E Diel, 1 Nëntor 2026

Legalizimet, bllokohen 180 mijë tapi të legalizimeve

Vendimi i Kushtetueses për rrëzimin e ndryshimeve në ligjin për Legalizimet do t’i kthejë pushtetit vendor kompetencat e marra

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk mund të ketë fuqi prapavepruese për certifikatat e lëshuara nga ALUIZNI

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e disa prej dispozitave të ligjit të ndryshuar vetëm pak muaj më parë “Për Legalizimin, Urbanizimin dhe Integrimin e Zonave Informale” pritet të fusë në një rrugë pa krye gjithë procesin e legalizimit që ka nisur të finalizohet. Megjithëse ende i pashpallur, vendimi i ditëve të fundit i kësaj gjykate, për t’i dhënë të drejtë pretendimit të deputetëve socialistë që e ankimuan ligjin si antikushtetues në nenet ku preken kompetencat e pushtetit vendor dhe institucioneve të tjera vendim-marrëse që lidhen me këtë proces, do të ketë një impakt direkt tek shpejtësia e pajisjes së qytetarëve me certifikatat e pronësisë së ndërtesave të ngritura pa leje gjatë gjithë kësaj periudhe tranzicioni.

Procesi

Burime pranë Gjykatës Kushtetuese konfirmojnë se me shpalljen e këtij vendimi dhe regjistrimin e tij në Fletoren Zyrtare do të pezullohet menjëherë zbatimi i atyre dispozitave të reja ligjore që kanë të bëjnë me kompetencat e ALUIZNI-it dhe pushtetit vendor, çka do të sjellë si pasojë dhe pezullimin e procesit të mëtejshëm të përgatitjes së dosjeve dhe dhënies së certifikatave të pronësisë nga ALUIZNI. Kjo për shkak se me bllokimin e këtyre neneve, do të rikthehen në fuqi nenet e mëparshme të ligjit të legalizimeve i miratuar gjatë vitit 2006, i cili i jepte pushtetit vendor, pra bashkive dhe komunave, një rol bashkërendues në procesin e legalizimeve. Por sipas të njëjtave burime, mësohet se vendimi i Gjykatës Kushtetuese megjithëse ka fuqi prapavepruese, nuk do të mund të zhbëjë me të gjitha vendimet e marra nga ALUIZNI gjatë kësaj periudhe kur dhe ka vepruar ky ligj i ri. Në këtë mënyrë, pothuajse të 18 subjektet të cilat janë në procesin final të marrjes së certifikatës së pronësisë i shpëtojnë efekteve të këtij vendimi. Por pjesa dërrmuese, prej afro 180 mijë subjektesh të tjera, do të duhet të presë edhe për një kohë të papërcaktuar për të marrë tapitë e ndërtimeve informale. Megjithatë numri i individëve që do të mund të marrin certifikatën e pronësisë pritet të rritet, për shkak se ALUIZNI do të vazhdojë zbatimin e ligjit ekzistues për sa kohë Gjykata Kushtetuese nuk do e shpallë këtë vendim dhe do ta kalojë atë për regjistrim në fletoren zyrtare. Vlen të theksohet se, pavarësisht vendimeve të marra në seanca jo plenare, ato nuk kanë asnjë vlerë përsa kohë nuk shpallen nga Gjykata Kushtetuese, ndërkohë që kjo e fundit nuk kushtëzohet nga ligji për të ndërmarrë një hap të tillë brenda një afati të caktuar.

