E Shtunë, 31 Tetor 2026

Instituti mjekësor për trajtimin e personave me probleme mendore

TIRANE-Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi dhe Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, nënshkruan sot memorandumin e bashkëpunimit për ngritjen e Institutit Mjekësor për trajtimin e personave me probleme mendore që kanë kryer vepra penale.

Të dy palët ranë dakord që së bashku të paraqesin në qeveri një plan të përbashkët të qartë për ndërtimin dhe vënien në eficencë të plotë të një institucioni të tillë.

Në fjalën e tij, mbajtur me këtë rast, ministri Halimi u shpreh se "jemi sot bashkë për të treguar vullnetin politik dhe angazhimin maksimal në gjetjen e mjeteve të nevojshme ligjore dhe ekzekutive për trajtimin e të dënuarve me probleme të shëndetit mendor".

E drejta themelore e individit mbi trajtimin njerëzor dhe me dinjitet, tha Halimi, është një e drejtë e pakufizueshme në çdo rrethanë, pavarësisht veprimit të kundërligjshëm të kryer prej tij. "Ky është një ndër objektivat prioritarë në ushtrimin e veprimtarisë së tyre, përmbushjen e rekomandimeve ndërkombëtare në kuadër të Këshillit të Evropës për parandalimin e torturës, si dhe në kuadër të procesit të integrimit evropian për përmbushjen e rekomandimit nr. 12 të Planit Qeveritar të Veprimit", tha ministri i Drejtësisë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›