Institucionet shtetërore kanë në shërbim 3138 makina që mbahen me taksat e shqiptarëve
Institucionet shtetërore, të pavarura apo ekzekutive, kanë në dispozicion, në total, një numër prej 3138 makinash. Këto automjete shtetërore përdoren kryesisht nga ministrat, zëvendësministrat dhe zyrtarët e tjerë të lartë, titullarët e institucioneve të pavarura dhe nëpunës të niveleve më të ulëta. Që të gjitha këto automjete i kushtojnë shtetit një shifër të majme parash, që sigurisht mblidhen nga taksat e qytetarëve shqiptarë. Këtu përfshihet jo vetëm mirëmbajtja e automjeteve, por paga e shoferëve, karburanti dhe përdorimi i tyre, ashtu sikurse dihet, jo vetëm për punët e shtetit. Presupozohet që numri i automjeteve është ulur ndjeshëm për shkak se nëpërmjet një vendimi u hoqën makinat e deputetëve dhe zyrtarëve të tjerë, të cilat u shitën me një çmim mjaft të ulët nga qeveria. Ky vendim ka hyrë në fuqi më 1 janar të këtij viti.
Vendimi
Bashkëlidhur me vendimin e qeverisë janë parashikuar të ndara në tabela numri i makinave që i përkasin çdo institucioni. “Numri i përgjithshëm i automjeteve, në dispozicion të çdo ministrie dhe institucioni qendror, të jetë 3138, ndarë, si më poshtë vijon: numri i përgjithshëm i automjeteve të institucioneve të pavarura, 200; numri i përgjithshëm i automjeteve të ministrive dhe institucioneve në varësi të Këshillit të
Ministrave, 2938”, - shkruhet në vendimin e qeverisë. Sipas këtij vendimi, numri i përgjithshëm i shoferëve, në dispozicion të çdo ministrie dhe institucioni qendror, është 1258 të tillë. Ky numër është i ndarë për shoferët që do të jenë në dispozicion të institucioneve të larta shtetërore të pavarura dhe shoferët që do të jenë në dispozicion të Këshillit të Ministrave, ministrive dhe agjencive të varura nga Ekzekutivi. “Numri i përgjithshëm i shoferëve të institucioneve të pavarura, 148. Numri i përgjithshëm i shoferëve të ministrive dhe institucioneve, në varësi të Këshillit të Ministrave, 1 110. Në numrin e automjeteve dhe shoferëve sipas pikës 1/b dhe 2/b, për Ministrinë e Mbrojtjes përfshihen vetëm automjetet dhe shoferët e aparatit të institucionit”, - shkruhet në vendimin e qeverisë. Ky vendim ngarkon të gjitha ministritë dhe institucionet që të japin me hollësi numrin e automjeteve, për çdo institucion, në varësi të tyre. Ngarkohen të gjitha ministritë dhe institucionet për zbatimin e
vendimit.
Hyn në fuqi ligji
Kryetarët e komunave do të japin licenca për shërbimet taksi
Brenda dy javëve hyn në fuqi ligji që u rikthen sërish kompetencën kryetarëve të komunave për dhënien e licencës së taksive. Ndryshimet në këtë ligj, të miratuara pak kohë më parë në Kuvend, janë botuar dje në Fletoren Zyrtare dhe brenda dy javëve hyjnë në fuqi. Kompetencat për lëshimin e licencave të shërbimit taksi i rikthehen kryetarit të komunës 3 vjet pasi i ishte hequr me ligj kjo e drejtë. Shkak për heqjen e licencave në vitin 2007 u bë operimi i taksive (8+1) jashtë rregullave të shërbimit duke sjellë dëmtim të tregut të transportit të udhëtarëve. Ndërsa ligji i ri i jep bashkisë dhe komunës të njëjtat të drejta përsa i përket transportit publik. Kufizimi në dhënien e numrit të licencave, apo dhe heqja e të drejtës së dhënies së licencave nga kreu i komunës nuk ka sjellë rezultatet që priteshin në tregun e shërbimit taksi. Roli kryesor për rregullimin e këtij shërbimi u mbetet organeve të kontrollit në rrugë, të cilët duhet të luajnë rolin e tyre të ngarkuar me ligj. Nëse një autoveturë e licencuar në shërbimin taksi e kryen ose jo këtë shërbim, duhet të vërtetohet nga organet e kontrollit në rrugë, të cilat kontrollojnë të gjithë tregun e transportit rrugor të udhëtarëve dhe të mallrave. Disa nga ndryshimet që janë bërë në projektligj janë pajisja e mjeteve të udhëtarëve dhe transportit me certifikatë. Në pikën 1 të nenit 1 dhe nenin 2 është parashikuar që edhe mjetet e transportit të udhëtarëve, si dhe mjetet e transportit të mallrave të pajisen me certifikatë operimi. Deri tani subjektet e pajisura me këto mjete kanë kryer veprimtarinë për llogari të vet në transportin e udhëtarëve pa regjistruar mjetet e tyre në treg. Në nenin 6 është bërë një ndryshim i kapacitetit transportues nga 500 kg në 1500 kg. Ky ndryshim ka ardhur si rezultat i ndryshimeve në tregun e transportit por edhe të mospërputhjes së masës së transportit të përcaktuar në ligjin në fuqi me përcaktimin e dhënë në pikën 2 , të nenit 82, dhe në pikën 2, të nenit 83, të Ligjit Nr. 8378, datë 22.7.1998. ”Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”. Ligji lejon kryerjen e transportit brenda territorit të Shqipërisë, nga një transportues i huaj “kabotazh”, që nuk ka selinë në Shqipëri edhe kur nuk parashikohet në marrëveshjen ndërkombëtare me shtetin, ku transportuesi i juaj ka selinë, vetëm për arsyer të emergjencës civile. Në nenin 8 të këtij ligji parashikohet gjobitja nga 100 000 deri 200 000 lekë, ose dhe me heqje të licencës, në rastet kur transportuesi i huaj nuk ka marr lejen e nevojshme. Kur transporti i mallrave, kabotazhi kryhet pa lejen e nevojshme, transportuesi i huaj dënohet: me gjobë 100 000 deri në 200 000 lekë; me heqjen e lejes për kryerjen e kabotazhit.
12 Gusht 2010