Integrimi europian dhe “antimitingu” edvinian i 20 nëntorit
Nuk kanë kaluar më shumë se 7 muaj nga koha kur Shqipëria aplikoi për marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian dhe 27 vendet anëtare u kanë dhënë fund dilemave të deritanishme në një mbledhje të ambasadorëve të këtyre vendeve, të cilët kanë mbështetur unanimisht aplikimin tonë, duke i kërkuar Komisionit Europian që të përgatisë një vlerësim për gatishmërinë e Shqipërisë lidhur me nisjen e bisedimeve për anëtarësimin në bllok. Vendimi i krerëve të diplomacisë europiane pritet të miratohet në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian, që zhvillohet në datat 16-17 nëntor në Bruksel. Prej kohësh, ndërkombëtarët kanë dhënë sinjale të shumta mbi marrjen në konsideratë të aplikimit të Shqipërisë lidhur me statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian. Madje jo pak here, ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini, një nga përkrahësit më të mëdhenj të integrimit dhe shengenit shqiptar, ka kritikuar zvarritjet e vërejtura në këtë drejtim, duke kërkuar që aplikimi i Shqipërisë të merret në shqyrtim sa më parë, e të mos harrohet në sirtaret e Brukselit. Vendi ynë aplikoi për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian në 28 prill të këtij viti, por shqyrtimi i kërkesës nga vendet anëtare të BE-se, u shty për shkak të zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Menjëherë pas përfundimit me sukses të këtyre zgjedhjeve, shpalljes së rezultateve zyrtare si dhe të publikimit të raportit të OSBE/ODIHR, ndërkombëtarët garantuan se do ta shqyrtojnë sa më shpejt kërkesën e Shqipërisë. Por një shtyrje për arsye teknike erdhi dhe për shkak të mungesës së konstituimit të Parlamentit gjerman. Tashmë nuk mbetet më asnjë problem për t’u zgjidhur, ndaj komisioneri për zgjerimin i Komisionit Evropian, Oli Rehn do të deklaronte, këto ditë, se: “…me sa kuptoj, vendet anëtare e kanë diskutuar këtë çështje në COREPER dhe ka nje shans të mirë që vendimi teknik për t’i kërkuar Komisionit që të përgatisë AVIS do të merret nga Këshilli i Marrëdhënieve me Jashtë, në Nëntor. Ka një shans të mirë për këtë dhe unë do ta mirëprisja këtë sepse koha tashmë ka ardhur”.
Ky lajm ka gëzuar e obliguar të madh e të vogël në Shqipëri, me përjashtim të Edvin Ramës dhe një grushti njerëzish që i shkojnë pas atij, të verbuar pas interesave të tyre personale. Dëshira shekullore e shqiptarëve për një copë vend në Europë, e cila nuk është asgjë më shumë se sa ndërgjegjësim dhe vetëdije për nevojën që kemi të gjithë së bashku për përmirësim, zhvillim dhe begati, tashmë ka filluar të materializohet, por Partia Socialiste e Edvin Ramës as që nuk do t’ia dijë fare për këto zhvillime historike që pritet të përjetojë Shqipëria, këto ditë, pasi preokupimi kryesore i tij mbetet protesta e 20 nëntorit në kryeqytet, gjë për të cilën ka kërkuar nga organizatat bazë të PS-së të zbarkojnë në Tiranë me sa më shumë njerëz, me qëllim për ta destabilizuar vendin nëpërmjet veprimeve arbitrare për “…hapjen e kutive ose zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme”. Disa deputetë socialistë, që përfaqësojnë alteranativën e mendimit ndryshe në këtë parti kanë bërë thirrje, këto ditë, për thyerjen e bojkotit dhe pjesmarrjen në seancën parlamentare të së hënës, ditë kur në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian, do të shqyrtohet edhe kërkesa e Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat. Numri i këtyre deputetëve është i vogël, megjithatë shqetësimi i tyre është i madh, në mënyrë që Partia Socialiste të mos damkoset me vulën e turpit të historisë. Sjellja aspak demokratike dhe institucionale e partisë më të madhe të opozitës është bërë një pengesë serioze në integrimin drejt Europës të vendit tonë, gjë e cila e ka detyruar faktorin ndërkombëtar t’i bëjë asaj thirrje të vazhdueshme për të hyrë në Parlament. Brukseli dhe Uashingtoni e kanë cilësuar bojkotin socialist të Parlamentit, si një veprim të nxitur nga interesat personale të Edvin Ramës. Aventura apo egoizmi i tij nuk do t’i interesonte askujt, nëse në mes nuk do të ishte çështja e integrimit europian të Shqipërisë dhe liberalizimit të vizave me vendet e Bashkimit Europian. Sidoqoftë, nuk është se dikush prej përfaqësuesve të ndryshëm të faktorit ndërkombëtar, po influencohet negativisht nga qëndrimi antiintegrues i Ramës dhe mbështetësve të tij në Partinë Socialiste, për të bllokuar apo ngadalësuar procesin e kandidimit të Shqipërisë për në BE dhe liberalizimin e vizave me këto vende. Por nuk ka diskutim që vazhdimi i mëtejshëm i protestave dhe bojkotit socialist prish imazhin e vendit dhe cënon funksionimin normal të institucioneve. Kreu i Partisë Socialiste përpiqet t’i bindë shqiptarët se një qëndrim të tillë ai e mban për të vënë para përgjegjësisë dhe diskredituar qeverinë aktuale të kryeministrit Sali Berisha, por në fakt ai po ndëshkon e diskrediton të gjithë shqiptarët, që aspriojnë ta shohin veten dhe vendin në familjen e përbashkët europiane. Ai bën sikur nuk e kupton që këto dy çështje janë të lidhura pazgjidhshmërisht me njera-tjerën, pasi, tashmë edhe faktori ndërkombëtar nuk ka asnjë mëdyshje se në themel të këtyre arritjeve qëndron qeverisja efiçiente e vendit tonë përgjatë 4-5 viteve të fundit. Të hedhësh baltë mbi qeverinë e sotme shqiptare do të thotë që të hedhësh baltë mbi të drejtën dhe mbi të vërtetën. Kjo është një ndër arsyet që opozita socialiste është bërë e pabesueshme tek shqiptarët dhe ndërkombëtarët. Nga ana tjetër, suksesi i qeverisë “Berisha” në kryerjen e reformave dhe gatishmëria e saj për të trajtuar me seriozitet dhe nëpërmjet rrugëve ligjore çdo kërkesë legjitime të opozitës, i ka shtuar asaj kredibilitetin ndërkombëtar, duke e bërë të vetmin partner serioz me të cilin mund të bisedohet në këtë vend për interesat e përgjithëshme të shqiptarëve. Ndaj përpjekjet e Edvin Ramës & co, për ta detyruar komunitetin ndërkombëtar që të humbas vlerësimin, nderimin apo besimin që ka krijuar tek mazhoranca shqiptare janë përpjekje për t’i ulur dinjitetin dhe kredibilitetin Shqipërisë.
