Taçi jep 2. 5 milionë euro për të reklamuar errësirën e BerishësNga Tema Ishte cilësuar një udhëtim i çuditshëm drejt Shqipërisë ai i Realit të Madridit, dhe ashtu ka përfunduar. Yjet e ekipit më të madh në botë kanë udhëtuar drejt vendit t
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Taçi jep 2. 5 milionë euro për të reklamuar errësirën e BerishësNga Tema
Ishte cilësuar një udhëtim i çuditshëm drejt Shqipërisë ai i Realit të Madridit, dhe ashtu ka përfunduar. Yjet e ekipit më të madh në botë kanë udhëtuar drejt vendit tonë për të dhënë një shfaqje më shumë sesa një ndeshje sportive, por kanë përfunduar duke dhënë një shfaqje në gjithë botën për vendin më të varfër në Evropë.
Për më shumë se një orë lojtarët më të paguar të botës kanë qëndruar në errësirë, për shkak të një defekti në transformatorin që furnizon me energji stadiumin. Vetë ministri i Energjitikës, Dritan Prifti, ka qenë në stadium dhe kjo e ka bërë më qesharake situatën. Ashtu si në republikat afrikane, ai është parë të japë urdhra për situatën nga stadiumi. Në fund ka pasur dhe një “viktimë”. Ai ka qenë drejtori i stadiumit, Perikli Dhales, që është akuzuar si fajtori kryesor, për shkak se nuk ka arritur të sigurojë një gjenerator për stadiumin. Por kjo nuk ka shans të zbusë imazhin e keq dhe shijen e hidhur që do krijojë në botë kjo ngjarje. Shqipëria e varfër ishte reklama që dha Taçi, duke paguar 2.5 milionë euro. I akuzuar për evazion nga vetë qeveria, pasi mori në mënyrë skandaloze një pasuri të shqiptarëve, ai vazhdon të abuzojë me pará që duhet të ishin në arkën e buxhetit.
Megjithatë, mazhoranca nuk ka hezituar që të deklarojë se mund të kenë qenë konkurrentët e Taçit që e kanë stisur këtë situatë. Vetë ministri i Kulturës dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferri, nuk e ka mohuar këtë gjë.
***
Pjesa e parë e ndeshjes ka përfunduar me rezultat të barabartë, pasi yjet e Realit kanë vazhduar shfaqjen e tyre, duke u kujdesur më shumë për këmbët sesa për ndeshjen. Por në pushim të ndeshjes ka ndodhur skandali. Lojtarët janë detyruar të vishen e zhvishen disa herë, ndërsa në mënyrë të paturpshme lajmërohej se ndeshja do të nisë në pak minuta. Autobusi i yjeve të Madridit është afruar pranë hyrjes për të marrë lojtarët, ndërsa ka pasur jo pak tension dhe frikë ndër ta. Ka qenë pagesa prej 2.5 milionë eurosh që ka bërë që ata të presin e më pas të zbresin për të përfunduar ndeshjen dhe për të marrë atë që tifozët e tyre e quajnë me ironi “Kupa e naftës” duke fituar 2 me 1.
***
Reali kishte parashikuar një axhendë shumë të ngjeshur, për t’u larguar sa më parë nga vendi i çuditshëm, por edhe në këto pak orë, atyre nuk u ka munguar incidenti. Edhe sikur të mos ishte ai, mediet e shumta spanjolle kanë rezervuar shumë kritika për fushën ku u luajt ndeshja, duke e quajtur atë një fushë ferme. Sipas gazetës AS, lojtarët e Realit shkëlqyen në gjysmerrësirë. Nuk kanë munguar as etiketimet se, kështu është Shqipëria, në sajtin e radiotelevizionit publik.
Agjencitë më të mëdha në botë i kanë kushtuar hapësirë këtij skandali. Reuters thotë se Kaka e Ronaldo pritën më shumë se një orë e 20 minuta për të ardhur dritat, ndërsa fansat acaroheshin në stadium dhe hidhnin gjëra në fushë.
