Ushtari i Zall- Herrit, shpërndarës kokaine
Kapet super shpërndarësi i kokainës në kryeqytet i njohur me emrin "Zhaku". Dyshohet si drejtuesi i grupit
TIRANË- Një efektiv i Ushtrisë, rezulton të jetë i përfshirë në rrjetin e shitjes dhe shpërndarjes së heroinës së bllokuar dy netë më parë në kryeqytet gjatë operacionit të koduar "Smart", gjatë të cilit, u arrestuan tre persona dhe u bllokua një sasi e konsiderueshme kokaine.
Lënda narkotike sipas burimeve zyrtare të Policisë së Tiranës që i referohen hetimit të Antidrogës, ishte e destinuar për t'u shpërndare në lokalet e natës në Tiranë, kryesisht në zonën e ish- Bllokut, në rrugën e "Elbasanit", tek "Stacioni i Trenit" dhe në rrugën "Myslym Shyri". Gjatë ndërhyrjes së saj, policia arrestoi Ali Lilën, 20 vjeç, banues Ndroq të Tiranës, efektiv i repartit të 1100 në Zall- Herr, Rubin Cekën, 20 vjeç, banues në Pezë të Vogël, si dhe Zhaklin Krasniqin, 26 vjeç. Ky i fundit njihet me nofkën "Zhaku', dhe është banues në lagjen periferike të kombinatit në kryeqytet.
Të tre e arrestuarit e operacionit "Smart", akuzohen për shitje dhe prodhim të lëndëve narkotike, sipas hetimit të policisë, Krasniqi dyshohej se ishte edhe drejtuesi kryesor i grupit, që mendohet se mund të ketë edhe persona të tjerë nga pas.
Burime zyrtare të Policisë thanë se kokaina e bllokuar të martën në automjetin e markës "Smart", që përdorej nga Krasniqi, kapte vlerën e 40 mijë eurove dhe shitej edhe ofrohej në forma të ndryshme në varësi të klientit, por edhe në proporcione të vogla. Në një deklarim policia njoftoi realizimin e operacionit, të dyshuar si posedues të rreth 408 gramë lëndë narkotike kokaine, ndërkohë.
Këta persona u kapën në flagrancë, të martën rreth orës 20.00, në rrugën e "Elbasanit", pasi nga kontroll i ushtruar nga agjentët e Antidrogës iu sekuestruan, sasia prej 408 gramë pluhur e dyshuar narkotike e llojit "Kokainë", e cila ishte e fshehur në automjetin tip "Smart", në pronësi të Zhaklin Krasniqit, njërit prej të arrestuarve, i cili sipas policisë ka qenë i dënuar më parë për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.
Policia i ka mbajtur nën vëzhgim mbi tre muaj tre të rinjtë dhe nga hetimet paraprake të Sektorit Kundër Narkotikëve, dyshohet se kokaina e sekuestruar ishte bërë gati për t'u shpërndarë në disa lokale nate në kryeqytet, kryesisht në zonën e ish-Bllokut, por edhe në zona të tjera.
Sipas burimeve zyrtare të Policisë, tre të rinjtë e arrestuar nga Sektori i Kundër Lëndëve Narkotike dhe ai i Operacioneve Speciale dhe Kërkimit, kishin marrë me qera një shtëpi në rrugën "Myslym Shyri", për të ushtruar aktivitetin e shpërndarjes së drogës. Lidhur me këtë aktivitet, hetimet do të vazhdojnë edhe nga Prokuroria e Tiranës, për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.
Specialistë të Policisë pohuan se hetimi i grupit ishte i vështirë për shkak se ata jo vetëm që punonin për shitjen e mallit, por edhe ruheshin nga policia duke ndjekur veprimet e vetë oficerëve dhe lëvizjet e tyre në terren. Kjo ka bërë që për shumë kohë agjentët dhe hetuesit e antidrogës të hiqeshin sikur nuk po vëzhgonin grupin, ndërkohë që agjentë të tjerë i mbanin në vëzhgim ata.
Të arrestuarit
Rubin Ceka 20 vjeç, nga Pezë e Vogël,
Ali Shaqir Lila 20 vjeç, nga Ndroqi, ushtar në Zall- Herr
Zhaklin Krasniqi 26 vjeç,
Vrau për hasmëri, ekstradohet i dënuari
TIRANË- Interpol Tirana ekstradoi dje nga Italia një të dënuar me 23 vjet burg për vrasje, pasi ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar pas dënimit që kishte marrë. Besim Doku, 50 vjeç, nga Italia, i cili ishte shpallur fajtor për një vrasje të ndodhur 13 vjet më parë, u ekstradua dje rreth orës 18.00 nga Milano, për të vuajtur në Shqipëri dënimin që ka marrë.
Lajmi për ekstradimin e 50- vjeçarit nga Tirana, u bë i ditur dje nga burimet zyrtare të Policisë së Shtetit, ku thuhet se Doku, akuzohet për një vrasje të ndodhur në vitin 1997. Sipas policisë, i ekstraduari më datë 19 maj 1997, për motive hasmërie ka vrarë me armë zjarri një person, i identifikuar me emrin Ilmi Cuka dhe ka plagosur një person tjetër.
Ngjarja ka ndodhur në zonën e "Bregut të Lumit", në Tiranë, ku pas ngjarjes, i dënuari është larguar jashtë Shqipërisë. Pas gjykimit të tij, Gjykata e Tiranës, e ka dënuar Besim Dokun me 23 vjet burg, në qershor të vitit 2004. Pas krimit, i dënuari ishte larguar në Itali për t'i shpëtuar drejtësisë shqiptare, por pas bashkëpunimit të Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, ai është arrestuar në shtetin fqinj me qëllim për t'u ekstraduar drejt vendit tonë.