Presidenti, Rama kërkon tryezë me krerët e partive
Kreu i PS, letër për Berishën, Metën, Idrizin, Mediun, Dulen e Oketën.
Duhet President garant i Kushtetutës, jo noter partiak
Kryesocialisti Edi Rama u dërgoi një letër-ftesë të gjithë kryetarëve të partive parlamentare për nisjen e dialogut për Presidentin e ri.
Ashtu siç kishte premtuar 10 ditë më parë, Rama u bë iniciatori i nisjes së negociatave përmes ngritjes së një procesi bashkëbisedimi mes palëve, për të arritur në një emër të pranuar nga të gjithë. Në emër të Partisë Socialiste dhe të gjithë asaj mase të madhe qytetarësh shqiptarë që Partia Socialiste përfaqëson në Kuvend, dëshiroj tJu ftoj me anë të kësaj letre që të takohemi drejtpërdrejt, për të këmbyer pikëpamjet tona dhe për të tentuar të hapim një dialog konstruktiv mes të gjitha palëve lidhur me rëndësinë madhore të ndërtimit të një procesi të dobishëm për vendin në zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës, shprehet Rama në letrën e tij dërguar kreut të PD-së, LSI-së, PR-së, PBDNJ-së dhe PDIU-së. Në letrën e tij, kryesocialisti shprehet qartë se Presidenti i ri i vendit nuk duhet ti përkasë një partie, por ai duhet të jetë një personalitet që të pranohet nga të gjitha palët për vetë funksionin, sipas Ramës, që ka kreu i shtetit, si garant i Kushtetutës dhe institucioneve. Me shumë rëndësi besoj gjithashtu se është edhe për qytetarët shqiptarë, që në fund të një procesi të mundshëm gjithëpërfshirës mes gjithë palëve parlamentare për zgjedhjen e kreut të shtetit, të kenë në krye të shtetit një President garant të Kushtetutës dhe të institucioneve apo të proceseve kushtetuese që lidhen me kreun e shtetit, e jo një noter partiak të një pale të vetme, shkruan Rama në letrën e tij. Kreu socialist shpreh gatishmëri përmes letrës së tij për tu takuar sa më shpejt me homologët e tij në krye të partive parlamentare. Mbetem në pritje të një përgjigjeje nga ana Juaj për këtë kërkesë dhe jam i gatshëm tJu takoj pa humbur kohë, shkruan Rama. Për kryesocialistin, zgjedhja e Presidentit nuk duhet trajtuar si një procedurë parlamentare e zakonshme. Ju shkruaj për të ndarë me Ju, drejtpërdrejt po edhe publikisht, bindjen se në frymën e Kushtetutës së Shqipërisë procesi i zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës është shumë më shumë sesa një procedurë parlamentare e radhës. Për më tepër në kontekstin e sotëm historik të Shqipërisë, që për të tretin vit radhazi synon të ngjitet në shkallën e kandidatit për Bashkimin Europian, kjo zgjedhje kërkon një vlerësim dhe vëmendje të veçantë, shkruan Rama. Sipas tij, zgjedhja e Presidentit duhet parë dhe si një provim i rëndësishëm i klasës politike shqiptare për të marrë statusin e vendit kandidat në BE. Në radhë të parë jemi vetë ne përfaqësuesit politikë të shqiptarëve që duhet të bëjmë gjithçka mundemi që Komisioni Europian të na mbështesë në ngjitjen e shkallës së parafundit për integrimin e plotë në Bashkimin Europian. Nuk mund të vihet në diskutim se procesi i zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës është një provim shumë i rëndësishëm për Shqipërinë drejt momentit kyç të vjeshtës së ardhshme, që përkon edhe me 100-vjetorin e shtetit shqiptar, shkruan Rama në letrën e tij drejtuar kryetarëve të partive parlamentare.
Letra e plote
Partia Socialiste e Shqipërisë
Kabineti i kryetaritDrejtuar: Zotit Sali Berisha
Kryetar i PDPër dijeni: Zotit Ilir Meta, kryetar i LSI
Zotit Shpëtim Idrizi, kryetar i PDIU
Zotit Fatmir Mediu, kryetar i PR
Zotit Vangjel Dule, kryetar i PBDNJ
Zotit Gazmend Oketa, kryetar i Grupit Nismëtar të FRDJu shkruaj për të ndarë me ju, drejtpërdrejt po edhe publikisht, bindjen se në frymën e Kushtetutës së Shqipërisë procesi i zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës është shumë më shumë sesa një procedurë parlamentare e radhës. Për më tepër në kontekstin e sotëm historik të Shqipërisë, që për të tretin vit radhazi synon të ngjitet në shkallën e kandidatit për Bashkimin Europian, kjo zgjedhje kërkon një vlerësim dhe vëmendje të veçantë.
