Rama, rast klinik, jo politik
Me shurdhërinë që po tregon ndaj apeleve të ndërkombëtarëve, Edi Rama po demonstron se është një rast klinik e jo politik. Përgjegjësitë si opozitar ai po i përballon me hiletë për të mbajtur në këmbë aferat korruptive dhe hipotekën e bashkisë, përmes bojkotimit të parlamentit. Ai është politikisht i sëmurë, por ai ka fituar imunitet nga terapitë politike, prandaj zgjidhja e vetme që duhet kërkuar është tek terapitë klinike
Edi Rama me kokëfortësinë e tij bojkotuese, të paargumentuar por të motivuar mbrapsht, po demonstron se është një rast klinik (ndoshta i shërueshëm) dhe jo një rast politik (bindshëm i pashpresë).
Prej javësh, prej kur atij i lindi ideja dhe imponoi dhunshëm bojkotimin e Parlamentit nga deputetët e partisë së marrë peng prej tij, ndërkombëtarët brenda dhe jashtë Shqipërisë, në Evropë apo në SHBA, i kanë kërkuar të heqë dorë nga vetëpërjashtimi përballë përgjegjësive si opozitar dhe të bëhet pjesë e reformave për përshpejtimin e integrimit të Shqipërisë në BE. Në mënyrën e tyre, njëra pas tjetrit ambasadorët Helmut Lohan, Robert Bosch, Fiona McIlwham..., dhe së fundi John Withers, në daljet e tyre publike, kanë artikuluar domosdoshmërinë e hyrjes së deputetëve të PS-së në Parlament. Po kështu, edhe ndërkombëtarët nga jashtë kufijve të Shqipërisë, Olli Rehn, Doris Pack, Franco Frattini, Stuart Jones..., etj dhe së fundmi edhe Sekretari amerikan i Mbrojtjes Robert Gejts, nuk kanë reshtur së apeluari ndaj Edi Ramës dhe opozitës, për ta nxitur lidershipin socialist t’i kthehet parlamentit.
Por, edhe pas shtimit të presionit, veçanërisht javën e fundit, Edi Rama ka zgjedhur t’i bjerë të njëjtës vrimë, duke pasur më për zemër ta lërë veten nën ndikimin e Skënder Gjinushit, Spartak Ngjelës, Paskal Milos, Nard Ndokës, apo Erjon Veliajt, të cilët jo vetëm që me këtë Parlament nuk kanë lidhje (sepse si të hyjë PS-ja, si të mos hyjë, ata jashtë janë), por që me sa duket, nuk kanë për ta parë më atë institucion nga brenda...
Një sjellje e tillë e Edi Ramës, që lexon me keqdashje ca gjysma fjalish të ndërkombëtarëve, veçanërisht në fjalitë e vetme ku flitet për “dialog” (a thua se i është mohuar kjo “e drejtë”), më tepër i ngjan atij të sëmurit (politikisht), që nuk do t’u besojë këshillave e terapive, por nga ana tjetër, i beson “të yshturit” nga “plakat” Gjinushi, Ngjela, Milo, Ndoka, e Veliaj, që nuk është se demonstrojnë ndonjë aftësi serioze kuruese.
Ndërsa, bojkoti, është “simptoma” e shfaqur prej Edi Ramës, “origjina” e sëmundjes, është ajo që e bën politikisht Edi Ramën, një rast të pashpresë. Edi Rama politikisht i sëmurë, pasi “origjina” e kësaj sëmundje tregojnë se ai është i kapur nga korrupsioni, nga aferat e bashkisë, nga kapja prej nomenklaturës së brezit të dytë, nga aferat familjare, nga fobia prej kombit
Për pasojë, një rast i tillë, politikisht nuk mund të shërohet nga një terapi politike, sepse “organizmi” i tij nuk ia pranon, por vetëm nga një terapi klinike...