E Diel, 1 Nëntor 2026

Zinxhir fatkeqësish

Kështu siç jemi mbledhur e strukur ne, në pesëmbëdhjetë a gjashtëmbëdhjetë kilometra katrore, ende duhet ta quajmë veten me fat. Ishte pikërisht një fat i madh fakti që zjarri pranë “Ardeno”-s u vu nën kontroll, ndërkohë që pak metra më tutje prisnin cisternat e gazit. Por ne sapo kemi harruar që disa javë më parë u shemb një pallat i tërë në Gjirokastër dhe, përveç shumë dëmeve materiale e dramave të paparashikuara, humbën tre jetë. Një prej tyre, fëmijë. Dale, dale, se ne pothuaj kemi harruar ç’ndodhi në Gërdec, kur shpërtheu në flakë një gjoja-fabrikë demontimi armësh. Dhe u tronditën Tirana e Durrësi bashkë. Humbën jetën 25 qytetarë. U gjymtuan dhjetëra të tjerë. Ani. Paskëtaj, vjen ajo shprehja e njohur popullore: “Çudia më e madhe zgjat tre ditë.”

"Ardeno" ishte e radhës. Ca ditë më parë, e njëjta gjë, me "Henri"-n. Gjatë ditëve që moti e gjeti veten në shi e stuhi, u përmbytën dhjetëra shtëpi dhe shumë toka në Tiranë, në Durrës, në Fier, në Lezhë, e kështu më tej. Kjo është situata e përçudnuar e (vetëm) pak ditëve.

Sot nuk është vështirë të konstatohet se opinioni publik është i lodhur nga lajmet e këqija, madje edhe i frikësuar; por megjithatë, ai nuk pyet më se përse ndodhin këto fatkeqësi dhe kur do të këputet zinxhiri i frikshëm i tyre. Një pjesë e qytetarëve, tashmë e kanë humbur toruan. Madje nuk dinë as vetë ç’kërkojnë, sepse (pjesërisht) shteti nuk është i tyre. Shteti tregton, ndërton e shet ku, çfarë dhe si të dojë. Ai nuk bën dialog me qytetarët e vet, as me ekspertët. (Marrëveshjet e fundit për një sërë investimesh në energjitikë, e treguan sheshazi këtë.) Nga ana e tyre, edhe qytetarët nuk pyesin për shtetin e tyre. Një pjesë e këtyre qytetarëve, gjithashtu shesin e blejnë ç’të mundin, ndërtojnë e zaptojnë ç’të mundin. Kështu është krijuar kaosi. Tani, një prej autoriteteve vendore në Tiranë, ka treguar se në ato pjesë të autostradës - ku kanë ndodhur dhe po ndodhin këto fatkeqësi - nuk ka as studime, as lejë, asgjë. Gjithçka është në proces legalizimi. Ja, pra, tek erdhëm në temën e duhur. Bëj çfarë të duash se ky shtet e mirëkupton...Sajo Gërdecin! Ngri kompani të dyshimta dhe mos paguaj taksa! Zapto tokën e tjetrit dhe në daç shite, në daç ndërto! Bjeri me shkelm ligjeve! Tallu me drejtësinë! Mos kij frikë nga asgjë dhe për asgjë. Shteti të mirëkupton. Shteti yt përndryshe quhet Tranzicion Pa Fund.

Ndokush megjithatë, mund të kërkojë shpjegime më precize pse ndodhin herëpashere dhe vend e pa vend ngjarje të tilla tek ne. Është një argument mjaft interesant. Përgjigjet rëndom janë të vështira, sepse teknikët nuk janë, që të përgjigjen. Atyre ua zë gojën politika. Ajo ka marrë përsipër gjithçka: Ndërtimet me leje, ndërtimet pa leje,përgjegjësitë për legalizimin, idetë për urbanizimin, ndarjen e pronave. Politika ka marrë përsipër edhe vetë kaosin. Dhe kështu, në vend të detyrimeve ligjore, teknologjike, marrin përparësi urdhërat partiake, vullnetet klanore, ëndrrat militanteske. Qytetari i rrezikuar nga kaosi në fjalë, është në kërkim të qetësisë; veçse sensi i kontrollit s’gjendet kurrkund. Dhe pasiguria rri mbi kokat tona si shpata e Demokleut.

Nuk kishte rrugë të mjaftueshme midis dy bizneseve, njëri përtej të cilëve në flakë(!) Kështu raportuan gazetarët. Kështu pohuan drejtuesit e policisë dhe zjarrfikësit. E kemi dëgjuar këtë edhe për lagje të tëra në qytetet kryesore, ku për shkak të ndërtimeve pa lejë, nuk hyjnë dot ambulancat dhe zjarrfikëset. E keqja është se sensin e kontrollit nuk e ka më së pari vetë shteti, administrata e tij, institucionet e drejtësisë, që gëlojnë nga ryshfetet dhe abuzimet gjithfarë. Në rastin e Gërdecit, midis të tjerave, u tha se ndërmarrja që prodhoi tragjedinë, nuk ishte e regjistruar në organet e fiskut(!) A kishte turp më të madh për një shtet, se sa të punohej e të vidhej pa e ditur askush, pa leje, pa kontroll, pa dokumente, pa mëshirë, si në xhungël? Këto ditë po flitet e po shkruhet shumë për bizneset e një zotërie shumë të dyshimtë, me emrin Damir Fazlliç, mik i qeverisë dhe i qeveritarëve shqiptarë. Ndërmarrjet e këtij eksponenti të çuditshëm (por jo dhe aq), gjithashtu rezultojnë aspak “miqësore” në raportet me organet e fiskut. Ndërkohë, qeveria mburret me të madhe se ka luftuar informalitetin, se me arritjet e saj po çudit rajonin(!)

Është vërtet për t’u çuditur. Askund në rajon nuk gjendet një kaos i tillë, që megjithatë...do të legalizohet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›