E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbutje, jo tërheqje

Kryeministri u kërkon deputetëve që të tregojnë kujdes gjatë diskutimit të dekreteve presidencialë

Partia Demokratike u pa më e zbutur në qëndrime ndaj presidentit Bamir Topi mbi dekretet, por kjo vështirë se përfshin çështjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë.

Gjatë mbledhjes së djeshme me dyer të mbyllura të grupit parlamentar, mësohet se kryeministri Sali Berisha u ka kërkuar deputetëve të tij, që për çështjen e dekreteve të presidentit Bamir Topi të tregohet më tepër kujdes dhe tolerancë gjatë diskutimeve. Nga ana tjetër, kreu i qeverisë është shprehur në mbështetje të zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për shqyrtimin e dekreteve për pesë anëtarët e Gjykatës së Lartë, ku ka deklaruar se ato do të shqyrtohen në Komisionin e Ligjeve. Deputetët e pranishëm bënë të ditur për “Korrierin”, se gjatë mbledhjes së djeshme, kreu i qeverisë ka zbutur tonet e tij, megjithatë ka shprehur vendosmërinë e tij për të mos u tërhequr për çështjen e dekreteve. Ai ka kërkuar që të vazhdojnë negociatat me presidentin Topi, ndërsa ka shprehur besimin se presidentit “mund të reflektojë” për këtë çështje. Burimet bënë të ditur gjithashtu, se gjatë mbledhjes së djeshme nuk është marrë ndonjë vendim për mënyrën sesi do të votojnë deputetët demokratë në momentin kur pesë kandidaturat për Gjykatën e Lartë do të paraqiten në seancë plenare. Mbledhja e djeshme e deputetëve demokratë mësohet se nuk pasur debate, ndërsa deputetët e pranishëm e mohojnë që të jetë përmendur çështja e ndryshimit të kandidaturave të presidentit. Tashmë kryeministrit Berisha i mbetet pak kohë që të sigurojë votat e mjaftueshme për të rrëzuar dekretet e presidentit Bamir Topi, duke qenë se ato do të diskutohen në Komisionin e Ligjeve, dhe brenda 7 ditësh duhet të paraqiten në Kuvend. Gjithashtu, duket se sigurimi i votave për të rrëzuar dekretet e presidentit ose arritja e një konsensusi me këtë të fundit duhet të bëhen brenda tri javësh, ashtu sikurse e përcakton rregullorja. Në rast se nuk jepet pëlqimi nga Kuvendi dy javë pasi është dorëzuar raporti i Komisionit të Ligjeve, atëherë dekretet e presidentit konsiderohen të rrëzuara dhe ai duhet t’i paraqesë sërish në Kuvend. Në rast se kandidaturat rrëzohen nga Kuvendi, atëherë presidenti ka të drejtë që të paraqesë sërish dekrete, të cilat mund të jenë të njëjtët emra ose mund të jenë emra të tjerë. Në këtë rast ekziston mundësia që të ndiqen dy rrugë. Mundësia e parë është që presidenti të dorëzojë në Kuvend të njëjtat kandidatura dhe Parlamenti t’i rrëzojë ato, duke e lënë të zvarritur çështjen. Ndërsa mundësia e dytë është që të arrihet një konsensus mes presidentit dhe mazhorancës, që në dekrete të përfshihen emrat e gjyqtarëve që kanë “pëlqimin” e Partisë Demokratike.

“Legalizimet” kalojnë papritur dhe pa njoftuar opozitën

Parlamenti ka miratuar dje në mënyrë të papritur dhe pa njoftuar më parë opozitën, ligjin e legalizimeve që ishte kthyer për shqyrtim në parlament nga presidenti Bamir Topi. Ky ligj ka arritur që të marrë 71 votat pro, pavarësisht kundërshtimeve të mëparshme të opozitës dhe grupeve të interesit. Gjithçka duket se ka qenë e përgatitur nga mazhoranca, kur në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar demokrat kryeministri Sali Berisha u ka kërkuar deputetëve që të votojnë për kalimin e këtij ligji në parlament. Në rendin e ditës në parlament nuk ishte përfshirë ky ligj dhe vetë me ardhjen e kryeministrit, kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka lajmëruar deputetët se do të futej ligji i legalizimeve për votim. Opozita e ka kundërshtuar këtë gjë dhe u largua nga salla. Ndërkohë, ligji i legalizimeve mori vetëm 15 vota kundër. Ndryshimet e reja  që u bënë në ligjin e legalizimeve u kundërshtuan nga opozita dhe ish-pronarët, më motivet se ky ligj cënonte kompetencat e pushtetit vendor dhe nuk përfaqësonte interesat e ish pronarëve. Ky ligj ishte kthyer për shqyrtim në Kuvend nga ana e presidentit Bamir Topi, ku me dekretin për kthimin e ligjit ai kishte dhënë edhe rekomandimet e tij se si duhej të ishte ligji. Pas kthimit të dekretit në parlament, Partia Demokratike dhe Partia Republikane nisën negociatat për të hartuar amendamentet e rekomanduara nga presidenti Topi, por edhe për të përfshirë në të kërkesat e republikaneve që e kishin votuar kundër herën e parë këtë ligj. Pas përfundimit të amendamenteve dhe paraqitjes së tyre në Kuvend, opozita dhe ish pronarët i kundërshtuan fuqishëm ndryshimet, ndërkohë që u vendos votimi i tij në mënyrë të papritur pak minuta para se të mbaronte seanca.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›