Berisha: Clark, rol te vecante per Kosoven

Uashington, 7 shkurt, 08:25, NOA - Kryeministri Berisha gjatë vizitës së tij në Uashington ka zhvilluar një takim me gjeneralin Uesley Clark, i cili drejtoi sulmet e NATO-s ndaj Serbisë në luftën e Kosovës.
Gjatë takimit, Berisha ka vlerësuar lart detyrën e gjeneralit Clark, mbi rolin e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. "Falë edhe kontributit të zotit Clark", u shpreh Kryeministri Berisha, "Kosova është sot një shtet i lirë dhe i pavarur".
Kryeministri Berisha e njohu gjeneralin Clark me reformat e ndërmarra nga qeveria për integrimin e vendit në Aleancën e Atlantikut të Veriut, reforma të cilat bënë të mundur që Shqipëria së shpejti të bëhet një anëtare e denjë e kësaj organizate.
Kryeministri Berisha e njohu gjithashtu Clark me zhvillimet në vend, proceset integruese dhe veçanërisht me rezultatet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Gjenerali Wesley Clark vlerësoi reformat e qeverisë së kryesuar nga kryeministri Berisha dhe shprehu bindjen për rrugën e sigurt të Shqipërisë në NATO.
INA