Imitues të mirëfilltë apo krijues të mirë?!
Në jetën e mbushur me grinë e urrejtjes, korrupsionit e mllefit, streha kryesore e interesave publike media shqiptare, ka ofruar shumë rrallë, për të mos thënë hiç fare, tipare të njerëzve që dinë të përcjellin në sytë dhe veshët e opinionit, një model që shoqëria ka kaq shumë nevojë. Përkundrazi, publikun e kanë lodhur deri diku, por edhe e kanë kequshqyer, personazhe “të lodhur” për shqisat tona, por të palodhur dhe të pamërzitur nga vetvetja, të cilët kërkojnë me ngulm të jenë mbizotërues dhe deri diku “të përjetshëm” në memorien jo vetëm të medias. Audienca shqiptare është mësuar me të njëjtin model, debat dhe vetëm debat nga disa njerëz, të cilët e kanë detyruar këtë audiencë të ndryshojë jo vetëm mendim, por edhe veprim. Në morinë e lartë të zgjedhjeve, ajo është kthyer në një ekzekutues edhe më të ashpër sesa shijet e “kuzhinierëve” të politikës, biznesit, medias, etj., të cilët kanë harruar se kanë të bëjnë me një publik të vogël që kërkon produkte sqimatare dhe jo “bajraktarizëm” me sherr, skandale etj.
Publiku shqiptar është i lodhur edhe nga formate gazetash, revistash e televizionesh që nuk sjellin asgjë të re, thjesht imitacione të programeve të huaja, të cilat vijnë me bujë dhe shkojnë pa lënë gjurmë. Suksesi kryesor i këtyre formateve qëndron te komercializmi dhe mbyllet vetëm brenda qarkut të tij, duke shpërfillur atë që kërkon në të vërtetë shikuesi ose lexuesi. Në Shqipërinë e këtyre dy dekadave kemi shembuj pa fund të ngritjeve dhe rënieve të piramidave mediatike, të programeve të suksesshme (shumë të pakta në numër) dhe të dështuara. Cila ka qenë arsyeja? Ngaqë shumë pak prej tyre kanë ofruar mundësinë për t’i treguar vlerat e veta, duke (mos) qenë qytetare. Madje edhe formatet argëtuese janë mbuluar nga urrejtja, cinizmi dhe provokimi publik i dialogëve ku si përherë nuk mungojnë sherret, temat e nxehta politike, përsëritjet e temave etj.
Sigurisht, do të ishte mëkat të mohoje faktin që teknologjia ka evoluar shumë, dhe ne mund të jemi superiorë madje në raport me shumë vende të tjera, por nga pikëpamja krijuese, çfarë ndodh? Shumë pak ndryshime, shumë pak risi, shumë pak emisione dhe botime me freski natyrale që përkojnë me kërkesat dhe shijet e publikut shqiptar. Ne jemi imitues të mirëfilltë, por jo krijues të mirë. Kur gjithçka ndryshon, kur çdo gjë po ecën në rrjedhën e saj, është për të ardhur keq që kësaj audience, nuk po i ofrohet nga media, shpirti krijues, me modele origjinale, dinjitoze dhe konkurruese. Nëse shumë programe kanë dalë nga dera e pasme e mediave, krijimtaria nuk del kurrë nga moda. Nuk mungon logjika produktive, nuk mungojnë as krijuesit, por dera kryesore është e mbyllur, si gjithmonë për “arsye komplekse dhe të nënkuptuara”.
Kur flitet për procesin e krijimit, nuk nënkuptohet vetëm ndërtimi i një skalete televizive apo botimi të veçantë në shtypin e shkruar, por është procesi i krijimit të marrëdhënies së besimit dhe frekuentimit nga publiku që vendos për fatin e programeve televizive apo përmbajtjes së gazetave. Çështja është më shumë se konceptuale, madje shumë praktike sepse dihet misioni i medias, por që e kanë shtyrë me dashje dhe në heshtje drejt së kundërtës. Ka njerëz që i janë “përkushtuar” medias jo për të “ushqyer” publikun me të vërtetën, por për ta orientuar atë drejt çorientimit, me durim të çuditshëm që pret buzagaz provokimet. Në këtë vorbull është krijuar ideja se nëse një programi nuk i shkon gjuha e “sherrit” dhe nëse nuk përballet me kundërshtarë cinikë apo fanatikë, atëherë ai nuk është program, thjesht një “limonatë” që i serviret një publiku “të dobët”.
Po profesionalizmi? Pikërisht ai që qëndron mbi çdo dyshim, mbi çdo keqdashje, apo keqinterpretim, për fat të keq është gjymtuar, duke mos e marrë në konsideratë. Për aq kohë sa nuk ka modele të qëndrueshme të vlerave të qëndrueshme, nuk do flitet më profesionalizëm, ngaqë krijuesit janë hedhur në rrugë, ose janë vendosur në një qoshkë. Prandaj mungon “jehona” pozitive e impaktit të ushqimit të mirë dhe çlodhjes te publiku shqiptar. Nuk mendoj se në Shqipëri s’ka kush flet për këtë çështje, ka shumë që duan të flasin, ngaqë ne kemi shumë mendje dhe shpirtra të lirë, por rrethi vicioz i sistemit të antivlerave i ka lënë njerëzit e talentuar nën bindje dhe nën psherëtima. Rrjedhimisht, edhe publiku është lodhur nga mungesa e tyre, por ai ka një armë të jashtëzakonshme: Pultin. Me një të shkrepur të hedh përtokë dhe hajde e bëje prapë për vete!!!
(er.nu/GSH/BalkanWeb)