Zbatimi

Në rast se vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të gjejë zbatim, atëherë pushteti vendor do të rimarrë kompetencat e një partneri në procesin e legalizimit. Në këtë mënyrë, Agjencia e Legalizimit do të duhet të kthejë në njësitë e qeverisjes vendore të gjithë dokumentacionin që kjo agjenci ia ka marrë në bazë të ndryshimeve të këtij ligji, në të gjitha rastet kur është tejkaluar afati 60-ditor i përcaktuar në ligj për dorëzimin e dosjeve. Pushteti lokal do të jetë aktor kryesor në përcaktimin e territoreve informale brenda kufijve të saj administrativ. Për parcelat informale deri në 1 hektar, për ndërtimet pa leje të veçuara ose në territore të tjera dhe për shtesat pa leje në pallate do të vendos sërish zyra urbanistike dhe KRRT-ja e bashkisë ose e komunës. Kjo kompetence deri tani i atribuohej zyrës lokale të ALUIZNI-t. Zyrat urbanistike do të rimarrin një sërë kompetencash të shfuqizuara në ndryshimet që iu bënë ligjit në qershor. Këto zyra do të jenë kompetente për verifikimin real të gjendjes së ndërtimeve, hartimit të dokumentacionit, hartografive dhe të sistemeve të informacionit. Gjithashtu ato bëjnë përditësimin e të gjithë informacioneve të mësipërme. Gjithashtu parashikohet që njësitë vendore të bashkëpunojnë me ALUIZNI-n për të përcaktuar kufijtë e zonave me ndërtime të legalizuara, së bashku me detyrën e projektimit për urbanizimin e tyre.

Në raste të veçanta gjykata mund të shpallë hyrjen në fuqi të vendimit që në momentin e shpalljes

Vendimi i vlefshëm në ditën që botohet në Fletoren Zyrtare

Vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e një sërë nenesh të ligjit “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e zonave informale” do të ketë vlerë vetëm pasi të regjistrohet në Fletoren Zyrtare. Por deri atëherë duket se do të duhet një kohë e gjatë, pasi procesi vendimmarrës i kësaj gjykate duhet të kalojë nëpër një sërë procedurash të detyrueshme ligjore. Në këtë mënyrë, gjykata pasi ka marrë vendimin e saj në seanca jo plenare, duhet të bëjë shpalljen e vendimit të shkurtuar në faqen e saj zyrtare në internet, si dhe të vërë në dijeni palët e interesuara për këtë çështje. Më pas ajo duhet të bëjë dhe zbardhjen e plotë të vendimit të saj, ku të paraqiten në mënyrë të detajuar të gjitha argumentet ligjore që e detyruan atë që të shpallë si antikushtetuese nenet e caktuara. Natyrisht edhe ky hap do të konsiderohet i përfunduar në momentin që kjo gjykatë do ta publikojë vendimin e saj të plotë në faqen zyrtare. Ndërkohë që vlefshmëria e tyre nis në momentin që vendimi botohet në Fletoren Zyrtare. Kur vendimi ka të bëjë me mbrojtjen e të drejtave kushtetuese të individit, Gjykata mund të vendosë që ai të hyjë në fuqi me shpalljen e tij. Organi që boton Fletoren Zyrtare detyrohet të bëjë botimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, jo më vonë se 15 ditë nga ardhja për botim e tyre pranë atij organi. Megjithatë ligji “Për Gjykatën Kushtetuese” nuk përcakton një afat kohorë se kur kjo gjykatë duhet të bëj shpalljen e vendimeve të saj, pavarësisht se vendimet mund të jenë marrë në seanca jo plenare. Nga ana tjetër, pavarësisht se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe të detyrueshme për t’u zbatuar nga organet kompetente, përvoja e shkuar ka treguar se ka patur precedentë kur ato nuk janë marrë parasysh nga ekzekutivi, siç është edhe rasti i ish-kryeprokurorit Arben Rakipi. Kështu që, edhe në rastin e ligjit të legalizimeve nuk dihet nëse qeveria do të reflektojë dhe të bëjë rregullimin në përputhje me Kushtetutën të neneve të evidentuara si antikushtetuese. Prandaj, porsa kohë qeveria nuk do të ndërmarrë një nismë ligjore për të korrigjuar vërejtjet e bëra nga Kushtetuesja, në fuqi do të jetë ligji i mëparshëm i cili u ndryshua me mendimet e hedhura poshtë nga Gjykata Kushtetuese.

