Institucioni i zgjedhjes dhe keqkuptimi i demokracisë
Një procedurë e zakonshme zgjedhore për drejtuesin e radhës së Komitetit Olimpik Shqiptar degjeneroi dje në ndërhyrje të dhunshme, prishje të votimit dhe akuza të ashpra për manipulim. Dy palët e përfshira në konflikt i argumentuan qëndrimet e tyre në emër të mbrojtjes së demokracisë, rregullit, ligjit dhe procedurave demokratike. Po ashtu, pak ditë më parë votimi për renditjen e këngëve në një festival sesional u shoqërua me kontestime dhe akuza për manipulim. Muaj më parë akuzat dhe kontestimet publike shoqëruan edhe zgjedhjet e radhës në qendrat universitare të vendit, përfshirë fakultetet kryesore në Tiranë. Në Gjykatën e Faktit Tiranë ende janë në proces 14 padi të palëve të ndryshme me akuzën e manipulimeve të proceseve të votimit dhe zgjedhjeve të radhës. Subjekte akuzuese e të akuzuara janë parti politike, sindikata, OJF, Lidhja e Shkrimtarëve, disa federate sportive dhe deri edhe shoqata e jetimëve.
Gjatë gjithë proceseve zgjedhore 1991 – 2007, përfshirë zgjedhjet parlamentare, lokale dhe referendumet, janë kontestuar nga palë të ndryshme politike, kryesisht humbësit e garës. Edhe zgjedhjet e pjesshme parlamentare e lokale, siç ishin edhe votimi në Pogradec, në Shijak e në Tiranë gjatë vitit 2007, shfaqën probleme të mëdha të besimit në legjitimitetin e tyre. Në një prej këtyre zonave kandidati fitues mori më shumë se 92% të votave të vlefshme, një rezultat i pazakontë dhe praktikisht i pamundur në historinë e zgjedhjeve vërtetë demokratike. Probleme të kontestimit apo të akuzave të rezultateve të votimit janë konstatuar edhe në votimet më të rëndësishme në parlament, siç kanë qenë votimet e kodeve, të mocioneve të mosbesimit apo në rastet e votimeve për Gjykatën Kushtetuese. Edhe vetë brenda partive politike, pothuajse të gjitha proceset zgjedhore janë shoqëruar me akuza dhe kontestime për garën dhe rezultatin e votimit.
Në thelb nuk është e rëndësishme nëse kontestimi ndaj rregullave demokratike ka ndodhur më parë në sferat politike e më pas ka kaluar tek sferat jopolitike apo e anasjelltë. E gjithë kjo panoramë kontestimi të mekanizmave zgjedhorë dhe elektoralë brenda partive politike, grupeve joqeveritare, institucioneve kushtetuese dhe aktorëve të tjerë publikë, është shprehje e deficitit të madh të kulturës dhe traditës demokratike. Që nga lindja e shtetit shqiptar asnjë lider historik, përfshirë edhe Fan Nolin e Ahmet Zogun, nuk ka pranuar aplikimin e konkurrimit dhe zgjedhjeve demokratike. Pas tyre erdhi diktatura e ashpër 50-vjeçare, ku nuk lejohej mendimi kundër dhe ku vota kundër konsiderohej as më pak e as më shumë se votë për armikun. Në mungesë të traditës, gjatë dy dekadave të fundit shoqëria shqiptare postkomuniste vijon të mbetet në kërkim të identitetit kulturor dhe demokratik.
Kriza e këtij identitetit ka stimuluar zgjerimin e kulturës së manipulimit, dhe kështu, të refuzimit të rregullave demokratike, duke krijuar kështu një standard të keqkuptuar kulturor. Në të gjitha rastet kontestimet e zgjedhjeve bëhen në emër të ligjit dhe rregullit, në emër të Kushtetutës apo edhe të demokracisë. Si dikur partia me shtetin dhe kombin, edhe gjatë 18 viteve të tranzicionit çdo palë i njëson sjelljet dhe interesat e veta me interesat e mëdha të vendit dhe demokracisë. Më 1991 rezultatet zgjedhore manipuloheshin në emër të stabilitetit, më 1996 në emër të demokracisë antikomuniste, më 1997 në emër të rikthimit të demokracisë, më 2001 në emër të stabilitetit dhe më 2005 në emër të ndryshimit apo vazhdimësisë demokratike. Pra, gjithçka justifikohet në emër të demokracisë dhe interesave të mëdha të vendit, por që faktikisht çdo rast ka prodhuar kosto të lartë negative për vetë vendin dhe demokracinë.
