Haxhinasto: E ardhmja e Ballkanit është në BE
Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto gjatë vizitës së tij në Brazil është pritur nga Zv.Presidenti, Michel Miguel Elias Temer Lulia.
Duke folur për zhvillimet në rajonin e Ballkanit, Haxhinasto theksoi se e ardhmja e gjithë rajonit është në Bashkimin Evropian. Lidhur me Kosovën, ai tha se pavarësia e Kosovës ka forcuar stabilitetin e sigurinë në rajon, duke i kërkuar Brazilit të rikonsiderojë shqyrtimin e njohjes së shtetit të ri të Kosovës.
Në kuadër të bashkëpunimit dypalësh, bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se shkëmbimet tregtare midis dy vendeve duhet të forcohen dhe zhvillohen. Haxhinasto, kërkoi mbështetjen e Brazilit për kandidaturën për anëtar jo të përhershëm të vendit tonë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për periudhën 2022-2023.
Nga ana e tij, Zv.Presidenti i Brazilit shprehu mbështetjen e tij të vazhdueshme për forcimin e marrëdhënieve parlamentare, si një element mjaft i rëndësishëm i bashkëpunimit dypalësh.
Ministri Haxhinasto takoi edhe Senatorin Fernando Collor, kreu i Komisionit të Politikës së Jashtme dhe Mbrojtjes në Senat.
Ministri i Punëve të Jashtme takohet sot me Ministrin e Jashtëm të Brazilit, Antonio Patriota, me të cilin do nënshkruajë marrëveshjen për heqjen e vizave dhe dy memorandume të rëndësishme.