ListaDosjet kanë kaluar edhe në qeveri dhe tashmë janë në pritje të procedurës që i bën pronar edhe në Hipotekë

ALUIZNI miratoi 19 mijë objekte për legalizim

TIRANË- Procesi i legalizimeve është konsideruar si një nga armët më të forta të Partisë Demokratike për zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. Duke qenë se bëhet fjalë për më shumë se 200 mijë familje që kanë aplikuar për legalizimin e banesës së tyre, PD i ka vlerësuar këto si vota tepër të vlefshme dhe ka bërë pothuajse të pamundurën që të arrijë përfundimin e procesit përpara zgjedhjeve. Vetëm gjatë dy javëve të fundit Agjencia e Legalizimit dhe Urbanizimit të zonave Informale, ALUIZNI, ka miratuar tre lista të ndryshme legalizimesh. Në total numri i personave që kanë fituar të drejtën për legalizimin e banesës ka arritur në më shumë se 19 mijë. Për këta persona është bërë edhe miratimi në qeveri e tashmë ka mbetur vetëm pagesa e parave që i bën këta njerëz pronarët e rinj shqiptarë. Për ta kanë nisur të gjitha procedurat dhe brenda 30 ditësh mund të marrin edhe tapitë nga hipoteka. Kjo është kategoria e personave që mund të marrin tapinë përpara hyrjes në fuqi të vendit të Gjykatës Kushtetuese.

Në secilën prej dosjeve të përpiluara nga ALUIZNI dhe miratuar nga qeveria janë përfshirë të dhënat e vetë deklaruesit, numri i protokollit të vetë deklaruesit, numri i pasurisë, sipërfaqja e parcelës për metër katror, sipërfaqja e bazës së ndërtimit për metër katror, si dhe numri i kateve të objektit që do të legalizohet. Miratimi i zonave informale përfshin të gjitha qarqet e vendit.

Ligji i ndryshuar në qershor ia kalon ALUIZNI-t kompetencat e bashkive dhe komunave

Procesi i legalizimeve është karta e fortë elektorale për forcat politike

Pikat ku PS kundërshton ligjin për legalizimet

TIRANË- Që nga viti 2004 janë miratuar tre ligje për legalizimin dhe në Shqipëri ndodhen më shumë se 200 mijë ndërtime informale, ku deri tani as 10 për qind e tyre nuk janë përfshirë në procesin final të marrjes së certifikatës së pronësisë. Në vitin 2006, mazhoranca e djathtë miratoi një ligj të ri legalizimesh, të ndryshëm nga ai i vitit 2004, ku parashikohej edhe ngritja e një institucionit të ALUIZN-it, i cili do të ndiqte këtë proces. Ligji i ri parashikonte një bashkërendim të punëve mes ALUIZNI-t dhe njësive të pushtetit lokal, të drejtuara kryesisht nga partitë e majta. Duke qenë se procesi i legalizimeve është një kartë e fortë elektorale për të dy kampet politike, bashkëpunimi nuk mundi të konkretizohej. Qeveria dërgoi në parlament për miratim amendimet në ligj, ku agjencisë së legalizimeve i jepeshin kompetencat për të menaxhuar pothuajse të gjithë procesin, duke e shndërruar në përgjegjësin e plotë për dhënien e certifikatave të pronësisë për të gjithë ata që zotëronin një banesë, ose shtesë të palegalizuar. Partia Socialiste e kundërshtoi këtë amendim në ligj, duke e konsideruar si marrje kompetencash të njësive vendore dhe Këshillave të tyre të Rregullimit të Territorit. Madje edhe vetë Presidenti i Republikës nuk e dekretoi fillimisht ligjin, duke kërkuar rregullimet e nevojshme në ligj.

