E Diel, 1 Nëntor 2026

“Integrimi mund të fitojë një vrull të ri”

26-06-2013 / Gazeta 55

Baronesha Ashton dhe Eurokomisioneri Fyle përshëndesin zgjedhjet parlamentare Bashkimi Europian përshëndet zgjedhjet parlamentare në vend. Përmes një deklarate për Chatrine Ashton dhe Stefan Fyle përgëzojnë qytetarët e Shqipërisë për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit që, sipas vlerësimit të tyre, u zhvilluan në mënyrë të rregullt


Dy ditë pas përfundimit të procesit të votimeve në Shqipëri ka reaguar edhe Brukseli. Delegacioni i Komisionit Europian në Tiranë publikoi pasditen e së martës (25.06.2013) një apel të Përfaqësueses së Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë Cathrine Ashton dhe Komisionerit Stefan Fyle për Shqipërinë lidhur me ruajtjen e standardeve të BE dhe ato ndërkombëtare deri në finalizimin e procesit të numërimit të votave dhe shpalljes së rezultateve. Ashton dhe Füle përgëzojnë qytetarët e Shqipërisë për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit që, sipas vlerësimit të tyre, u zhvilluan në mënyrë të rregullt. “Tani duhet garantuar ndjekja e duhur e gjetjeve paraprake dhe konkluzioneve të Misionit Ndërkombëtar për Vëzhgimin e Zgjedhjeve. Ne dënojmë rastet e raportuara të dhunës dhe presim që këto incidente të hetohen plotësisht dhe autorët të dalin para drejtësisë”, thuhet në deklaratën e publikuar për media zyra e KE në Tiranë. Kur kanë mbetur pa u numëruar dhe rreth 10 përqind e 5508 kutive të votimit në të gjithë territorin e Shqipërisë BE-ja u ka bërë thirrje partive që të veprohet me frymë konstruktive për të mirën e popullit shqiptar. “Ne ju inkurajojmë që sapo të certifikohen rezultatet të krijohet menjëherë qeveria për trajtimin e sfidave të menjëhershme që ju presin për të garantuar që programi i reformave të vendit do të ndiqet fuqimisht dhe që procesi i integrimit evropian të mund të fitojë një vrull të ri”, përfundon deklarata e përbashkët e Përfaqësueses së Lartë Cathrine Ashton dhe Komisionerit të BE-së, Stefan Fyle. Një ditë më parë ekipi i përbashkët i vëzhguesve ndërkombëtarë, ku përfshiheshin Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, dhe Asambleja Parlamentare e OSBE-së, publikuan në Tiranë një raport paraprak mbi ecurinë e procesit të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit 2013. Vlerësimi i ndërkombëtarëve kishte në thelb cilësimin e votimeve si “konkurruese, me pjesëmarrje aktive të qytetarëve gjatë gjithë fushatës elektorale dhe respekt të mirëfilltë për liritë themelore”. Raporti vlerësonte pjesëmarrjen në zgjedhje (sipas KQZ-së rreth 54 përqind), por kritikoi zvarritjet në procesin e numërimit të votave dhe shpalljen e rezultateve në 12 qarqet e vendit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›