E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, Thaçi paralajmëron modifikimin i Pakos së Ahtisarit



Vënia nën kontroll e veriut të Mitrovicës në Kosovë mund të kërkonte edhe modifikimin e Pakos së Ahtisarit. Lajmi bëhet i ditur nga gazeta kosovare “Koha Ditore” e cila citon kryeministrin Hashim Thaçi, se për autoritetet zgjidhja e integrimit të veriut të Mitrovicës nuk nënkupton kryekëput formën e parashikuar në propozimin gjithëpërfshirës të presidentit Marti Ahtisaari. Siç shkruan e përditshmja Koha Ditore, kryeministri Hashim Thaçi ka lënë të hapur mundësinë që pakoja të “preket”. Ai ka theksuar se edhe modalitete të tjera do të kihen në konsideratë gjatë përpjekjeve për të vënë kontroll në këtë pjesë të territorit. “Ne kemi vetëm një zgjidhje, implementimin e plotë të dokumentit të presidentit Ahtisari, me ide kreative, me ide integruese në kuptimin gjithë etnik dhe territorial”, ka theksuar kryeministri Thaçi. Veriu i Kosovës që nga përfundimi i luftës, më shumë se dhjetë vjet, ka vepruar jashtë kornizave ligjore të autoriteteve të Prishtinës dhe serbët e atjeshëm kanë qenë më shumë të ndikuar nga Beogradi zyrtar. Një tjetër kërkesë e qeverisë së Kosovës lidhet edhe me shndërrimin e UNMIK-ut në mision diplomatik. Ndërkaq, zyrtarë të UNMIK-ut në Prishtinë, thonë se do të vazhdojnë punën derisa Këshilli i Sigurimit të vendosë për ndryshimin ose jo të rezolutës 1244, të kërkuar nga Prishtina zyrtare. Kërkesa për zëvendësimin e rezolutës 1244 me një rezolutë të re e cila njeh realitetin e ri të krijuar në Kosovë, u bë në seancën e fundit të Këshillit të Sigurimit për Kosovën nga shefi i diplomacisë kosovare, Skënder Hyseni. Zëdhënësi i UNMIK-ut, Rasëll Geki tha se kompetencat për ndryshimet eventuale të rezolutës për Kosovën i ka Këshilli i Sigurimit. “UNMIK-u do të vazhdojë të punojë në kuadër të mandatit të tij që vjen nga Këshilli i Sigurimit, derisa Këshilli i Sigurimit të vendosë ndryshe. Mendoj se ajo që kemi dëgjuar në seancën e fundit për Kosovën në Këshillin e Sigurimit, ishte një mbështetje për punën tonë nga anëtarët e këshillit”, thotë zëdhënësi Rasëll Geki. Ndërkohë, njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare, thonë se UNMIK-u tashmë është një mision jo i fuqishëm në Kosovë por, sipas tyre tani për tani është i pamundur ndryshimi i rezolutës 1244, nëse merren parasysh pozicionet e shteteve anëtare në KS-it me të drejtë vetoje. Profesori i të drejtës ndërkombëtare Afrim Hoti, thotë se kërkesa për zhveftësimin e rezolutës 1244 duhet të ishte bërë në momentin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. “Aktet formale duhet të ndjekin ndryshimet e rrethanave praktike në terren. Rezoluta 1244 ishte një akt në fuqi në kohën kur Kosova administrohej tërësisht nga UNMIK-u, kur nuk ishte e shpallur pavarësia e Kosovës, ndërkohë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe miratimit të kushtetutes rrethanat në terren kanë ndryshuar tërësisht dhe këto ndryshime duhet të ishin formalizuar nga ana e Këshillit të Sigurimit”, thotë Afrim Hoti.

Serbi, vazhdojnë hetimet për varrezën e mundshme në Rashkë

Prokuroria për Krime të Luftës në Serbi ka bërë të ditur dje se do të vazhdojë hetimet për varrezën e mundshme masive në lokalitetin Rudnica-Majdan, “për dyshime të bazuara se kjo varrezë ekziston”. Analizat e bëra deri tani nuk kanë sjellë prova që vërtetojnë ekzistencën e mundshme të varrezës masive.
Duke theksuar se hetimet vazhdojnë në bashkëpunim me misionin e Bashkimit Europian, EULEX, prokuroria ka njoftuar se “është vendosur, që me qëllim të drejtësisë, secili krim të hetohet deri në fund, pavarësisht nga përkatësia kombëtare dhe fetare e kryerësve dhe e viktimave”. Në gjysmë të muajit maj është njoftuar për dyshimet se në lokalitetin e përmendur janë varrosur trupat e pajetë të afro 250 shqiptarëve të Kosovës, të vrarë gjatë luftës në vitet 1998-99.

Mal i Zi, 500 mijë euro investime për të marrë nënshtetësinë
Kushdo që investon një shumë prej 500 mijë eurosh në Malin e Zi, mund të marrë shtetësinë në këtë vend. Qeveria e Malit të Zi, në faqen e saj zyrtare në internet sqaron se “kriteret e qarta të krijuara nga ana e qeverisë, japin siguri juridike për marrjen e shtetësisë” së këtij vendi. Më tutje, premtohet se “të gjithë aplikantët do të verifikohen sipas standardeve të ashpra ndërkombëtare”. Megjithatë duhet se ky kriter nuk po zbatohet siç pretendohet. Mali i Zi, një vend me afro 670 mijë banorë, në muajin mars të këtij viti, njoftoi se i është dhënë shtetësia malazeze, ish kryeministrit të Tajlandës, Thaksin Shinauatra, i cili ballafaqohet me dënim me burgim në vendin e tij.

Greqi
Në hetim shitja e truallit të Kishës

Organet greke të drejtësisë kanë nisur hetimin lidhur me shitjen e dyshimtë të truallit të shtrenjtë në zonën bregdetare të Athinës, në pronësi të Kishës Ortodokse Greke, bëri të ditur gazeta “Ta Nea”. Siç bën të ditur kjo e përditshme, kisha vitin e kaluar ia ka shitur një truall prej 4000 metrave katrorë, që gjendet në bregdet në rajonin Vuliagmeni, një të punësuari në Këshillin e qytetit për 14 milionë euro. Më pas ky truall u është rishitur tri kompanive për 15,5 milionë euro, shton gazeta.

Beograd
Kryhet ekstradimi i parë mes Serbisë dhe Kroacisë

Një gjykatë kroate ka krijuar mundësinë e ekstradimit në Beograd të një serbi që është i gjykuar për konspiracion në vrasjen e kryeministrit serb, Zoran Djindjiç në vitin 2003. Ky është ekstradimi i parë mes Kroacisë dhe Serbisë që prej përfundimit të luftës mes tyre në fillim të 90-ve. Arsyetimi i gjykatës që mori vendimin ishte nënshkrimi i një marrëveshjeje në qershor që lejon ekstradimin e të dyshuarve për krim të organizuar dhe korrupsion mes këtyre dy vendeve.

Përgatiti: Blerina Olldashi

12 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›