SHBA u bën thirrje ndjekësve të Edvinit të respektojnë Ligjin për Tubimet

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i bëjnë thirrje opozitës që të mos nxisë gjaknxehtësi gjatë protestave në Tiranë. Ambasadori i SHBA-ve në vendin tonë, John Withers deklaroi se protesta është shprehje e lirisë së fjalës, por nuk mund të pranohet kurrsesi pështjellimi i saj në konfrontime dhe cenim të të drejtave të njeriut.
“Ambasada e Shteteve të Bashkuara mbështet plotësisht të drejtën për lirinë e shprehjes dhe tubimit për të gjithë njerëzit. Theksojmë se një shprehje e tillë duhet të jetë paqësore dhe të mos cenojë të drejtat e të tjerëve. I bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve, si ata që marrin pjesë në protesta edhe ata që kanë përgjegjësi të ruajnë rendin, të ushtrojnë të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre me qetësi dhe respekt”, u shpreh përfaqësuesi diplomatik i Washingtonit në vendin tonë, John Withers.
Reagimi i SHBA vjen pas paralajmërimeve të kryesocialistit Edi Rama, për përshkallëzim të protestave ditët në vijim, nëse kërkesat e opozitës nuk merren parasysh. Hapja e kutive, një qëndrim i paarsyeshëm i palës opozitare, nuk është mbështetur nga përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtarë në vend, të cilët kanë apeluar vazhdimisht për gjetjen e konsensusit dhe inicimin e debatit politik në parlament.
Në raport të kundërt me këtë vullnet, qëndron klika e dozifikuar me dëshpërimin e thellë të humbjes së zgjedhjeve dhe nga mos mbajtja e përgjegjësive përballë socialistëve të thjeshtë. Një presion i tillë që vjen nga baza, po e detyron Edi Ramën që të zgjedhë me vetëdije të plotë degradimin e tij politik dhe të forcës politike që përfaqëson. Nga pasditja e sotme, përfaqësuesit e opozitës pritet të ngujohen me çadra rreth kryeministrisë në shenjë proteste për kërkesat e tyre. I mbështetur veç nga Erjon Veliaj dhe Gramoz Ruçi, Edi Rama nisi dje një bashkëjetesë disa ditore. Këtë herë jo në Pezë, por në bulevardin qendror të kryeqytetit, ndërkohë që bëhet me dije se aty pritet të marrë pjesë edhe Dash Peza, i njohur si personi më i afërt emocionalisht me kryesocialistin.