Institucionet Publike nuk janë të hapura sa duhet me qytetarë

Institucionet Publike nuk janë të hapura sa duhet me qytetarë kur ata kërkojnë ndonjë informacion apo dokument për çështje të caktuara. Por edhe kërkesat e qytetarëve për qasje në informacion dhe dokumente publike në të shumtën e rasteve i takojnë materialeve që kanë të bëjnë me individ. Të dhënat dolën nga tryeza e organizuar nga Avokati i Popullit Sami Kurteshi, mbështetur nga OSBE.
Ndonëse ekzistojnë ligjet për të drejtën e qasjes në dokumentet publike, këto të drejta nuk zbatohen nga institucionet publike në Kosovë. Këtë konstatim e nxjerr, Qendra për Politika dhe Avokim. Shqipe Pantina tha se legjislacioni aktual sqaron mjaft mirë se çfarë mund të jetë në dispozicion të qytetarit dhe çfarë jo.
“Legjislacioni shkon edhe më tutje duke ofruar edhe udhëzues për zyrtarët për qasje në dokumente publike se si ata duhet të merren apo t’i trajtojnë kërkesat që vijnë nga publiku për qasjen në dokumentet publike” , tha Pantina.
Enver Peci, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, bëri të ditur se Gjyqësori e ka më të vështirë të përgjigjet në kërkesat e publikut, nga frika se mund të zbulohen të dhënat personale, që po ashtu mbrohen me ligj. Edhe Avokati i Popullit, Sami Kurteshi ka pranuar se kërkesat e qytetarëve për qasje në dokumentet publike kanë të bëjnë me materiale të cilat lidhen me individë, raporton rtk.
“Kërkesat janë më tepër për të dhëna personale dhe jo për çështje shoqërore po ashtu më tepër ka kërkesa nga shoqëria civile dhe mediat. Numri i kresave të qytetarëve është shumë, shumë i vogël dhe mund të them se ka një fjetje të qytetarit në raport me dokumentet publike dhe kjo duhet të na shqetësoj të gjithëve” , tha Kurteshi.
Megjithatë, nga institucionet më të mbyllura karshi kërkesave të qytetarëve për qasje në dokumentet publike, prijnë komunat u tha në takimin e Avokatit të Popullit dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile./Indeksonline/