Shqiptarët pa dallim presin një përgjigje pozitive nga Komisioni Europian për aplikimin për statusin e kandidatit. Po edhe miqtë e partnerët tanë europianë dhe Shtetet e Bashkuara po njësoj, si mbështetës të palëkundur të vendit tonë në rrugën e integrimit, nuk e dëshirojnë që aplikimi i Shqipërisë të refuzohet për të tretën herë këtë vjeshtë. Ata së bashku kanë bërë dhe po bëjnë gjithçka munden që kjo të mos ndodhë.
Mirëpo, pa dyshim, në radhë të parë jemi vetë ne përfaqësuesit politikë të shqiptarëve që duhet të bëjmë gjithçka mundemi që Komisioni Europian të na mbështesë në ngjitjen e shkallës së parafundit për integrimin e plotë në Bashkimin Europian.
Nuk mund të vihet në diskutim se procesi i zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës është një provim shumë i rëndësishëm për Shqipërinë drejt momentit kyç të vjeshtës së ardhshme, që përkon edhe me 100-vjetorin e shtetit shqiptar. Pesha e madhe simbolike e 100-vjetorit i jep një rëndësi ende më të veçantë edhe procesit të nevojshëm politik, që duhet të rezultojë me zgjedhjen për President të një figure, e cila në frymën e Kushtetutës sonë simbolizon unitetin kombëtar.
Unë besoj se simbolika e 100-vjetorit të Pavarësisë e forcon kontekstin historik të përpjekjeve për integrimin e vendit tonë në Bashkimin Europian dhe, në një farë mënyre, e bën më të madhe peshën e suksesit apo disfatës së politikës shqiptare në këtë vit jubilar, e në këtë rast konkret të zgjedhjes së Presidentit gjithashtu.
Me po kaq rëndësi besoj gjithashtu se është edhe për qytetarët shqiptarë, që në fund të një procesi të mundshëm gjithëpërfshirës mes gjithë palëve parlamentare për zgjedhjen e kreut të shtetit, të kenë në krye të shtetit një President garant të Kushtetutës dhe të institucioneve apo të proceseve kushtetuese që lidhen me kreun e shtetit, e jo një noter partiak të një pale të vetme.
Prandaj, në emër të Partisë Socialiste dhe të gjithë asaj mase të madhe qytetarësh shqiptarë që Partia Socialiste përfaqëson në Kuvend, dëshiroj tJu ftoj me anë të kësaj letre që të takohemi drejtpërdrejt, për të këmbyer pikëpamjet tona dhe për të tentuar të hapim një dialog konstruktiv mes të gjitha palëve lidhur me rëndësinë madhore të ndërtimit të një procesi të dobishëm për vendin në zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës.
Mbetem në pritje të një përgjigjeje nga ana Juaj për këtë kërkesë dhe jam i gatshëm tJu takoj pa humbur kohë.Edi RAMA
Kryetar i PARTISË SOCIALISTE
Zeneli: President si në Gjermani
Ish-ambasadori shqiptar në Gjermani dhe Greqi, anëtar i Këshillit Politik të PS, ka propozuar zgjedhjen e Presidentit të ri sipas përvojës gjermane. Sipas Zenelit, kancelarja Merkel edhe pse i kishte votat në Parlament për zgjedhjen e Presidentit nga partia e saj, i kërkoi opozitës të propozonte një kandidat të saj duke e mbështetur. Këtë ide Zeneli e ka shprehur në mbledhjen e fundit Të të Urtëve të PS, por dhe në shtypin e përditshëm, ndonëse ky propozim është parë me skepticizëm nisur nga mungesa e vullnetit politik nga ana e maxhorancës.
Berisha: Konsultime me opozitën dhe faktorët e tjerë
Gjatë një interviste për Zërin e Amerikës në Uashington, Kryeministri Berisha shprehu gatishmërinë e tij për të zhvilluar një proces konsultimesh për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit. Natyrisht ky është një proces, i cili gjykoj unë, duhet të kalojë nëpërmjet konsultimeve dhe ne jemi të përgatitur të konsultohemi me opozitën dhe të gjitha forcat politike. Nuk ishte problem i diskutuar në takim me sekreta