E Diel, 1 Nëntor 2026

Instituti i Monumenteve

04/02/2005  Folkloristë për „restaurim“

Specialistët e Institutit të Monumenteve në Tiranë lëshojnë alarmin se reformat e Ministrisë së Kulturës po e shkatërrojnë atë; Absurde emërimi i drejtorëve të rinj të atelieve; në vend të „specialistëve“ po emërohen mbledhësit e folklorit

Duket që fillimi i vitit 2005, nuk është edhe aq i mbarë për institucionin më të rëndësishëm të ruajtjes dhe mbrojtjes së monumenteve të kulturës ose i emërtuar Instituti i Monumenteve të Kulturës. Në kuadrin e reformave në këtë institucion, të krijohet përshtypja se po mbretëron çrregullim i mirëorganizuar. Punonjësit e institutit shohin me çudi se shefat po ndihmohen edhe nga nënshefa, ndërkohë që vetëm para pak kohësh u kërkua edhe ndërrimi, jashtë çdo norme statutore të drejtorit të Institutit të Monumenteve të Kulturës. Vala e lëvizjeve reformatore u shtri edhe në atelite e rretheve të vendit, ku jo specialistët kanë zëvendësuar specialistët. Në dy nga rrethet kryesore të vendit "reforma" solli disa ndryshime. Në një nga këto rrethe drejtuesi i Drejtorisë Rajonale u zvëndësua nga një "specialist" folklori, ndërsa në tjetrin, përpak, një "kambist" do të zëvendësonte një nga specilistët më të mirë, edhe në shkallë vendi. Në fakt, reforma të tilla të kujtojnë, kohë të "shkuara", kur mësuesi i fshatit, ishte edhe përgjegjës i vatrës së kulturës edhe i muzeut. Burime nga ky institucion tregojnë se edhe në politikën financiare të dietave janë bërë "reforma". Specilistët e këtij instituti dietat për shërbimet e tyre, nuk do të marrin nga institucioni qëndror, por nga Drejtoritë e Rajonale, ku ata do të kryejnë ndërhyrjet e tyre. Por, gjatë këtij, viti edhe administrata e këtij institucioni do të jetë shumë aktive, pasi ditët e qëndrimit jashtë kryeqytetit, janë gati të barabarta me ato të specialistëve të restaurimit, në disa sektorë. Të flasësh për rëndësinë që kanë monumentet e kulturës, për identitetin e kombit, si edhe për aspektin turistik që ato ofrojnë është e kotë, pasi të gjithë e dinë. Por, mesa duket nuk e "dinë" ata që duhet ta dinin, zyrtarët e MKRS-së. Vetëm pak kohë më parë drejtori i IMK, Gjerak Karaiskaj, në një letër të hapur drejtuar Kryeministrit të vendit, prekte disa nga problemet kyçe të të ashtuquajturave reforma. "Ndryshe nga të parat, monumentet nuk mbillen dhe as nuk mund të rikrijohen. Faktorët që ndikojnë në rrënimin e monumenteve të kulturës janë të ndryshëm: dora e njeriut, katastrofat natyrore, mosmirëmbajtja dhe restaurimi për mungesë fondesh dhe, ajo që është e fundit dhe më e rëndësishmja, prishja e institucioneve të ngarkuara për mbrojtjen dhe restaurimin e tyre. Pikërisht këtë gjë synon reforma e fundit e ndërmarrë nga MKRS...Instituti i Monumenteve të Kulturës, ka qenë për 40 vjet rresht, i vetmi institucion qëndror që ka bërë të mundur t’i përcillen brezave ato monumente që ruhen ende në ditët tona nëpërmjet gjurmimit, studimit, propagandimit dhe mbrojtjes ligjore të monumenteve, në një kohë kur pushteti lokal i të gjitha kohërave ka qenë fare pak apo aspak i interesuar për monumentet e kulturës. Megjithatë, asnjë regjim nuk ka dashur apo nuk ka guxuar ta prishë këtë institucion të rëndësishëm për mbrojtjen e identitetit të kombit shqiptar..." Kështu shkruan Karaiskaj, në letrën e tij të hapur drejtuar kryeministrit, duke akuzuar hapur se shkatërimin e këtij institucioni, po e provokojnë "reformat" e drejtuesve aktualë të MKRS-së. Shumë u shprehën se janë reagime të një drejtuesi që po largohet. Në të vërtetë, duhet thënë se ky drejtues, në rast se do të largohet, do të largohet duke thyer ligjin mbi këtë institucion. Por, përpos kësaj "mërie" apo "mllefi" drejtuesi të pakënaqur, reagimi nga ministria përkatëse ishte shumë i vakët, kur as më shumë e as më pak, Karaiskaj fajëson haptazi politikat që ndiqen nga ministria. Madje, pavarësisht se çështja është shumë e rëndësishme, as deputetët nuk kërkuan ndonjë interpelancë me ministrin Klosi. Duket që "baballarët" e kombit, nuk kohë të merren me probleme "tretësore", sikundër ato të monumenteve të kulturës pavarësisht se, po sipas Karaiskaj, i cili po u bie pa pushim këmbanave të alarmit "qëllimi është eleminimi i Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe zëvendësimi i tij nga Drejtoritë Rajonale, të cilat në kundërshtim me ligjin janë shpallur Institucione Kombëtare (pra, edhe rajonale, edhe kombëtare – deledash), të varura drejtpërdrejtë nga MKRS, kur dihet se MKRS nuk ka asnjë specialist për monumentet. Për ta bërë më komode këtë marrëdhënie, e njëjta politikë është ndjekur edhe për Drejtoritë Rajonale ku me "konkurs" janë emëruar drejtorë të profesioneve që s’kanë asnjë lidhje me monumentet. Në kundërshtim me Ligjin për Trashëgiminë Kulturore, Këshillit Kombëtar të Restaurimit (KKR) i janë dhënë atribute që nuk i takojnë. Së pari, sipas ligjit, KKR përbëhet nga përfaqësues të institucioneve të specializuara dhe personalitete të fushës përkatëse (Neni 17, 3), ndërsa realisht, 50% e anëtarëve janë nëpunës publikë të MKRS. Madje, gjatë vitit 2004 u hoqën dy përfaqësues të shquar të fushës, me disa monografi për monumentet, për t’u zëvendësuar me të parët". Ndoshta, nuk është për t'u çuditur që për monumentet e kulturës të përdoret sentenca "na ishte njëherë e një kohë... kur kishim ca monumente..."

