëron kryetarin apo drejtorin, në asnjë rast nuk parashikon Kushtetuta që presidenti të emërojë zëvendës. Por e gjykova të arsyeshme të mbetet kështu siç është, për një arsye: Në rrethana të caktuara shëndetësore apo shërbimi, do të jetë zëvendësi që do të zëvendësojë drejtorin. Atëherë gjykova se për hir të kësaj mund të ruhet e njëjta procedurë aktuale ligjore e emërimit të drejtorit dhe zëvendësit, pra propozohen nga kryeministri dhe emërohen nga Presidenti i Republikës. Ka një shtesë të rëndësishme në këtë proces. Shtesa është kjo: Kryeministri, para se t’i propozojë, duhet të marrë miratimin e Komisionit parlamentar të Sigurisë, një praktikë koherente në shumë nga ligjet e shërbimeve. Për këtë praktikë në Shqipëri, me shumë të drejtë, parlamenti ka vendosur procesin e “hearingut”, proces, të cilit i nënshtrohen çfarë janë emërtesë e institucioneve kushtetuese. Shërbimi nuk është i kësaj kategorie, por komisionet parlamentare dhe komisioni i Jashtëm kanë krijuar me ligj traditën e vlerësimit të ambasadorëve. Ndaj edhe e gjykoj të domosdoshme që kryeministri, edhe për transparencë, por edhe për detyrim, pasi ka një moment: në të gjitha ligjet e vendeve të lira, në qoftë se bëhet fjalë për kontroll absolut mbi shërbimin, ai kontroll ushtrohet nga komisioni parlamentar respektiv. Natyrisht, në këtë ligj dhe në shumicën e ligjeve të tjera, shërbimi varet nga kryeministri i vendit, çka do të thotë se ai ka të gjitha përgjegjësitë e një institucioni që varet prej tij. Por ligji i një vendi demokratik përcakton kontrollin që ushtron Inspektori i Përgjithshëm. Inspektori i Përgjithshëm i Shërbimit duhet të kontrollojë gjerësisht, sikundër ligji i jep të drejtën drejtorit të Shërbimit, që në çështje të caktuara të mos i përgjigjet, por të informojë kryeministrin për çështjen. Ligji i jep Komisionit parlamentar të Çështjeve të Sigurisë të drejtën e kontrollit të plotë në çdo shërbim. Natyrisht, i përket parlamentit të përzgjedhë praktikën më të mirë të këtij kontrolli, pasi ky nuk është një kontroll publik. Duhet të kuptohemi, ky është një kontroll që bëhet, por edhe ligji ekzistues, e parashikon kontrollin e parlamentit”, - tha Berisha.
“Një ndryshim tjetër, në ligj përcaktohet qartë se shërbimi nuk mund të ushtrojë asnjë veprim në favor të një partie politike. Pra ligji dhe Kushtetuta janë, por ndërkohë përcaktohet edhe një ligj, nuk mund të ushtrojë veprimtarinë në favor të një partie politike. Ligji ka edhe ndryshim tjetër, përcakton afatin 5-vjeçar të mandatit të drejtori dhe zëvendësdrejtorit. Nuk ekziston në asnjë vend të lirë drejtor apo zëvendësdrejtor pa mandat të caktuar. Për më tepër kur në disa aspekte, ligji e barazon me ministrin. Mandati 5-vjeçar me të drejtë përsëritjeje një herë është propozuar për të dy, si për drejtorin, ashtu edhe zëvendësin, pasi e thashë edhe një herë, është ruajtur e njëjta praktikë në emërimin e tyre, dhe kjo është ruajtur për arsyen, sepse sens nuk bën, duhet të jemi realistë, nuk mund të ketë zëvendësi të njëjtën praktikë me drejtorin, por meqenëse është përcaktuar në ligj se zëvendësi zëvendëson drejtorin gjer në tre muaj, kur ai mungon për arsye shëndetësore, atëherë u mendua që të lihet e njëjta praktikë.”
Shërbimi Informativ i Shtetit ka për detyrë:
a) Të mbrojë sigurinë kombëtare, në veçanti, mbrojtjen kundër kërcënimeve nga spiunazhi, terrorizmi dhe sabotazhi, si dhe nga veprimet që synojnë përmbysjen e sistemit të demokracisë parlamentare;
b) Të mbledhë informacion për prodhimin, trafikimin e armëve e të lëndëve narkotike, trafikimin e qenieve njerëzore, si dhe për krimet kundër mjedisit;
c) Të mbledhë informacion për njohjen, zbulimin, parandalimin e krimit të organizuar, të kontrabandës, pastrimit të parave, si dhe për korrupsionin e personave që ushtrojnë funksione publike;
ç) Të mbështesë veprimtarinë e forcave policore dhe të agjencive të tjera të zbatimit të ligjit, për parandalimin e krimeve të rënda;
d) Të mbledhë, me miratimin e kryeministrit, informacion për shërbimet e inteligjencës së shteteve të tjera;
dh) Të mbrojë sigurinë e veprimtarisë së vet, të informacionit, të punonjësve dhe të pasurisë, me mjete të përshtatshme, përfshirë verifikimin dhe kualifikimin e kandidatëve, të të punësuarve e të kontraktuesve;
e) Të certifikojë personat, sipas përcaktimeve ligjore;
ë) Të kryejë veprimtari mbështetëse tekniko-administrative, sipas nevojave, për realizimin e funksioneve të mësipërme.
PS: Berisha do të vërë nën kontroll SHISH
Partia Socialiste i komentoi ndryshimet në ligjin për funksionimin e Shërbimit Informativ Shtetëror si një përpjekje të Berishës për të futur duart në këtë institucion.
“Sot, Sali Berisha vijoi me kërcënimin e radhës ndaj një tjetër institucioni të rëndësishëm kushtetues. Sot, kryeministri i votave të vjedhura na e bëri të qartë se kërkon të deformojë e të vërë nën kontroll edhe Shërbimin Informativ Kombëtar, duke e maskuar këtë përpjekje pas gjoja nevojës për ndryshime e reforma.
Fatmirësisht sot, të gjithë shqiptarët e mbajnë ende mend SHIK e kontrolluar nga Sali Berisha dhe janë të vetëdijshëm se ç’pasoja do të ketë një zhvillim i tillë për demokracinë e brishtë shqiptare. Pikërisht për këto arsye, Partia Socialiste nuk mund të lejojë që një institucion kaq i rëndësishëm të shndërrohet në një vegël të qeverisë, prandaj do ta kundërshtojë me forcë këtë përpjekje të fundit të kryeministrit, e cila përbën një arsye më shumë për të kërkuar largimin e Sali Berishës”, - tha deputetja e PS, Shega Ligori.