E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ku mund të ankohesh sot?

Kam 4 vjet që ndjek rregullat e këtij shteti. Do ta kërkoj drejtësinë, në bazë të rregullave. Unë akuzoj shtetin sepse kishin për detyrë të na mbronin. Ne nuk ishim në gjendje lufte që unë ta mbroja fëmijën. Kemi institucione shtetërore që paguajmë për të na mbrojtur jetën. Kush e vrau tim bir, përse e vrau? Këto institucione nuk kanë kthyer përgjigje as pozitive, as negative. I kam dërguar letër të hapur Presidentit, në Kuvend ka letra…, në Kryeministri… nuk ka asnjë reagim, asnjë përgjigje”. Kjo klithmë e Zamira Durdës, nënës së djalit të vrarë në Gërdec, fytyra e të cilës u fiksua dëshpërimisht te dera e xhamtë e Gjykatës së Tiranës, duke dëshmuar dhimbjen e lemerishme për humbjen e fëmijës në një krim shtetëror bëhet më përcëllonjëse kur dëgjon se ajo nuk ka pikë besimi te shteti i vet. Dëshpërimi i saj shpreh edhe mungesën e solidaritetit, krahas pafuqisë dhe besimit tonë të mpakur tek organet shtetit. Bashkëjetojmë në një shoqëri mospërfillëse, të drunjtë, të shurdhët, ku secili shikon vetëm muret e shtëpisë dhe interesin vetjak.
Vetëm kur ndodhemi para dyerve të gjykatave, të komisariateve të policisë, të zyrave të shtet-pushtetit e kuptojmë se sa të pafuqishëm, sa të parëndësishëm e sa të huaj, për të mos thënë edhe sa armiqësorë jemi bërë edhe ne, njëlloj si zonja Durda, për zyrat e shtetit tonë “demokratik”!
Nuk ka shqiptar që nuk e di ç’do të thotë të jesh i pambrojtur nga Drejtësia, nga arroganca e zyrtarëve, nga çmimet e larta, nga ndotjet mjedisore e akustike, nga konfliktet, sherret dhe fyerjet jo vetëm nëpër rrugë, por sidomos në zyrat e shtetit tënd. Si qytetar, si konsumator, si banor, si bashkëqytetar nuk gëzon asnjë mbrojtje e përkujdesje, nëse nuk je i pasur, i fortë, klanor, i lidhur me partinë-pushtet. Sot, po të duash të bësh të vuajë një qytetar të katundarizuar, “uroje”: Paç punë me nëpunësit e shtetit! Mosbesimi rrënon themelet e çdo kombi. I vetmi çelës që mund të hapë një zyrë është ryshfeti, e pas tij urdhri politik. Sa më shumë të drejtë ke, aq më e pakët është mundësia e zgjidhjes së hallit me rrugë ligjore.
Nëse ka diçka materialisht e moralisht dëmsjellëse, humor-shkatërronjëse, dinjitet-poshtëronjëse është domosdoja t’u drejtohesh zyrave të shtet-pushtetit për halle mbi halle, por edhe për procese ordinere, si p.sh marrëdhënia e klientit me CEZ-in e Ujësjellësin për faturat e “mbifaturuara”.
Para disa ditësh, meqë për muajin shkurt më erdhi një faturë gati dhjetë herë më e lartë se ajo e janarit, - kurrë nuk më ndëshkuar kaq “kripur”! -, u detyrova të ankohem te zyrat e CEZ-it, pranë fushës “Ali Demi”. Pasi prita disa orë në radhë, një djalosh dëgjoi ankesën time e kur pa librezën që kurrë nuk isha “gjobitur” aq rëndë, me gjysmë zëri më tha se… se ndoshta më kanë vjedhur energjinë… Si mund ta vjedhin? Kollaj, më tha, me dy tela, ndaj shko e gjej faturisten të verifikosh sahatin… Të nesërmen u nisa te zyrat e shërbimit, diku afër Poligrafikut. Faturistet vijnë pas orës tre, më tha roja, po mund të bisedosh me shefin, të cilin për fat e gjeta në zyrën e tij të hapur. Meqë ai po zihej me nja dy vartës, prita me durim dhe kur ata u larguan, e pyeta me mirësjellje: A mund të flas? Por, shefi (më thanë se ishte inxhinier), papritur e pakujtuar ulëriu: “Dil jashtë or taj, nuk due me të ndigju, a po merr vesh, a jo?!” Kujtova mos po më ngatërronte me një tjetër, ndaj qetësisht i thashë se këtu jam në zyrë dhe se kam ardhur të… Por, ai u bë akoma më absurd e më nevrik…. Nuk më mbetej veç t’i thosha të qetësohej dhe se... do të ankohesha. “Shko ku të duesh, or taj, a po merr vesht, a jo?!” E pra, CEZ nuk është KESH, është privatizuar nga çekët e kjo nënkupton (kështu besoja naivisht!) se aty nuk mund të kishte celula partie me militantë, prandaj kjo kompani nuk mund të lejonte një sjellje të tillë të nëpunësve të vet me qytetarët çekë. Rrjedhimisht, për hir të “standardit evropian”, edhe me ne shqiptarët.