Specialistët e IMK, projekte me paret e tyre

"Kaosi" që reformat kanë shkaktuar në IMK, është shtrirë edhe në aspektin e projekteve. Specialistëve u është kërkuar të përgatisin urgjent projektet dhe relacionet për vitin 2005. Dikush mund të thotë se këtu nuk ka asgjë të keqe. Sigurisht që jo, por çështja qëndron se specialistët këtë moment e quajnë qesharak, pasi prej vitesh shumë nga ato ç'ka ata kanë paraqitur, jo vetëm që nuk janë marrë parasysh, por janë harruar krejtësisht. Kjo ka sjellë jo vetëm skepticizmin e tyre, por, madje, dhe indiferencën dhe humbjen e besimit te ajo që bëjnë apo duhet të bëjnë. Ana tjetër e medaljes është se shumë nga projektet që ata përgatisin duhet t'i bëjnë në bashkëpunim me zyra private dhe duke paguar nga xhepi i tyre, pasi në Institut nuk ekzistojnë programe kompjuterike, për projektet në fjalë. Nuk mjafton fakti që rrogat e punonjësve janë qesharake (dhe jo vetëm në këtë institucion), por janë të detyruar që një pjesë të tyre t'i shpenzojnë për përgatitjen e projekteve. Një "motivim" i përkryer ky, që të kujton punën mbi baza "vullnetare". Nuk mund të thuhet se deri kur do të vazhdohet me vullnetarizëm...

Letër e hapur

MKRS shkel ligjet

Përse materialet shkresore që IMK dërgon në ministri mbahen për vite me radhë nëpër sirtare? Përse nuk është çuar për miratim në Qeveri Rregullorja e Voskopojës dhe Rregullorja e qytetit të Korçës? Kush i pengon këto dokumente dhe përse? Përse në kundërshtim me urdhërin verbal të Kryeministrit, në shkresën përkatëse lidhur me qendrën historike të Korçës ngarkohen me detyrë KKR, që s’ka asnjë kompetencë ligjore dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve që s’ka asnjë kompetencë shkencore?

Së fundi, është ndërmarrë hartimi i një vepre të mirëfilltë shkencore, siç është "Atllasi i Monumenteve", për të cilin IMK do të shërbejë si një magazinë shkrimesh. Mirë që specialistë, studiues dhe restauratorë paska me shumicë kjo Ministri, po juristë që të shohin gjithë këto shkelje ligjore nuk ka? Apo servilizmi qëndron mbi etikën e tyre profesionale? Në një situatë të tillë, e mira më e madhe do të ishte që fati i monumenteve të kulturës dhe i Institutit të Monumenteve, si institucion shkencor, të ndahej nga MKRS, pavarësisht nëse ka apo jo arritje dhe suksese në sektorët e tjerë që MKRS mbulon.

Prof. Dr. Gjerak Karaiskaj

Drejtor i Institutit të Monumenteve të Kulturës

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›