Një gazetar i mirënjohur, do t’i quante me të drejtë këto veprime e qëndrime absurde të opozitës socialiste si një përpjekje për revolucionarizimin e metejshëm të jetës së Partisë Socialiste, duke u bazuar në bashkëpunimin dhe kooptimin në stukturat e larta drejtuese të pasardhësve të ish-Byrosë Politike të Partisë Komuniste. Duke injoruar tërësisht kërkesat dhe rekomandimet e institucioneve që monitoruan zgjedhjet e 28 qershorit, përfshirë këtu edhe ato të Brukselit dhe Departamentit Amerikan të Shtetit, Edvin Rama, me ose pa dashje, po rikthen kohët e kaluara dhe trashgiminë izoluese të paraardhëses së Partisë Socialiste për të mos pranuar “këshillat e helmatisuara të armiqëve të jashtëm e të brendshëm”. Por fushata për deligjitimimin e zgjedhjeve, mosdhënia e konsensusit për vazhdimin e reformave nëpërmjet bojkotimit të Parlamentit, si dhe kërcënimi për destabilitetin e vendit përmes protestave të dhunshme, duket se janë sfumuar edhe në sytë e “popullit të majtë”, për shkak të vendimit të Komisionit Europian, që i hap rrugën Shqipërisë drejt liberalizimit të vizave dhe marrjes së statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Ky është shkak që në sheshe apo ambjente të mbyllura, ku Rama dhe Ngjela thërrasin dhe organizojnë protestën e radhës kemi gjithnjë e më pak pjesmarrës e përkrahës. Sidoqoftë, injorimi dhe kundërshtimi shqiptar i këtyre veprimeve e qëndrimeve, duhet të jetë më i madh, për shkak se ato cënojnë konkretizimin sa më shpejt të endrrës sonë të përbashkët europiane. Toleranca ka kufi edhe për budallain. Kjo situatë absurde që krijon politika “anglosaksone” e Ramës dhe Ngjelës krijon revoltë dhe neveri tek çdo njeri normal, ndaj nuk ka pse qëndrohet idiferente ndaj saj, për më tepër kur nuk shikohen shenja tërheqjeje dhe mirëkuptimi nga drejtuesit e opozitës. Nuk ka cënim më të madh të lirisë dhe dinjitet kombëtar se sa në këtë rast, sikundër nuk ka skandal më të madh politik në histori se sa tentativa për të penguar aspiratën e përgjithëshme të shqiptarëve për integrim dhe prosperitet ndërkombëtar. Enver Hoxha dhe gjithë byroistët e tjera nuk është se bënë ndonjë gjë më shumë se kaq, duke e lënë vendin të izlouar e të paintegruar për 50 vjetë me radhë. Por sot, me kushtet e krijuara dhe zhvillimet e përgjithëshme demokratike që ka pësuar kontinenti ynë, këto 20 vitet e fundit, është e patolerueshme që pinjollët e ish nomenklaturës së lartë komuniste në Shqipëri ta kërkojnë pushtetin e tyre tek izolimi dhe injorimi i mbështetjes ndërkombëtare. Parë në këtë këndvështrim protesta e 20 nëntorit nuk mund të konsiderohet më një miting demokratik por një antimiting komunist, si ato që organizoheshin në vitin ’91, për të ndalur ardhjen e demokracisë në Shqipëri. Ndaj, nëse në radhët e socialistëve ka shqiptarë të ndershëm e patriotë, që ja duan sinqerisht të mirën këtij vendi dhe familjarëve të tyre, ata duhet të jenë të parët që ta braktisin publikisht këtë miting, i cili synon të prish imazhin e Shqipërisë për interesat personale të Ramës dhe disa idhtarëve të tij të përkëdhelur, milionerë dhe të paduruar për të ardhur në pushtet. Është momenti që deputetët reformatorë të Partisë Socialiste të distancohen nga manirat antiparlamenare të liderit të tyre, duke shkuar qysh sot në Kuvend, për të asistuar në këto momente të rëndësishme për të ardhmen e të gjithë shqiptarëve.