E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis Muaji i Shenjtë i Ramazanit, mjekët u japin këshilla besimtarëve



Mjekët u bëjnë apel të sëmurëve kronikë të mos e kryejnë ritualin e agjërimit sepse mund të ndikojë në përkeqësimin e gjendjes së tyre shëndetësore. Pas fillimit të muajit të Ramazanit mjekët kanë këshilluar besimtarët të cilët vuajnë nga sëmundjet kronike që të jenë shumë të kujdesshëm. Sipas tyre, të sëmurët kronikë mund të mbajnë dietë të rekomanduar nga mjeku që ndjek kronologjinë e sëmundjes së tyre por kurrsesi nuk duhet të rinë pa ngrënë për orë të tëra. Mjekët këshillojnë të gjithë besimtarët Myslimanë që vuajnë nga diabeti, zemra, veshkat e që marrin medikamentet përkatëse të mos agjërojnë gjatë këtij muaji. I njëjti rekomandim shkon dhe për gratë shtatzëne që sipas tyre duhet të hanë shpesh gjatë ditës por edhe për pushuesit në plazhe që ekspozohen në diell për një kohë të gjatë e që humbin lëngje të konsiderueshme trupore. Por përpos këtyre personave që sipas mjekëve këshillohen të mos agjërojnë sepse agjërimi mund të sjelli pasoja negative në mbarëvajtjen e shëndetit të tyre, mjekët thonë se për besimtarët e shëndetshëm agjërimi ka dhe anët e tij pozitive. Sipas mjekëve specialistë veç kënaqësisë shpirtërore agjërimi ndikon dhe në rënien nga pesha dhe uljen e obezitetit.

Reagimi

Mjekët kanë këshilluar të gjithë besimtarët që të jenë të kujdesshëm gjatë muajit të agjërimit e në veçanti u kanë bërë thirrje të sëmurëve kronik që të heqin dorë nga agjërimi pasi kjo mund të shkaktojë probleme të rënda shëndetësore për ta. Për shkak të ekspozimit të tepërt në diell dhe energjive që humbin duke notuar në det edhe për pushuesit në plazhe këshillohet e njëjta gjë. Pushuesit gjatë ditës humbin shumë lëngje trupore dhe duhet t’i zëvendësojnë duke konsumuar shpesh produkte të ndryshme ushqimore dhe duke pirë sa më shumë lëngje. Në të njëjtën kategori mjekët specialistë fusin edhe gratë shtatzëne, të cilat duhet patjetër të marrin gjatë ditës vitaminat dhe produktet e nevojshme ushqimore për të rritur fëmijën e tyre.

Agjërimi

Sipas librit të shenjtë të Kuranit, agjërimi është një nga pesë shtyllat e Islamit. Është një akt që tregon bindje dhe devocion ndaj urdhrave të Allahut, që kryhet me një shkallë të madhe përkushtimi, sinqeriteti dhe plotbesimi duke kërkuar mëshirën e Allahut e kështu t'i falen gabimet, gjynahet dhe të ruhet nga dënimi i Zotit. Agjërimi i muajit të Ramazanit është obligim për çdo Mysliman të rritur që është i aftë dhe pa të meta mendore. Libri i Kuranit përjashton nga agjërimi të gjithë fëmijët nën moshën e pubertetit dhe që ende nuk janë në gjendje për të marrë vendime. Ata që kanë probleme mendore, (që nuk janë përgjegjës për veprimet e tyre). Ai ose ajo që është shumë i moshuar dhe i dobët për të përballuar agjërimin. Por këta duhet t'i ofrojnë ushqimin ditor të paktën një Myslimani nevojtar (të varfër) ose t'i japë vlerën e ushqimit në dorë. Personat e sëmurë, shëndeti i të cilëve do ndikohet rendë nga agjërimi. Udhëtari, i cili mund të ndeshet me shumë vështirësia të renda gjatë rrugës, mund ta ndërpresë përkohësisht agjërimin dhe t'i plotësojë ditët më vonë. Gratë shtazanë, por edhe ato që janë duke ushqyer fëmijën me gji mund të mos agjërojnë, sepse agjërimi ka të ngjarë të rrezikojë shëndetin e tyre apo të fëmijës.

Komuniteti Mysliman në Tiranë, fushatë sensibilizuese për drejtuesit e mjeteve

Besimtarët myslimanë në mbarë vendin kanë çelur sot Muajin e Madhërueshëm të Ramazanit. Për gjatë 30 ditëve të këtij muaji që nga lindja e diellit deri në perëndim të tij, besimtarët privojnë veten nga ushqimi, uji dhe çdo dëshirë e tyre, duke ju dedikuar tërësisht besimit në Zot. Përfaqësuesit e komunitetit Mysliman kanë nisur dije një fushatë sensibilizuese kundër aksidenteve rrugore. Të rinjtë që falen në xhaminë Dine Hoxha së bashku me drejtuesit e saj u drejtohen shoferëve duke i këshilluar të ulin shpejtësinë, të kenë kujdes dhe të mos konsumojnë alkool kur drejtojnë automjetet. Në broshurat që ata shpërndajnë tregohen aksidentet e shumta fatale që kanë ndodhur muajin e fundit.
Fushata sensibilizuese e besimtarëve myslimanë, do të vijojë për gjatë gjithë Muajit të Ramazanit, i cili përfundon në datën 8 shtator. Sipas organizatorëve të fushatës sensibilizuese, fletëpalosjet e shpërndara nga fëmijët u bëjnë apel drejtuesve të automjeteve për të shmangur aksidentet. Po në këto fletëpalosje përmendet dhe aksidenti tragjik që ndodhi në Fushë Arrëzit të Pukës dhe numri i fëmijëve që mbetën jetimë. Sipas fesë Islame në këtë muaj, ka nisur zbritja e Kuranit dhe është bërë kompletimi i tij. Gjithashtu gjatë Ramazanit besimtarët duhet të ndihmojnë të varfëritë.

Zjarret në Krujë dhe Shkodër, digjen 4 shtëpi dhe rrezikohet reparti ushtarak

Zjarri që ka rënë në fshatin Mazhë e Madhe në rrethin e Krujës dje në orët e para të mëngjesit, ka shkrumbuar 4 shtëpi të cilat ishin të pa banuara për shkak se pronarët e tyre kanë emigruar jashtë vendit. Gjithashtu, ky zjarr ka përfshirë sipërfaqe të tëra në fshat duke djegur rreth 800 rrënjë ullinj dhe shumë dru të tjera frutore në këtë zonë. Në shuarje e zjarrit u angazhuan të gjithë banorët e fshatit. Sipas tyre zjarri ka djegur një numë të madh dru frutore duke shkaktuar kështu dëme në çdo familje.
Mesnatën e së mërkurës një tjetër zjarr ka rrezikuar një repart ushtarak në Shkodër. Zjarri ka rënë në kodrat me pisha të fshatit Bardhaj, komuna e Rrethinës në Shkodër. I favorizuar dhe nga temperaturat e larta, zjarri u përhap me shpejtësi në pyll duke u afruar edhe njërit prej disa reparteve ushtarakë që ndodheshin aty pranë. Shkak për rënien e zjarrit mendohet të jetë pakujdesia e kalimtarëve. Dëmi i shkaktuar është i konsiderueshëm, rreth 5 ha me pisha janë djegur totalisht. Në orët e para të mëngjesit me ndërhyrjen e zjarrfikëseve por edhe të ushtrisë që ishte e pranishme situata arriti të vihej nën kontroll. Nga zjarri pati vetëm dëme materiale ndërkohë që policia po heton për të verifikuar autorin.

12 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›