Pas një përballje të mundimshme e të kotë me të tilla zyra, përveçse shkatërrohesh nga nervat, nuk mund të zgjidhësh asnjë hall, asnjë ankesë. Të gjithë e kemi provuar sa të pambrojtur jemi (si konsumatorë me kontratë) nga faturat “afrofe”, nga ndërprerjet e energjisë, nga djegiet prej tensionit të lartë të të gjitha elektro-shtëpiakeve. Mos të rëntë asnjë nga këto zezona! Nëse guxon të ankohesh, harbutëria të bind me metoda “demokratike” se ke vetëm një zgjidhje: Të ulësh kokën, të paguash faturën, të blesh pajisje të reja, ose ose t’i drejtohesh gjykatës. Po cilës gjykatë? Asaj të Gërdecit, të 21 Janarit apo të Kolegjit Zgjedhor? Ku gjendet pra ajo zyrë tek e cila ti, si qytetar i një shteti demokratik ke besim të patundur se, sidoqoftë, do të të jepet një ditë e drejta që të takon/ose nuk të takon? A ka njeri që beson sot te gjykatat, te Drejtësia? A kemi më tepër besim te policia, kur të kërcënon një kriminel, a një rrugaç i lagjes? A je i bindur që policia nuk do ta çojë denoncimin tënd te veshi i keqbërësit dhe ti, pas kësaj, gjej brimë e futu?! Nuk të mbetet veç vetëgjyqësia, si vepron sot shumica e të rënëve në të tilla telashe…. Apo mos duhet t’i biesh telefonit të Berishës, telefon i prishur që në ditën e parë të punës së tij në kryeministri? A ia vlen t’i drejtohesh Zyrës për Mbrojtjen e Qytetarit, asaj të mbrojtjes së konsumatorit, Komitetit të Helsinkit, Avokatit të Popullit, Urdhrit të Mjekut, kur Garda, kriminelët apo mjekët të kanë vdekur/vrarë/poshtëruar një të afërm?
Është një vetëposhtërim i kotë, i padobishëm, fyes. Të gjitha institucionet e mësipërme janë kryekrejt të pafuqishme! Edhe drejtuesit e tyre e dinë këtë. Në intimitet të thonë me zë të ulët: Të drejtë ke, po… ç’të bëjmë?! Se mos na pyet njeri ne!?... Nuk ka mbetur institucion i varur e i pavarur që ka bota demokratike të mos e kemi dhe ne. Kemi qindra OJF-ra, fondacione, sidomos për gratë e dhunuara e të trafikuara; kemi KLSH, KLD, zyrë për deklarimin e pasurive… por askush nuk beson që këto organizma, të financuara me taksat tona, kanë ndonjë ndikim në uljen e dhunës, të korrupsionit, të abuzimeve, të shkeljeve të të drejtave të njeriut, të grave, të fëmijëve, të të pambrojturve, të konsumatorëve e të pacientëve. Sot denoncimi i superskandaleve në media nuk i bën kurrkujt përshtypje e jo më pastaj të ndëshkohet një nëpunës arrogant i CEZ-it. Harbutëria është normë e zyrave tona, në pushtetin lokal e qendror, - kjo mund të provohet lehtë, mjafton të trokasësh. Sa më harbut të sillesh, aq më i rëndësishëm, i paprekshëm dhe “me ne” dukesh. Më thanë se “inxhinierit” i kishin dhënë një vërejtje, por nuk jam i sigurt nëse atij nuk i kanë thënë: Sa mirë ia bëre filanit që…që na kritikon Doktorin!
