“Integrimi i vendeve të Ballkanit, përbën interes të ngushtë për Greqinë”
Kryeministri i ri grek, Papandreu orienton kursin e politikës së jashtme, për integrimin e Ballkanit Perëndimor
Integrimi i Ballkanit në bllokun Evropian, përbën një interes të ngushtë në politikën e jashtme të Greqisë. Kështu është shprehur kryeministri i ri i Greqisë, George Papandreu. Pak ditë pas konfirmimit të tij në krye të qeverisë greke, Papandreu është duke pasuar të njëjtën linjë politike si të paraardhësit të tij, Karamanlis, me prioritetin kryesor të politikës së jashtme, integrimin e vendeve të Ballkanit në BE, si Shqipëria, Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi. Gjatë takimit të Ministrave të Jashtëm të Evropës Juglindore, në Turqi, Papandreu u shpreh se pikërisht vendet e Ballkanit Perëndimor, integrimi i tyre në Bashkimin Evropian, përbëjnë edhe një interes parësor në politikën e jashtme greke.
Qëndrimi i kryeministrit grek Papandreu, është zgjerimi i bllokut me anëtarë të rinj, duke dhënë një sinjal të fortë kështu që, rajoni duhet të mbetet në vëmendjen e Brukselit. Në prag të ratifikimit të Traktatit të Lisbonës, Greqia kuadron insistimin e saj, për shtrimin e radhëve të BE, duke e justifikuar këtë qëndrim, me argumentin e stabilitetit dhe qëndrueshmërisë politike e ekonomike në Ballkanin Perëndimor në tërësi.
Kreu i qeverisë greke, në programin e tij politik, synon të përmirësojë marrëdhëniet me vendet fqinje si, Turqinë dhe Maqedoninë, e njëherazi konfirmimin e fqinjësisë së mirë me Shqipërinë dhe faktorizimin si, vend aktor në procesin e integrimit të Ballkanit. Megjithatë, prioriteti i parë i qeverisë greke do të jetë ballafaqimi me krizën ekonomike, por që qeveria e Athinës, udhëheqja e saj, shpreson për progres, duke mënjanuar mosmarrëveshjet e gjata.
Qëndrimi ndaj pavarësisë së Kosovës, pritet të jetë një tjetër tipar i konstruktivitetit të politikës së jashtme greke.
Greqia, Qipro, Rumania, Sllovakia dhe Spanja, janë pesë anëtarët e BE-së që nuk kanë pranuar ta njohin Kosovën si të pavarur pas shpalljes së pavarësisë nga Serbia në shkurt 2008.
Më 6 tetor, e përditshmja serbe Danas, e cituar nga agjencia bullgare e lajmeve Fokus, tha se marrja e pushtetit në Athinë nga PASOK-u, do të rrisë presionin ndaj qeverisë, për të njohur Kosovën si të pavarur.