E Shtunë, 31 Tetor 2026

Integrim i vullnetshëm

Kryeministri Hashim Thaçi ka deklaruar se Kosova nuk do t’i detyrojë serbët në veri që të integrohen, por do të synojë t’i nxitë të bëhen pjesë e shtetit përmes stimuleve dhe investimeve.

“Nuk do të ketë dhunë apo veprime të njëanshme, por vetëm dialog dhe bashkëpunim”, tha ai për agjencinë e lajmeve Reuters.

“Gjithçka do të koordinohet me bashkësinë ndërkombëtare, NATO-n dhe institucionet tjera ekonomike”, ka shtuar kreu i ekzekutivit kosovar.

Ai ka thënë se planifikon të marrë pjesë në takimin rajonal në Slloveni dhe se do të mund të takohej edhe me presidentin serb, Boris Tadic.

“Nuk kam dilema dhe nuk ngurroj t’i jap dorën asnjë udhëheqësi, i cili është zgjedhur në mënyrë demokratike, përfshirë Tadicin. Ne jemi udhëheqës, duhet ta lëmë pas të kaluarën dhe të fokusohemi në të ardhmen”, tha Thaçi.

Ai gjithashtu e ka mirëpritur thirrjen e djeshme të përfaqësuesit të BE-së, Pieter Feith, për të hequr zyrtarët e korruptuar nga pozitat e larta të Qeverisë së Kosovës.
“Është një sëmundje që e kemi trashëguar. Nuk do të ketë kompromise, kudo që ka korrupsion, ai do të luftohet”, ka thënë Thaçi.

Kryeministri Thaçi ka ritheksuar të martën se në konferencën rajonale të liderëve të Ballkanit Perëndimor në Bërdo të Sllovenisë do të jetë pjesëmarrës si kryeministër i Republikës së Kosovës dhe se vendi jonë atje do të përfaqësohet si shtet sovran dhe demokratik.

“Kosova kudo që paraqitet, qoftë në nivelet e bashkëpunimit regjional, qoftë në takimet e liderëve regjionalë, qoftë në takimet tjera, paraqitet si shtet i pavarur, sovran dhe demokratik. Kjo është edhe përgjigja njëherë e përgjithmonë sa i përket pjesëmarrjes së liderëve të Kosovës në takimet ndërkombëtare”, ka thënë Thaçi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›