Instrumentistët e operës, protestë për të ftohtin
“Bëjmë prova me xhupa dhe me dorashka. Nuk mund të vazhdohet me këto kushte”, kanë qenë deklaratat e instrumentistëve. Gjatë ditëve që po bëjnë prova për premierën “Manon Lescaut” kanë ngritur shqetësimin në drejtori
Tri ditë më parë, teksa kanë filluar intensivisht provat për ngjitjen në skenë të premierës “Manon Lescaut”, instrumentistët e Teatrit të Operës për pak orë kundërshtuan të fillonin punën pa ngrohje. Shqetësimin e tyre e pasoi edhe një deklaratë se do të ndërprisnin provat nëse nuk merreshin masat. Falë një bashkëbisedimi me drejtorin Zhani Ciko, kjo e fundit nuk ka ndodhur, por instrumentistët vazhdojnë të këmbëngulin se nuk mund të punohet më në këto kushte. Ndërsa provat po vazhdojnë, shqetësimin e tyre e kanë bërë sërish prezent të mërkurën në drejtori. “Ja kështu luaj. A mund të vihen prova kështu”, thotë njëri prej tyre duke treguar duart me dorashka. “Nuk mund t’u biem më instrumenteve të ngjeshur me xhupa, kjo duhet zgjidhur njëherë e mirë”, shprehet një tjetër. Prej kohësh sistemi i ngrohjes dhe i ftohjes ka qenë një problem i vazhdueshëm në Teatrin Kombëtar të Operës. Kjo jo vetëm për solistët, instrumentistët dhe korin që e ndiejnë këtë edhe gjatë ditëve të provave, përveçse ditëve të shfaqjes, por edhe për publikun. Pikërisht për t’i dhënë fund kësaj situate, gjatë 2009-s Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve lëvroi një fond prej 12 milionë e 100 mijë lekë të reja për sistemin e kondicionimit sipas një tenderi të kryer më parë për këtë qëllim. Gjatë verës, drejtori Zhani Ciko, në një intervistë për “Shqip” qe shprehur se ndërhyrja do të përfundonte në fund të tetorit të vitit që lamë pas. Duke qenë në dijeni të këtij projekti, instrumentistët shprehen se asgjë nuk ka ndryshuar. Sipas tyre, i ngrohti iu duhet në këto pak ditë që është ftohtë, më tej mund të mos e kuptojnë më nëse sistemi i ngrohjes punon apo jo. Por zyra e shtypit e Teatrit të Operës shprehet se njëra nga pajisjet nuk ka punuar me kapacitet të plotë për shkak të një defekti që vetë KESH kishte pasur. “Për shkak të tensionit të ulët, pajisja nuk mund të vihet në punë. Ne jemi në procesin e fundit, atë të koalidimit të sistemit të ngrohjes, që është marrë përsipër nga një firmë shumë serioze. Specialistët janë të pranishëm në institucion dhe e kanë vënë në kontroll situatën. Këngëtarët kanë bërë prova në kushte normale ashtu sikurse po vijojnë edhe instrumentistët”, thekson zyra e shtypit. Gjatë orëve të paradites një prej tubave që përcillte të ngrohtë në gropën ku bëjnë prova instrumentistët ishte e ndezur ndonëse fuqia e saj ishte shumë e dobët. Sipas zyrës së shtypit gjithçka u zgjidh pas mesditës së djeshme dhe garantojnë se gjatë premierës së operës “Manon Lescaut”(shënon premierën e 40-të gjatë drejtimit 6-vjeçar të Cikos) më 14 shkurt do të ketë sallë të ngrohtë. Sipas kontratave, Teatri i Operës ka një garanci dyvjeçare nga firma për mbarëvajtjen e sistemit të ngrohjes. Mbetet për t’u parë nëse ky problem do të jetë zgjidhur njëherë e mirë për artistët të cilët jo vetëm në opera, por edhe në institucione të tjera të kulturës kanë punuar jashtë çdo kushti normal për shumë kohë.
#