Berisha uron homologun e tij belg Van Rompay, për zgjedhjen në postin e Presidentit të ri të BE-së

Zgjedhja juaj, garanci për të ardhmen e ndritur të familjes së madhe evropiane
Kryeministri Sali Berisha i ka përcjellë sot një mesazh urimi kryeministrit belg z. Herman Van Rompay, me rastin e zgjedhjes së tij në postin e Presidentit të ri të Bashkimit Evropian. Kreu i qeverisë shqiptare vlerëson se zgjedhja e tij në krye të Bashkimit Evropian do të sigurojë një të ardhme të shkëlqyer për të gjithë unionin. “Kam ndjekur me kënaqësi e admirim karrierën Tuaj dhe mbetem me bindjen e thellë, se, me integritetin, që ju karakterizon, kompetencën prej politikani me përvojë, me vizionin dhe besimin e palëkundur prej evropianisti, të madh e të shquar, që keni dëshmuar në vijimësi, zgjedhja juaj në krye të Bashkimit Evropian shënon një ditë të lumtur për një të ardhme më të shkëlqyer të Evropës. Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë, që, në këtë çast historik për Bashkimin Evropian dhe për mbarë kontinentin tonë, në këtë stacion kulmor për të gjithë ata që ëndërruan dhe iu përkushtuan idesë për një Evropë unike e të bashkuar, t’Ju dërgoj, në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare, në ditën e zgjedhjes Suaj me unanimitet të plotë President i parë i Këshillit Evropian, përshëndetjet më të përzemërta e urimet, më të ngrohta e miqësore, për sukses të plotë në misionin fisnik dhe në detyrat e rëndësishme, që shtrohen përpara jush. Qytetërimi evropian do ta kujtojë këtë ditë përherë si një ditë të shënuar në historinë moderne të tij”, thuhet në telegramin e urimit të kryeministrit Berisha. Kryeministri thekson se ka ardhur momenti që Bashkimi Evropian do të arrijë përparim të mëtejshëm, si dhe nivele edhe më të larta në rrugëtimin e vet, për një bashkim, gjithnjë e më të ngushtë, të popujve të Evropës, bazuar në vlerat e lirisë, të demokracisë e të shtetit ligjor, promotor të paqes e prosperitetit për qytetarët e vet. Duke theksuar aspiratën e shqiptarëve për integrimin në familjen e madhe evropiane, kryeministri shpreh zotimin e qeverisë që drejton, për të bashkëpunuar ngushtësisht me kancelaritë perëndimore. “Shqiptarët kanë përcaktuar integrimin e vendit të tyre në Bashkimin Evropian si projektin më madhor kombëtar të këtij shekulli, ndaj shfrytëzoj rastin t’Ju pohoj angazhimin tim, personal e të qeverisë shqiptare, për të punuar ngushtësisht me Ju, për të çuar përpara të gjitha çështjet e axhendës sonë të përbashkët integruese, në dobi të interesit më të mirë të qytetarëve shqiptarë dhe të qytetarëve të BE-së, si dhe për të bashkëpunuar ngushtësisht me Ju e institucionet e BE-së, për konsolidimin e mëtejshëm të paqes, stabilitetit, sigurisë e bashkëpunimit në rajonin e Evropës Juglindore”, përfundon telegramin e tij të urimit kryeministri i vendit Sali Berisha.
...