“Mediat mercenare dezinformuan opinionin publik”

Marrëveshja detare me Greqinë, reagon Meta
Ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta ka komentuar në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun e tij grek Dimitris Droutsas, marrëveshjen detare me Greqinë dhe akuzat e panumërta nga disa media tendencioze dhe të njohura si të afërta me kreun e opozitës Edi Rama. Duke iu referuar marrëveshjes për caktimin e kufirit detar, Meta akuzoi të përditshmen “Gazeta Shqiptare” si mercenare të dezinformimit, me argumente të falsifikuara të cilat gazetarë të saj i kanë sajuar nëpërmjet mekanizmave të mashtrimit dhe shpifjeve.
“Më vjen shumë keq kur shikoj që ju spekuloni mbi këtë raport transparent dhe institucional dhe bëni sikur keni zbuluar dokumente që qeveria nuk ka dashur tua japë juve. E bëra këtë për të informuar të gjithë ata që mund të kenë qenë sensitivë për shkak të asaj fryme aspak pozitive dhe transparente që për fat të keq edhe gazeta juaj, por edhe ju personalisht, keni kontribuar gjatë këtyre muajve në këtë drejtim”, u shpreh Meta, duke iu drejtuar gazetarit të gazetës në fjalë.
Shefi i diplomacisë shqiptare nënvizoi se parlamenti nuk i ka penguar procedurat e ratifikimit, por për t’i lënë kohën e duhur opinionit publik dhe të gjithë elementëve të ndjeshëm ndaj kësaj çështje, kuvendi është treguar i hapur, për ti bërë ballë edhe fushatës dizinformuese.
“Parlamenti nuk ka stopuar procedurat e ratifikimit të kësaj marrëveshjeje, por Parlamenti për arsye edhe të atyre ndjeshmërive që mund t’i keni krijuar ju e të tjerë, dhe për fat të keq edhe të asaj fushate dizinformuese aq më keq që bëjnë edhe drejtues të lartë të opozitës, është treguar i hapur, për t’i dhënë më shumë kohë edhe opinionit publik dhe të gjithë atyre që janë të interesuar për të kuptuar që kjo është një marrëveshje me interes dy palësh”, tha Meta.
Ministri i Jashtëm, shtoi gjithashtu se, “do të ishte mirë që në Parlament të ishte edhe opozita meqenëse ajo është në krye të këtij instrumentalizimi sepse nuk kemi arsye të kalojmë këtë marrëveshje me nxitim dhe pa bërë transparencën e nevojshme dhe me opozitën në Parlament”.
Në këtë drejtim, në rast të një mos kthimi të shpejtë të opozitës në Kuvend, Meta tha se mazhoranca do të bëjë punën e saj.
“Qeveria është e vendosur për të ecur përpara sepse kjo marrëveshje dhe marrëveshje të tjera janë me interes reciprok midis dy vendeve”, nënvizoi ai.