E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turqi, gjyqi kundër ushtarakëve

Gjykatat turke pritet të japin vendimin për procesin gjyqësor ndaj ish-ushtarakëve të akuzuar për komplot, një proces ndoshta më i rëndësishmi në vend që pas grushtit të shtetit të fillim-viteve 80.

365 ushtarakë, që nga grada e oficerit të thjeshtë e deri tek grada gjeneral do të mësojnë dënimet e tyre për akuzën e grushtit të shtetit. Prokurorët kanë kërkuar mbi 20 vite burg për secilin prej tyre.

Ata akuzohen për tentativë grushti shteti ndaj qeverisë së partisë së Erdogan në vitin 2003. Sipas hetuesve, ushtarakët planifikonin që gjatë simulimit të një stërvitje rutinë luftarake me emrin “Çekani”, të merrnin pushtetin.

Plani, sipas akuzës, ishte hedhja në erë e një xhamie në Stamboll e më pas nisja e një konflikti të armatosur me Greqinë që do t`i jepte ushtrisë situatën e favorshme për të rrëzuar qeverinë “pro-islamike”.

Ushtarakët kundërshtojnë akuzat duke i cilësuar ato si trillime dhe gjithë procesin gjyqësor një inskenim jo vetëm kundër tyre, por kundër gjithë ushtrisë turke, kundër ushtarëve të thjeshtë që mbrojnë atdheun dhe parimet e Qemal Ataturkut (themeluesi i Turqisë moderne e shtetit laik).


Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›