"Më mirë krenari apo përçmim për vlerat e ndërtuara?
Që te mos jesh nacionalist, nuk do të thotë të humbasësh identitetin. Por të përbuzësh prejardhjen, është një dukuri shumë më negative. Identiteti i një komuniteti të caktuar është krijuar brez pas brezi dhe ka krijuar vlera të caktuara, për të cilat janë dhënë kontribute dhe sakrifica. Ne jemi ata që jemi bërë, si pasojë e këtyre kontributeve, sakrificave dhe gabimeve të të parëve tanë.
Bashkimi Europian është bashkim i popujve pa cenuar identitetin e tyre kombëtar dhe trashëgiminë historike. Nuk po them që as të mburremi dhe as të njollosemi nga e kaluara, por kontributit dhe sakrificave që kanë ndërtuar kombin Shqiptar me vlerat e tij kulturore dhe trashëgiminë unike tradicionale historike, t’i japim vetëm vendin e merituar.
Krenaria për arritjet dhe për vlerat pozitive nuk ka si të jetë pengesë drejt zhvillimit. Përçmimi i vlerave të ndërtuara do të ishte pikërisht një pengesë drejt zhvillimit. Kombet ndërtohen si Shtëpitë, kanë themelet, muret, çatinë, dhe pastaj ndërtojnë gardhe rrethuese dhe më vonë shtrinë influencën e tyre, negativisht territoriale, dhe pozitivisht atë të vlerave.
Nuk ka si i shërben zhvillimit një sulm ndaj themeleve të Shtëpisë, të një shtëpie që është ndërtuar brez pas brezi, avash-avash, me mund, me sakrifica dhe me përvojë. Detyra jonë është të ndërtojmë akoma më shumë ne të ardhmen dhe jo të prishim ç'kanë ndërtuar të parët tanë.