Institucionet kulturore “kombëtarizohen” me emërtime

Institucioni më i lartë i artit pamor në vend ka ndryshuar emrin nga Galeria e Arteve e Kosovës në Galeria Kombëtare e Arteve.
Edhe balerinët e Kosovës, që deri kur kanë mbushur 40 vjet të funksionimit, janë quajtur Trupë e Baletit, tash janë “kombëtarizuar”. Emri i tyre zyrtar është Baleti Kombëtar i Kosovës. Prijës të këtyre dy institucioneve thonë se “kombëtarja” nuk ka të bëjë me konceptin e shqiptarisë. Por duke i quajtur kështu ata kanë bindjen se krijohet diferenca e institucioneve më të larta të artit që përfaqësojnë, shkruan Koha ditore.
Në Ministrinë e Kulturës thonë se ky është edhe në konceptin e tyre të punës. Ata duan që përmes emërtimit të ngritin një institucion në nivel të shtetit. Por për këtë pritet të ndryshohet baza ligjore.
Por në Qendrën Kinematografike të Kosovës thonë se ndonëse emri nuk është i përshtatshëm për natyrën e punës së institucionit, ata nuk e kanë ndërmend të përmendin fjalën “kombëtare” në emërtimin e ri të institucionit, i cili do të bëhet përmes ndryshimit të ligjit për të cilin po punohet. As në Muzeun e Kosovës nuk është diskutuar çështja e futjes së fjalës kombëtare në emërtimin e institucionit. Me ligj, ansambli “Shota” në emërtimin e vet e ka edhe fjalën “kombëtar” edhe “shtetëror”.
Por në paraqitjet e veta, Ansambli Shtetëror Kombëtar i Këngëve dhe i Valleve “Shota” herë përdor njërën fjalë, herë tjetrën. /Indeksonline/