Norvegjezi Dolert realizon mozaikun e Nënës Terezë
Një veshje zhytësish, një çantë e vogël dhe një varkë me vela i mjaftojnë artistit nga Novegjia, Johans Dolert, për të bërë një mozaik 5 me 3 metra me portretin e humanistes së Nënës Terezë me gurët e mbledhur në vijën e bregdetit shqiptar. Edhe pse është hera e parë që e viziton Shqipërinë, ai thotë se tashmë e ndien veten si banor i këtij shteti. Ai nuk ka adresë për të bërë një sy gjumë. “Saktësisht, e ndiej veten banor të bregdetit”, thotë Dolert, i cili ka dy javë që është duke udhëtuar përgjatë vijës bregdetare të detit Jon dhe atij Adriatik. Ai ndalon në një vend në varësi të interesit të tij profesional dhe më pas personal. Në ditën e fundit të javës së parë të gushtit ai është gjendur në Dhërmi. Plani i tij me qëndrim në fshatin e dytë të krahinës së Himarës i vendosur buzë detit Jon ka të bëjë me mbledhjen e gurëve të shumtë dhe të llojllojshëm për punën e tij. “Kur kam qenë në fakultetin e arteve në Oslo, një profesor të cilin nuk e kam pasur edhe shumë në qejf na pati cituar një fjali të një udhëtari anglez i quajtur Lir për Dhërminë. Ai kishte thënë se Dhërmia është më e madhërishme në vendosjen e saj se çdo vend tjetër që kishte parë në Akrokeruanes dhe që i ngjan jo pak Atranit apo Amalfit. Dhe ai ka pasur të drejtë”, thotë Dolert, i cili është në përgatitje të hapjes së ekspozitës së parë të tij në Muzeun e Oslos.
Por, përtej bukurive të bregdetit shqiptar arsyeja kryesore e tij është mbledhja e gurëve për mozaikun e tij. Edhe pse nuk kishte ditur shumë për figurën e nobelistes së paqes, ai thotë se për të bërë këtë mozaik do të shkojë në tri vende. “Përpos bregdetit të Shqipërisë do të shkoj edhe në Mirditë, fshati i origjinës së Nënës Terezë, më pas në Dublin, vendi ku ajo në moshën 18-vjeçare ka shkuar murgeshë dhe në Indi, ku ajo ka shërbyer më së shumti”, thotë Dolert duke treguar se ka kohë deri në shtator që ta përfundojë të gjithë udhëtimin. Dhjetori i këtij viti do të jetë koha kur ai planifikon ta përfundojë mozaikun.
Teksa vazhdon ecjen nëpër plazhin e Dhermisë, që ndodhet 52 kilometra në jug të Vlorës, ai thotë se pasuria e detit shqiptar do t’i mjaftojë atij që të pajiset me gurë. “Kam parë dhe mbledhur gjithfarë lloj gurësh dhe zall. Kam rërë të bardhë të mbledhur në Ksamil, gurë të gjelbër në detin Adriatik dhe gurë me forma më të pazakonta që kam parë janë këtu në Dhërmi. Kjo thjesht është e mrekullueshme”, thotë Dolert, për të cilin ekziston një problem jo pak i vogël. “Unë kam aq shumë gurë dhe kam vetëm një çantë, një anije të marrë me qira në Shqipëri dhe më duhet të kthehem në Norvegji me aeroplan. Më duhet të gjej një zgjidhje, sepse edhe udhëtimit tim në Shqipëri po i vjen fundi”, shprehet Dolert, i cili gurët e mbledhur në vende të ndryshme të detit Jon dhe atij Adriatik i ka lënë në lokale të ndryshme ku kthehet për t’i marrë. Norvegjezi Dolert i cili nuk e di sasinë e gurëve të mbledhur, e ka idenë se si do të mund të dukej mozaiku. “Është hera e parë që bëj mozaik dhe është shumë përgjegjësi e madhe që të fillosh të bësh figurën e Nënës Terezë. Por besoj se do të dalë shumë bukur”, thotë Dolert, duke folur për punën e tij. Duke folur për arsyen se përse e ka zgjedhur bregdetin shqiptar për këtë punë, ai thotë se kjo ka ardhur pas kërkimit të tij për vendlindjen e Nënë Terezës. “Jo pse nuk më kanë dalë mjaftueshëm afro 17 mijë kilometra katrorë sipërfaqe uji sa ka Norvegjia, por është madhështia e veprës duke e bërë me gurët e bregdetit shqiptar”, thotë me humor Dolert, i cili i lodhur nga kërkimi nënujor ulet për të ngrënë ushqim në njërin nga lokalet e Dhërmisë. Në Durrës, Vlorë, fshatin Jal, Sarandë dhe në Dhërmi ka marrë atë që kishte në plan. Por ai ka edhe një vizitë tjetër për të bërë në territorin e Shqipërisë. “Kam edhe Mirditën për të parë se si është ai vend, më pas më duhet të gjej një mënyrë për të dërguar gjithë këta gurë e rërë në Oslo, pastaj kam për të shkuar në Dublin dhe në Indi. Atëherë duhet t’i futem punës në galeri”, thotë Dolert. E deri atëherë ai thotë se shpreson që mozaiku të bëjë një famë të madhe jo vetëm në Norvegji, por në gjithë botën.
