E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Integrimi i Shqipërisë në BE brenda vitit 2014”

Zv/kryeministri Meta takon homologun grek Droutsas dhe merr garanci

Ministri i Jashtëm Plotësues i Greqisë, Dimitris Droutsas konfirmoi dje gjatë vizitës zyrtare në Tiranë, se projekti i SHBA-ve dhe Greqisë për integrimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor brenda vitit 2014 është propozim politik, duke parë se këto vende po shkojnë drejt përmbushjes së kushteve të Brukselit. Në takimin e zhvilluar me ministrin e Jashtëm Ilir Meta, Droutsas deklaroi se në Shqipëri ekziston   fryma pozitive për t’u integruar në familjen e madhe të BE.
“Propozimi për 2014 është një propozim politik me një simbolikë të veçantë sikurse pata rastin ta theksoja dhe më parë. Ashtu sikurse e dimë të gjithë, BE, vendos kritere të caktuara dhe parakushte për integrimin në të sepse problemet që kanë vende të ndryshme janë të ndryshme. Pra, është në dorën e çdo vendi të bëjë ato reforma të domosdoshme në një kohë të shkurtër për tu bërë anëtar. Më e rëndësishmja për ne është fryma pozitive që duhet të krijohet dhe sikurse unë e pashë vetë në Shqipëri, është fryma pozitive që duhet të zhvillohet në vendet e Ballkanit Perëndimor për tu integruar në familjen tonë të madhe të BE”, u shpreh ai.
Ministri grek theksoi se në këtë aspekt kemi të bëjmë me një avancim pozitiv të kësaj ecurie integruese në mënyrë që dhe BE të shikojë gjithë këtë procedurë në një sy më pozitiv.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, të dy ministrat vlerësuan nivelin e marrëdhënieve dypalëshe dhe u shprehën të entuziazmuar për bashkëpunimin e frytshëm të shënuar në fusha të ndryshme. 
Shefi i diplomacisë shqiptare Ilir Meta, deklaroi se gjatë takimit me ministrin grek është diskutuar për përforcimin dhe konsolidimin e perspektivës evropiane të Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, që përbën dhe një prej qëllimeve kryesore të turit që po zhvillon Droutsas në Ballkan.
“Në Greqi është një qeveri e re e drejtuar nga Kryeministri Papandreu e cila ka promovuar një axhendë tepër të rëndësishme, të përshpejtuar, integrimin dhe anëtarësimin e vendeve tona të Ballkanit Perëndimor në BE, mundësisht, brenda vitit 2014 që përkon jo rastësisht me 100 vjetorin e luftës së parë botërore. Ne jemi shumë të lumtur për këtë impuls të ri e të fuqishëm që Greqia dhe Kryeministri Papandreu duan t’i japin anëtarësimit të vendeve tona në BE. Dhe kjo nuk është diçka e re. Bazat e këtij progresi të vendeve tona drejt BE, janë hedhur në mënyrë tepër solide, pikërisht në Samitin e Selanikut. Dhe është pikërisht ky vizion i BE, i forcuar që me Samitin e Selanikut i cili na ka ndihmuar sot që të jemi në një stad të ri në raport me BE”, u shpreh Meta.
Sipas tij, vendimi i ministrave të Jashtëm të BE, për të miratuar aplikimin e Shqipërisë, për statusin e vendit kandidat me BE, e ka futur vendin në një fazën të re dhe finale të anëtarësimit tonë në këtë Union.  
Për sa i takon liberalizimit të vizave, ministri i Jashtëm Ilir Meta vuri në dukje se Shqipëria ka përmbushur të gjitha kriteret që lëvizja e lirë të bëhet e mundur 6 mujorin e parë të 2010-ës.
“Ju e dini që Parlamenti Europian miratoi rezolutën për liberalizimin e vizave të vendeve tona. Ju e dini që  angazhimi për liberalizimin e vizave është marrë që në Samitin e Selanikut dhe vendi ynë i ka realizuar të gjitha kriteret për të përshpejtuar procesin e liberalizimit të vizave brenda vitit të ardhshëm”, theksoi Meta.
Më tej, ministri i Jashtëm vlerësoi partneritetin e shkëlqyer të Greqisë për paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon.
Nga ana tjetër, ministri grek Droutsas u shpreh se “jemi tashmë aleatë të ngushtë në NATO kurse depozitimi i kërkesës së Shqipërisë për anëtarësim në BE, simbolizon një hap të rëndësishëm në këtë proces që tashmë është një realitet”.
“Unë shoh me kënaqësi që Shqipëria po bën progres të dukshëm në përpjekjet e saj për të bërë reforma. Sigurisht që ka hapësira për tu përmirësuar por na kënaq angazhimi i plotë dhe tepër serioz nga politika shqiptare për ecurinë e integrimit të Shqipërisë në BE. Gjithashtu, vlen për të theksuar angazhimi i sinqertë i politikës shqiptare për adoptimin e vlerave dhe parimeve të familjes sonë të madhe evropiane”, u shpreh ai.
Në kuadrin dypalësh, Droutsas shtoi se “marrëdhëniet tona bëhen gjithmonë e më të thella e më të drejtpërdrejta”.
Ministri grek nënvizoi se çështja kryesore e bashkëbisedimit me ministrin Meta, ishte perspektiva evropiane e Shqipërisë.
“Ashtu sikurse e theksoi dhe Meta, Papandreu, kryeministri i Greqisë ka depozituar një propozim të ri, një ide të re politike për avancimin e mëtejshëm të ecurisë integruese të Ballkanit Perëndimor. Kemi theksuar që na duhet të krijojmë një dinamikë të re dhe besoj se këtë dinamikë mund ta arrijmë duke vendosur një pikë kulmore të kësaj ecurie dhe kjo pikë kulmore integruese, kemi thënë që do të jetë brenda vitit 2014, një datë me një simbolikë të veçantë. Bëhet fjalë për 100 vjet pasi u shpall lufta e parë botërore, një ngjarje që ka lënë ende plagë të hapura që Ballkani i vuan ende sot e kësaj dite. Pra, është shumë simbolike. BE, në thelbin e vet është një model paqeje dhe besojmë se e ka për detyrë të marrë përsipër përgjegjësitë e veta për rajonin e Ballkanit që është një rajon historik dhe i pashkëputshëm i Evropës. Greqia do të jetë një partner i mirë për të gjithë vendet e rajonit, sigurisht, këtu përfshihet dhe Shqipëria”, garantoi Droutsas.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›