E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Integrimi në BE, mbyllet shqyrtimi i grupit të dytë të kapitujve me Shqipërinë

Shqipëria ka përmbyllur shqyrtimin dypalësh me Komisionin Europian të grupit të dytë të kapitujve të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Ndërsa bëri këtë të ditur, Bashkimi Europian vlerëson se procesi i negociatave për anëtarësimin po ecën përpara me diskutime të frytshme mbi tregun e brendshëm e lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit.

Ndërkohë burime të besueshme në Bruksel i thanë televizionit publik se javën e ardhshme do të nisë shqyrtimi shpjegues i grupkapitullit të tretë nga 6 gjithsej duhen shqyrtuar.

Ritmi i bisedimeve të deritanishme, lë të hapur mundësinë që ky proces të mbarojë brenda këtij viti, duke i hapur rrugën raportit të Komisionit europian për propozimin e çeljes së kapitujve të parë.

Kjo ecuri përkon edhe me ambicien e shpallur të qeverisë shqiptare për ta arritur këtë gjë përpara fundit të vitit. Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, e deklaroi nga Forumi Ballkanik i Budapestit se është pritshmëria e ekzekutivit shqiptar që brenda 2023 vendi të arrijë të mbajë Konferencën e Dytë Ndërqeveritare me Bashkimin Europian.

Nga ana tjetër, arritja do të ishte në kuota realiste të kapaciteteve të vendit për të proceduar me një volum të madh legjislacioni si në këtë fazë, por sidomos në pritje të negocimeve për çdo kapitull me një total mbi 3000 direktiva europiane për të kaluar në parlament.

/rtsh/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›