Ndërsa mediet italiane, pasi theksojnë faktin se, Reali luan në errësirë, kanë deklaruar se kjo po i ndodh njeriut që deshi të blinte Bolonjën, por që u tërhoq pa dhënë asnjë shpjegim. “La Repubblica” shkruan se Taçi u zhduk 24 orë përpara nënshkrimit të kontratës.
Në mediet gjermane thuhet se Reali do përfitojë një shumë jashtëzakonisht të madhe në një vend të varfër. Sipas tyre, nuk dihet se kundër kujt do luajë Reali, por kjo nuk ka rëndësi.
***
Rezart Taçi ka bërë kujdes që të theksohet sa më shpesh fakti që të ardhurat e ndeshjes do shkojnë për të prekurit nga përmbytja. Por, e thënë kështu, ajo shpesh është keqkuptuar se edhe 2.5 milionë eurot do jenë për zonat e përmbytura. Në fakt, vetëm çmimet e biletave do shkojnë për të përmbyturit. 2.5 milionë euro janë të destinuara për një nga klubet më të pasura në botë.
PS: Berishën e ndjekin fatkeqësitë dhe tersllëqet
Pas skandalit të dritave në ndeshjen Real Madrid- Gramozi i Ersekës, ka reaguar dhe opozita. Deputeti i saj, Eduard Shalsi tha se kjo qeveri dhe Sali Berisha sjellin vetëm fatkeqësi dhe tersllëqe.
“Ky njeri, që e ka emrin Sali Berisha, jo vetëm që nuk di të nxjerrë qimen nga qulli në çështjet e qeverisjes dhe punëve të shtetit, por paska pasur qimen e derrit, duke sjellë fatkeqësi dhe tersllëqe. Sot, edhe pse në një ditë festive, siç duhet të ishte ndeshja me Realin e Madridit, na bëri gazin e botës me mungesën e energjisë. Në vend që të menaxhojë dhe ulë kuotat e hidrocentraleve, Sali Berisha sot uli edhe një herë tjetër kuotat e shqiptarëve”, - tha Shalsi.
Topi pret drejtuesit e Realit: Ky eveniment forcon imazhin e Shqipërisë
Presidenti i Realit të Madridit, Florentino Perez, drejtues dhe ish-futbollistë të klubit sportiv spanjoll u pritën dje nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi.
“Ju vini në një moment kur Shqipëria është tërësisht e fokusuar në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian. Kështu që edhe ky eveniment e forcon imazhin e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e familjes evropiane. Ju e dini fare mirë që kemi edhe një mision tjetër, në kohën kur Veriun e Shqipërisë ka mjaft zona të përmbytura, të cilat gradualisht po dalin nga ajo situatë, ju vini edhe për të shprehur solidaritetin. Ky solidaritet ekziston edhe te ne në favor të institucioneve të përmbytura. Një element të ri solidariteti e mësova edhe pak minuta më parë, për të cilin ju falënderoj shumë edhe në emër të banorëve të atyre zonave, të cilët me shumë fisnikëri dhe kurajë e përballuan këtë situatë dhe kjo është arsyeja që ata meritojnë solidaritet gjithnjë e më shumë”, - tha Topi. Ndërsa presidenti i Realit ka premtuar se do të ngrihet një shkollë futbolli në veri.
“Dhe për këtë dua t’i them Presidentit të Republikës që do të punojmë me Ambasadën spanjolle në Shqipëri për të krijuar një shkollë futbolli në zonat e prekura nga përmbytjet në Veri të Shqipërisë që nëpërmjet futbollit dhe fanellës së Realit të Madridit të ndihmojnë për të përmbushur nevojat parësore që mund të kenë këta fëmijë. Këto shkolla futbolli, që krijojmë me fondacionin “Real Madrid”, janë elementë të solidaritetit dhe ky është një detyrim që ne e ndiejmë si klub”, - tha Perez.