Integrimi i Maqedonisë në BE, Fyle dhe Sanino vizitojnë sot Shkupin
Maqedoni- Eurokomisioneri për Zgjerim në BE, Stefan Fyle dhe kreu i Drejtorisë për Zgjerimin Stefano Sanino sot pritet të zhvillojnë një vizitë në Maqedoni.
Agjencia e lajmeve INA raporton se dy zyrtarët e Komisionit Evropian sot në mëngjes do të nisin axhendën e takimeve me krerët shtetërorë dhe qeveritarë në Maqedoni. Fillimisht do të zhvillohen takimet me kryeministrin Nikolla Gruevski dhe zv/kryeministrin, Fatmir Besimi. Në kuadër të vizitës është paraparë edhe takimi me presidentin George Ivanov, liderin e LSDM-së, Branko Cërvenkovski, por nuk përjashtohet edhe takimi me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti në selinë e BE-së në Shkup.
Temë kyçe e kësaj vizite do të jetë përparimi i vendit në planin e dialogut paraqasës për anëtarësim si dhe raporti pranveror për Maqedoninë, që pritet të shpallet më 16 prill.
Sipas INA-s, gjithashtu do të bisedohet edhe për dialogun politik, vlerësimin e zgjedhjeve lokale si dhe formimin e komisionit të ekspertëve që duhet të ndihmojë që të ndriçohen incidentet e dhunshme në Parlamentin e Maqedonisë më 24 dhjetor të vitit të kaluar.
Autoritetet qeveritare në Shkup kanë theksuar se presin që KE-ja të përgatit raport kredibël dhe objektiv për procesin e reformave në sferën e gjyqësisë, qeverisjes së të drejtës, për reformat në administratën publike, lirinë e mediave, zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe ekonominë funksionale të tregut.