Natyrisht, për sjellje kaq vulgare nuk jep porosi Doktori. Nuk ka nevojë, pasi mjafton shembulli dhe modeli i tij që automatikisht të transmetohet “direktiva” në të gjithë piramidën administrative! Mjafton të dëgjosh Berishën/Topallin në një seancë Kuvendi (kur Presidentit i thonë horr dhe kryeprokurores lavire) për të kuptuar se cili është niveli dhe gjuha e komunikimit e administratës “civile”! Edhe polici më i rëndomtë i trafikut që kërkon një dy mijë lekësh është pjesë e këtij modeli, e kësaj pasqyre ku shihet dhe ku krihet i pari vendit, kryeministri aktual. Të gjitha nivelet e nëpunësisë së sotme janë partitizuar, krahinizuar, përndryshe berishizuar (njëlloj si u enverizuan në diktaturë), aq sa do të jetë e vështirë nesër, pas një ndërrimi të pushtetit, të çmontohen e të natyralizohen! Nëpunësit e sotëm e dinë se nuk do t’u hyjë kurrë gjemb në këmbë nëse shkelin të drejtat e qytetarëve, por gjëma u vjen vetëm po të mos zbatojnë urdhrat e partisë-shtet-pushtet-udhëheqës-tribu. Po të ishte ndëshkuar shefi i policisë bashkiake të Tiranës që dhunoi nëpunëset në zyrat e tatimeve të Bashkisë nuk do të ndodhte ajo që ngjau në Fier ku u masakruan këshilltarët e Bashkisë nga një titullar i lartë zyre. Po të ndëshkohej Garda për vrasjen e demonstruesve nuk do të kishte kryeministër t’i urdhëronte gardistët e nesërm të qëllojnë protestuesit. 2 Prilli nuk e përjashtoi 21 janarin. Mercenarët e zyrave nuk kanë frikë nga ligji, janë më të mbrojtur se ne, qytetarët. Po të mos ishin nxjerrë me dhunë ish-të përndjekurit bashkë me Azemin nga greva e urisë vite më parë, paraplegjikët dhe të verbërit që donin të protestonin para Kuvendit nuk do të dëboheshin me dhunë, ndërsa zyrtarët e pushtetit vendor të Shkodrës nuk do të guxonin të ndalonin autobusin e të verbërve të vinte në Tiranë! E vetmja mënyrë që kanë gjetur të persekutuarit për të kërkuar të drejtat e tyre është metoda e “rrahjes” publike të ministrave dhe deputetëve të qeverisë. Këtë nuk e bëjmë dot ne qytetarët e zakontë, por ish-të përndjekurit të cilët e dinë se nuk mund t’i fusë në burg një qeveri që shtiret si e djathtë. Ku mund të ndodhë që me një “metodë” kaq origjinale, si kjo e poshtërimit të autoriteteve, të kërkohet vendosja e drejtësisë së munguar dhe të mohuar?!
Në Perëndim po të thyesh këmbën në një pusetë, jo vetëm që kurohesh falas, por edhe dëmshpërblehesh. Nëse në BE kërkohet respektimi i të drejtave të kafshëve, tek ne nuk ka asnjë ligj për mbrojtjen e konsumatorit (p.sh, kur helmohen të gjithë dasmorët në një lokal, çfarë ndodh?), për të mos thënë që nuk ka një ligj për të drejtat e pacientit. Një miku im, i punësuar në ashensorin e një hoteli në Nju Jork bënte çmos ta kafshonte qeni i ndonjë zonje, po nuk e pati këtë fat që të merrte një dëmshpërblim të majmë. Mos ju rëntë rasti të ndodheni në spitalet tona publike! Mirë çarçafët që i sjell nga shtëpia, mirë ryshfeti për sanitaret e mjekët, po kush është i sigurt se ilaçet, që i blen vetë, nuk janë të skaduara?! Spitalet tona publike janë bërë si agjencitë e funeraleve e të udhëtimeve në shërbim të klinikave private të shefave të pavijoneve!
Ja pra, më në fund do të ngrihet edhe Gjykata Administrative. Po kush ndër ne beson që edhe kjo gjykatë, duke qenë më e hapur ndaj ryshfetit nuk do të veprojë njëlloj si simotrat e saj? Se, tekefundit, nuk e kanë fajin muret e gjykatave; është vetë sistemi që i detyron gjykatësit të japin, pa u bërë syri tërr, padrejtësi. Për këtë arsye nuk ka qytetar më të pambrojtur se ne! Tashmë kur janë harbutarizuar jo vetëm zyrat e shtet-pushtetit, por edhe të privatëve (si p.sh ato të CEZ-it, ku klienti presupozohet të jetë zot) e kur nuk të mbron qeveria nga abuzimet, shpërdorimet, ushqimet e ilaçet e skaduara, çmimet më të larta në Ballkan të naftës, energjisë, sigurimeve, telefonisë celulare, biletave të avionëve e trageteve, si mund të pretendojmë të na mbrojnë pronarët e kompanive, edhe në qofshin çekë, d.m.th evropianë? Jemi qytetarë-jetimë, anemikë, më të poshtëruarit e më të diskriminuarit nga vetë shqiptarët, nga shqiptarët me pushtet, të zgjedhur nga ne me vota “të lira dhe demokratike”. Në këto kushte instiktivisht të vjen të thuash: Mirë të na bëhet! E paskemi hak që pyetjes qorrsokak ‘Ku të ankohesh?’ ose ‘Ku ta kërkosh të drejtën?’ nuk dimë t’i përgjigjemi.
E për këtë nuk ka pse t’u qahemi ndërkombëtarëve as pse t’i nisim letra për ndihmë e për ankesë ambasadorit amerikan.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›