Sot Shqipëria bën akoma pjesë në grupin e vogël të atyre vendeve problematike ku sfidë e përhershme e axhendës ndërkombëtare dhe politike mbetet sfida për zgjedhje të lira e të ndershme. Kështu po ndodh edhe me zgjedhjet e radhës 2009, duke çuar në protesta, grevë urie dhe me kontestime juridike e politike të procesit ende të panisur zgjedhor.
Shqipëria e sotme politike njeh shumë lider partiakë, politikanë që kanë drejtuar e drejtojnë parti, parlamente, qeveri, shoqata, fushata elektorale dhe mekanizma të tjerë publikë apo institucionalë. Megjithatë, ne ende nuk njohim një lider politik që të ketë dëshmuar deri në fund respekt për institucionin e votës dhe konkurrencës së lirë, ashtu si nuk njohim ende një qytetar shqiptar që të jetë penalizuar ligjërisht për shkelje të ligjit apo të kushtetutës në raport me institucionin e zgjedhjes. Edhe në debatet e fundit rreth datës së zgjedhjeve vijojmë të dëgjojmë politikanë – juristë, juristë – politikanë apo rrogtarë të partive politike, që pa asnjë ndrojtje deklarojnë se nuk prish punë nëse e shkelim kushtetutën për ca ditë, ca javë e ca muaj. Për ta rëndësi primare mbetet interesi personal politik i keqkuptuar si interes kombëtar, protagonizmi personal politik i keqkuptuar dhe imponuar si protagonizëm në emër të demokracisë.
Në raste krizash të tilla do të ishte e dobishme dhe e nevojshme ndërmarrja e një platforme gjithëpërfshirëse shtetërore e joshtetërore për shndërrimin e partive politike, institucioneve demokratike, enteve apo organizatave joqeveritare në shkolla reale të demokracisë. Një hap i duhur mund të ishte krijimi i një sistem funksional edukimi shkollor e universitar mbi demokracinë, vlerat dhe parimet e saj. Kjo kërkon kohë, por minimalisht rezultat do të ishte përgatitja e një brezi të ri me mentalitet dhe sjellje më demokratike. Ky model ka dhënë rezultate në vende ku është aplikuar, sidomos në disa vende europiane pas Luftës së Dytë Botërore dhe në shumë prej vendeve ish-komuniste pas ndryshimit të sistemit politik në vitet 90.
Një masë e dytë mund të ishte modeli zviceran i edukimit qytetar përmes aplikimit të demokracisë direkte, fillimisht në nivel lokal e më pas në nivel kombëtar. Kostoja ekonomike e referendumeve lokale për çështje të ndryshme ekonomike, të investimeve të mëdha, të ndarjes territoriale, etj., do të ishte minimale me koston aktuale të krizave të demokracisë lokale. Po ashtu demokracia direkte e njohur politikisht edhe si metoda "një anëtar – një votë" mund të aplikohej gjerësisht në zgjedhjet p.sh., të drejtuesve të Konferencës Gjyqësore, të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të Kryetarëve të Qarqeve, të Rektorëve, deri edhe tek sindikatat, federatat, shoqatat apo edhe më tej, deri tek drejtuesit e qeverisë studentore në Universitete dhe të qeverisë së nxënësve në shkolla. Masat do të ishin gjysmake nëse vetë sistemi ynë i drejtësisë morale dhe ligjore nuk do të tregoheshin aktivë për t’u distancuar dhe rastet penale, për të penalizuar individët apo institucionet që cenojnë demokracinë dhe parimin kushtetues të së drejtës së votës së fshehtë e të patjetërsueshme.
Ka raste ekstreme në vende të ndryshme që aplikojnë madje masa shumë më të ashpra, siç mund të jetë stimulimi ekonomik i një landi, krahine, zone etj., e cila siguron koeficientin më të lartë të demokracisë funksionale. Vetë parimi amerikan i Freedom House për vlerësimin e nivelit të demokracisë për çdo vend, është vijim i këtij koncepti. E rëndësishme është që shoqëria dhe sidomos pjesa publike e saj të krijojnë mekanizmat e reagimit qytetar e institucional, që të mos mbeten edhe më tej apatike në bashkëjetesë dhe normalitet me shkelje flagrante të demokracisë dhe parimeve të saj.