'Integrimi euroatlantik është dhe mbetet ideal kombëtar'
Kryeministri Berisha priti sot, në takim, kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare të Maqedonisë (PDSH), Menduh Thaçin.
Pasi i uroi mirëseardhjen, Berisha e uroi Thaçin për rezultatin e arritur në zgjedhjet e fundit parlamentare në Maqedoni dhe vlerësoi qëndrimin konstruktiv dhe pro integrimit euroatlantik që PDSH, por edhe partitë e tjera shqiptare demonstruan gjatë fushatës elektorale në Maqedoni.
Nga ana e tij, Thaçi e uroi kryeministrin Berisha për përmbylljen me sukses të procesit zgjedhor të zgjedhjeve vendore të 8 maji, si dhe për fitoren në Tiranë.
Më tej, Thaçi e falënderoi Kryeministrin dhe për kontributin e rëndësishëm në shërbim të çështjes kombëtare që Shqipëria dhe qeveria shqiptare kanë luajtur dhe vijojnë të dëshmojnë në të gjitha zhvillimet si në Maqedoni, ashtu edhe në rajon.
Në takim, u ripohua se integrimi euroatlantik është dhe mbetet ideal kombëtar dhe interesi më i mirë i jetës dhe të ardhmes së shqiptarëve, kudo ku ata jetojnë, që përcakton një detyrim madhor, për të cilin duhet të punojnë me vendosmëri të gjitha forcat politike shqiptare.
Duke u ndalur në zgjedhjet vendore të 8 majit në Shqipëri, kryeministri Berisha tha se ky ishte një proces tërësisht transparent, bazuar mbi parimin themelor se vota e lirë e çdo qytetari duhet numëruar, parim që u konfirmua edhe nga vendimet e gjykatës, të cilët kanë pasuruar thellësisht doktrinën juridike shqiptare edhe me gjetjet e konsoliduara në praktikën e pasur gjyqësore të gjykatave të SHBA-së, në këtë fushë.
“Përpjekjet e shumta për bllokimin dhe zvarritjen e procesit kishin për qëllim që të mohohej vullneti i shprehur qartë i 762 qytetarëve të Tiranës, çka është e papranueshme për një sistem demokratik, në themel të të cilit qëndrojnë zgjedhjet e lira, të ndershme e demokratike”, u shpreh Kryeministri Berisha. /abcnews/