Kundërshtimet

Arkëtimi i të ardhurave që do të përfitoheshin nga pagesat e derdhura prej subjekteve që përfshihen në proces do të kryhej nga ALUIZNI. Ndërkohë që në ligjin e miratuar nga e djathta në vitin 2006, parashikohej që njësitë vendore kishin si detyrë arkëtimin e të ardhurave, ndërsa me ndryshimet e reja, kjo kompetencë e tyre është shfuqizuar. Ligji i ri u ka hequr kompetencat zyrave urbanistike të qeverisjes vendore, të cilave në ligjin e vitit 2006 u ngarkohej verifikimi i gjendjes reale në terren, përgatitjen e hartografive. Këto ngarkoheshin me përditësimin teknik të planvendosjes në terren të ndërtimeve pa leje dhe të territoreve të zëna nga këto të fundit, në kufijtë dhe shtrirjen sipërfaqësore të vendbanimit formal, të zonës informale të miratuara nga KRRTRSH-ja, ose të territoreve të tjera.

Kompetencat

Ndër kundërshtitë që socialistët kishin për ligjin ishte marrja thuajse e plotë e kompetencave, bashkive dhe komunave, si dhe KRRT-ve të tyre. Sipas Partisë Socialiste, ALUZNI merr kompetencat e KRRT-ve të bashkive dhe komunave, pasi është ajo që do të plotësojë dokumentacionin tekniko-ligjor për bllok-banimet e përfshira në proces legalizimi, kompetenca të cilat në ligjin e vitit 2006 u takonin atyre. Gjithashtu parashikohet që ALUIZNI të përfshihet në proces bashkëpunimi me njësitë vendore për të përcaktuar kufijtë e zonave me ndërtime të legalizuara, së bashku me detyrën e projektimit për urbanizimin e tyre. Sipas ekspertëve të juristëve të PS-së, kjo duhet të shfuqizohet pasi detyra e projektimit është kompetencë vetëm e njësive vendore. Me ndryshimet e reja, ALUZINI merr kompetencë edhe për shqyrtimin e kërkesave të shtesave pa leje të pallateve, kompetencë kjo që më parë u ishte ngarkuar zyrave të urbanistikës. DekretiKreu i shtetit i paraqiti Kuvendit vërejtjet e tij për dhjetë nene të ligjit të ndryshuar të legalizimeve

Topi kundërshtoi marrjen e kompetencave të pushtetit vendor

Procesi i legalizimeve në Shqipëri ka shkaktuar një përplasje të vazhdueshme midis pushteteve dhe institucioneve që i përfaqësojnë ato. Kështu, vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të zgjidhur kompetencat mes pushtetit vendor dhe ekzekutiv në lidhje me këtë proces, nuk është i pari pasi më parë të njëjtën gjë është përpjekur të bëjë edhe kreu i shtetit, i cili nuk pranoi të dekretojë ndryshimet në ligj pas miratimit të tij të parë gjatë muajit prill. Dekreti i presidentit Topi “Për kthimin për rishqyrtim të ligjit për legalizimet”, i ndryshuar, përmbante një sërë vërejtjesh që nisin nga skema e dëmshpërblimit të ish-pronarëve, që në ligjin aktual është e shoqëruar pa një afat kohor, tek reduktimi i kompetencave të pushtetit vendor duke ia dhënë Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale, duke e shndërruar këtë të fundit nga një organ bashkërendues në një organ vendimmarrës, e deri tek mbivendosja e kompetencave që lejojnë ndryshimet e ligjit. Më pak fjalë, Presidenti i Republikës paraqiti një sërë objeksionesh të detajuara që preknin rreth 10 nene të ligjit të ndryshuar. Madje në fund të argumentimit që ai jepte për çdo nen të kontestuar, sugjeronte se ndryshimi i shpeshtë dhe i shpejtë i akteve ligjore, si dhe mungesa e analizës së nevojshme juridike, përveçse nuk sjell rezultatet e pritshme në drejtim të përmirësimit cilësor të ligjit, krijon edhe një praktike të gabuar legjislative. Kreu i shtetit kërkoi që objeksionet e tij të vlerësoheshin si një mundësi në drejtim të perfeksionimit të mëtejshëm të këtij ligji, përmes konsultimeve dhe arritjes së një kompromisi sa më të gjerë politik, duke iu përmbajtur gjithmonë kornizës kushtetuese, ligjeve në fuqi dhe parimeve të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, pavarësisht se këto nuk u morën parasysh nga mazhoranca.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›