“Do të doja që mozaikun ta sillja edhe në Shqipëri ose në Kosovë. Por nuk mund të them asgjë me të sigurt”, thotë Dolert duke u bërë gati të hipën në varkën e tij me erë.
Instrumenti muzikor i shekullit I para Krishtit gjen restaurimin
Një instrument muzikor (fyell) i shekullit të parë para Krishtit, që i përket periudhës romake, është zbuluar një vit më parë në qytetin e Lezhës dhe po restaurohet pranë Institutit të Arkeometrisë dhe Konservimit. Drejtori i këtij Instituti, Frederik Stamati, u shpreh të mërkurën në një prononcim për mediat se, "gjatë vitit të kaluar në Lezhë është zbuluar një mori fragmentesh prej kocke, të cilat nuk kishin asnjë formë, por disa indikacione që treguan se ishte një instrument muzikor, një fyell i shek të parë para Krishtit, ose i shekullit të parë pas Krishtit që i përket periudhës romake". "U desh një punë shtatë mujore që të arrihej në restaurimin e këtyre fragmenteve, mbi 200 copë dhe që krijuan këto fragmente me të mëdha", tha Stamati, duke shtuar se, "nga shqyrtimi i materialit rezulton që këtu mund të ketë qenë ose një punishte që prodhonte instrumenti muzikore, ose një dyqan ku shiteshin këto instrumenta, por kjo nuk është përcaktuar akoma, dhe do të dojë ende gërmime te tjera arkeologjike që të përcaktohet me saktësi". Duke u ndalur te rëndësia e këtij objekti, drejtori i Institutit të Arkeometrisë dhe Konservimit, Frederik Stamati tha se, "është hera e parë që zbulohet një objekt i tillë me një grumbull të tillë fragmentesh prej kocke që i përkasin instrumenteve muzikore". Sipas tij, "në Shqipëri kemi dy raste analoge të këtij tipi, pasi në vitin 1975 është zbuluar në Apolloni një grup kockash të ngjashme me këto, të futura në një enë bronxi dhe rasti tjetër është ai i një viti më parë në Lezhë". Ai shtoi më tej se, "ne mendojmë që të mos jetë vetëm nëj instrument muzikor, por disa dhe duhet që në të ardhmen të angazhohen disa specialistë të historisë së veglave muzikore, në mënyrë që japin një të dhënë të saktë për këtë çështje".
“Teatër i botës” në Salsburg
Një ekspozitë e madhe, e organizuar në 13 vende të ndryshme të qytetit, që është hapur para pak ditësh, i kujton qytetit historik të Salsburgut 90-vjetorin e tij. "Teatër i botës" është titulli i kësaj ekspozite, e cila do vazhdojë të qëndrojë e hapur deri më datën 26 tetor 2010. Me ndihmën e videove dhe filmave të periudhave të ndryshme të vitit, prapa skenave mund të shihni historinë e festivalit muzikor për 40 vjet të udhëhequr nga Von Karajan, në vendlindjen e Moxartit. Ndërkaq, evenimenti “Mozart-fest” i nisur në fakt që në vitin 1842 dhe para Luftës së Parë Botërore, ka qenë një traditë për të kujtuar kompozitorin e famshëm gjerman.
Arkeologët britanikë thanë se kanë zbuluar shtëpinë më të vjetër në Britani në veri të Anglisë, dhe e kanë krahasuar rëndësinë e saj historike me Stonehenge, monumentin më të famshëm antik të vendit, ka raportuar Reuters. Hulumtuesit nga universitetet Manchester dhe York thanë se mbetjet e një strukture rrethore 3.5 metra të gjerë në Star Carr, afër Scarborough, datojnë para 10 500 vjetëve, kur Britania ishte e lidhur ende me Evropën kontinentale. Afër shtëpisë është zbuluar gjithashtu një platformë e madhe druri, që është dëshmia më e hershme e zdrukthëtarisë në Evropë. Ata thanë se vendi ishte i banuar nga gjahtarë, të mbledhur menjëherë pas epokës së fundit të akullit, për një periudhë prej 200 dhe 500 vjet.
12 Gusht 2010