“Integrimi i Shqipërisë në BE, brenda mandatit të qeverisë ‘Berisha 2’”

Ministri i Jashtëm, Meta, deklaron në konferencë për shtyp
Menjëherë pas kthimit nga Stambolli ku u zhvillua takimi i Ministrave të Jashtëm të Evropës Juglindore, pas marrjes së kryesimit të këtij procesi nga Turqia. Zëvendëskryeministri Ilir Meta tha dje në një konferencë për shtyp, se, “Është një ngjarje e rëndësishme për rajonin tonë, aq më tepër që kjo përkon edhe me shumë sfida të rëndësishme për Shqipërinë dhe për Ballkanin Perëndimor”.
Më tej Meta përshëndeti në mënyrë të veçantë idenë dhe angazhimin e Kryeministrit të ri të Greqisë, Jorgo Papandreu, të bërë edhe në takimin e Ministrave të Jashtëm në Stamboll, për t’i dhënë një nxitje të re procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian gjatë këtyre viteve që vijnë, ashtu sikurse iu dha në Samitin e Selanikut. Siç e theksoi edhe z. Papandreu, integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, duhet të përfundojë mundësisht brenda vitit 2014, datë që koinçidon edhe me 100 vjetorin e Luftës së Parë Botërore, që për fat të keq nisi nga Ballkani”.
Sipas ministrit të Jashtëm, Meta, kjo simbolikë është shumë e rëndësishme, në radhë të parë po të kemi parasysh se përfundimi i procesit të zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor, do të thotë njëkohësisht edhe një epokë e re për gjithë Evropën, pasi nga ky rajon, jo rrallë herë, janë nxitur konflikte që kanë përfshirë të gjithë kontinentin. Meta tha se i kishte bërë një ftesë homologut turk, duke thënë që ftesës sime iu përgjigj shumë pozitivisht edhe ministri i Jashtëm i Turqisë, i cili do të vizitojë vendin tonë së shpejti. Ndërkohë që gjatë javëve që vijnë, presim edhe shumë vizita të tjera të rëndësishme në kuadrin e intensifikimit të marrëdhënieve të Shqipërisë me gjithë vendet e rajonit, me gjithë vendet e Evropës, dhe me gjithë vendet e tjera me peshë të rëndësishme në politikën botërore dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, sikurse do të jetë rasti për të pritur këtu shumë shpejt, Zëvendëskryeministrin e Kinës theksoi Zëvendëskryeministri Meta.
I pyetur nëse ai ka takuar kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm të Greqisë, Jorgo Papandreu, dhe si i parashikoni marrëdhëniet me Greqinë tani që e majta erdhi në pushtet, Ministri Punëve të Jashtme Ilir Meta tha se. “ishte kënaqësi për mua për ta përshëndetur dhe për ta uruar nga afër Kryeministrin e ri të Greqisë, Papandreu”.
“Njëkohësisht, ishte kënaqësi për të biseduar gjatë edhe me Ministrin e ri Plotësues të Punëve të Jashtme të Greqisë dhe me shumë kolegë të tjerë. Të jeni të sigurt se marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë, do të jenë të shkëlqyera, do të jenë transparente dhe do të jenë gjithnjë të udhëhequra nga ai kuadër dhe vizion evropian ku bën pjesë Greqia, por që synon edhe Shqipëria. Një vizion ky që Papandreu e ka demonstruar shpesh edhe në të kaluarën, kur ka qenë Ministër i Jashtëm”, u shpreh ministri i Jashtëm.
Më tej, shefi i diplomacisë shqiptare, theksoi se “do të vlerësoja faktin që edhe pse në ditët e para të një angazhimi të ri dhe me shumë sfida të brendshme, ai gjeti kohën, dhe vizitën e parë e bëri në Turqi, duke dhënë një mesazh shumë të rëndësishëm për bashkëpunimin rajonal, si dhe duke treguar vullnetin për të gjetur një zgjidhje përfundimtare dhe evropiane për Qipron”.
Zëvendëskryeministri Meta theksoi se “duhet të jeni të sigurt se marrëdhëniet midis dy qeverive dhe dy vendeve do të jenë të shkëlqyera, pavarësisht se nuk do të mungojnë provokimet e herë pas hershme nga ndonjë segment destruktiv, që synon të mbijetojë në politikën shqiptare, duke u marrë me të kaluarën”.